E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e Trebickës, Prokuroria mbyll hetimet

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Prokuroria e Korçës pushon çështjen për vdekjen e dëshmitarit kyç të trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Prokurorët e çështjes kanë agrumentuar mbylljen e hetimeve me faktin se vdekja ka ardhur për shkak të veprimeve të vetë viktimës. Ky është konkluzioni që jepet pas hetimeve të gjata dhe analizave të realizuara edhe nga ekspertët amerikanë. Prokurorët kanë treguar edhe një herë skemën e aksidentit që i mori jetën Kosta Trebickës, një nga dëshmitarët kyç të çështjes së shitjes së armëve në Afganistan dhe të tragjedisë së Gërdëcit, ku humbën jetën 26 persona dhe mbetën të plagosur 300 të tjerë.
Pushohet çështja
Prokuroria e Korçës ka pushuar çështjen e vdekjes së dëshmitarit kyç të aferave të tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka. Sipas kësaj prokurorie, dhe ekipit të hetuesve për këtë ngjarje, Kosta Trebicka vdiq në një aksident. Nisur nga të gjitha të dhënat për ngjarjen dhe nga provat e siguruara, prokurorët kanë konkluduar se aksidenti i Kosta Trebickës ka ardhur për shkak të një kthese të menjëhershme të automjetit me të cilin po udhëtonte Trebicka. Prokuroria e Korçës ka konkluduar në faktin se, pas kthesës së menjëhershme, trupi i viktimës është shtypur nga makina, duke i shkaktuar atij vdekjen. Sipas kësaj prokurorie, këto konkluzione kanë ardhur pas kryerjes së të gjitha ekspertizave të nevojshme, përfundimi i të cilave është se aksidenti i ndodhur në Korçë ka ardhur si pasojë e manovrimeve të Trebickës.
Aksidenti
Kosta Trebicka ka humbur jetën më 12 shtator në një aksident automobilistik në rrethin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00, pranë fshatit Lekas të Korçës, një zonë e thellë malore ku biznesmeni kishte shkuar për gjueti. Mësohet se Trebicka ka qenë i vetëm në makinën e tij të tipit “Nisan Patrol” me targë TR 8843 J. Uniformat blu u njoftuan nga dy punëtorë, të cilët kishin parë aksidentin. Në automjet u gjetën dokumente të Kosta Trebickës, ndërsa ky i fundit kishte ndërruar jetë menjëherë dhe trupi i tij u gjet disa metra larg makinës. Dëshmitarët në vendngjarje treguan se makina kishte bërë salto në ajër dhe viktima nga plagët e marra në kokë mund të ketë gjetur vdekjen e menjëhershme. Biznesmeni i njohur Kosta Trebicka i frekuentonte shpesh zonat e thella të Korçës për gjah. Nuk ka informacione nëse ai ishte nisur vetëm, apo kishte dhe persona të tjerë që kishin dalë për gjah. Por policia njofton paraprakisht se me Trebickën dyshohet se udhëtonte edhe një person tjetër, ndërsa si shkak i aksidentit për uniformat blu mund të ketë qenë bllokimi i sistemit të drejtimit të automjetit.

Eksperti amerikan
“Kosta Trebicka ka vdekur si pasojë e një aksidenti automobilistik”. Ky është konkluzioni i raportit të dërguar me postë nga Amerika, pas aktekspertimit nga amerikani Kevin Teter. Raporti i dërguar pak ditë më parë në zyrën e Porkurores së Përgjithshme ka mbërritur dje në Korçë, në duart e hetuesve që po merren me këtë çështje. Sipas burimeve, mësohet se në raportin e ekspertit amerikan, thirrur nga Prokuroria jonë për ndihmë, theksohet se makina me të cilën udhëtonte biznesmeni Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit, ka bërë një kthesë të fortë. “Mjeti ka bërë një kthesë të fortë dhe më pas është batuar në anën e djathtë. Për pasojë ajo ka rënë, duke zënë poshtë viktimën, i cili ka mbetur i vdekur në vend”, - thuhet në raport.
Ekspertët në Korçë, nuk japin detaje të tjera rreth raportit, faktit se pse makina ka qenë larg trupit të viktimës apo të tjera të dhëna. Raporti i Kevin Teter erdhi me postë diplomatike nëpërmjet ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ai është raporti përfundimtar i aktekspertimit autoteknik të makinës dhe vendit të ngjarjes, ku u gjet i vdekur Trebicka.

Roli i Trebickës në tregtinë e armëve

Biznesmeni shqiptar Kosta Trebicka ka ndihmuar Efraim Diverolin në paketimin e municionit kinez. Ky detaj publikohet sërish në raportin e hetuesve të Kongresit Amerikan. “Biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka, i punësuar nga AEY i tha Komitetit se detyra e tij ishte heqja e fishekëve nga kutitë e drunjta me shenja kineze dhe t i ripaketonte në kuti kartoni përpara transportit për në Afganistan. Sipas zotit Trebicka, Diveroli e pyeti atë “nëse ka shkronja kineze në kutitë e drunjta apo në arkat metalike” dhe e instruktoi atë që “të sigurohej që në kutitë e reja të kartonit nuk do të kishte fjalë në gjuhën kineze”, thekson raporti i ndihmësve të Henri Vaxman. Kosta Trebicka i ka dërguar një letër Kongresit Amerikan në maj 2007, ku shpjegon se zyrtarë të AEY-së kanë instruktuar nëpunësit e tij për të zhdukur shenjat kineze nga kutitë me municione.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›