E Diel, 1 Nëntor 2026

15 vjet burg për vrasje, por shpëton nga ‘gabimi’ hetimor

Selim (Selami) Struga, 48 vjeç, u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dhjetor të 2011 me qëllim për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë, pasi rezultonte të ishte person në kërkim. Me shumë gjasa, Struga, mund të mbërrinte në burgjet shqiptare për të shlyer dënimin e rëndë për krimin e kryer në vitin 1989.

Një “pakujdesi” e autoriteteve të drejtësisë shqiptare apo një gjest i qëllimshëm prej tyre i “dhuruan” shpejt lirinë Strugës.

Avokati Alban Bengasi, që ndoqi çështjen në Gjykatën e Tiranës, arriti ta bindë gjykatësin Arben Micko, që të firmoste për përjashtimin e nga vuajtja e dënimit prej 15 vitesh e Strugës si dhe shuarjen e masës së sigurisë marrë ndaj tij në mungesë në vitin 2001. Në një parashtrim të detajuar, avokati Bengasi arsyetonte para gjykatës se Selim Struga dyshohet se e ka kryer krimin në vitin 1989 dhe sipas Kodit Penal të Kohës, afati për ushtrimin e ndjekjes penale ishte parashkruar për shkak të kalimit të afatit ligjor 10 vjet. Struga është dënuar për vrasjen me dashje të Gëzim Çelmetës në vitin 1989. Sipas Kodit të vjetër Penal, ndaj 48- vjeçarit duhet të ishte ngritur akuzë brenda afatit 10- vjeçar deri më qershor 1999, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Hetimet për rastin në fjalë kanë rifilluar një vit më vonë dhe në 2001, Selim Struga është cilësuar fajtor për vrasje me dashje.

Ai është arrestuar në SHBA, ku jetonte prej 1989, ku kishte mundur të arratisej nga Shqipëria përmes Jugosllavisë. “Nga dokumentet e dosjes gjyqësore dhe nga shqyrtimi i përmbajtjes së vendimit, nr. 800 datë 04.12.2001 të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë konstatohet se vepra penale për të cilën është akuzuar kërkuesi ka ndodhur me 21.06.1989 dhe çasti i marrjes së personit Selim Struga si i pandehur është data 17.01.2001. Kështu rezulton se ndjekja penale për të pandehurin Selim Struga është bërë tej afatit ligjor prej 10 vitesh nga organi procedues fillimisht nga prokuroria dhe më pas nga gjykata, duke shkelur rëndë ligjin dhe duke cenuar garancitë kushtetuese të këtij shtetasi”, arsyeton avokati.

Duke vijuar më tej, Bengasi thekson se dënimi i Strugës është i paligjshëm dhe antikushtetues sepse është bërë në shkelje të procedurës ligjore, për parashtrimin e ndjekjes penale brenda afatit ligjor 10 vjet. Mbi bazën e këtyre argumenteve, gjykatësi Micko me një vendim të pak ditëve më parë, e ka shuar dënimin dhe masën e sigurisë për Strugës, duke vënë në vend gabimet e deritanishme të drejtësisë, çka do të përbënin shkak për një çështje të re në Gjykatën e Strasburgut, për një proces të parregullt ligjor.

Vrasja e Çelmetës sipas Prokurorisë

Më 21 qershor 1989, rreth orës 16:00, Selim Struga së bashku me Fatmir M. e Muhamet N. kanë qenë duke pirë në një lokal të quajtur “10 Korriku” në rrugën “Qemal Stafa”. Rreth orës 17:00 në këtë lokal ka ardhur dhe Adriatik K., është afruar pranë tyre dhe kanë filluar të pinin pije alkoolike. Gjatë kohës që këta persona po pinin i pandehuri Struga ka shkuar tek një tavolinë tjetër dhe i ka marrë një thikë dy shtetasve të paidentifikuar, të cilët ishin në klub dhe e ka futur në brez. Rreth orës 19:00, po në këtë lokal, kanë hyrë dhe shtetasit Bujar R. dhe Gëzim Çelmeta, të cilët njiheshin mes tyre, për të pirë një aranxhatë.

Në kohën që këta shtetas po hynin në lokal, tek tavolina ku ishin ulur Selim Struga me shokët e tij, thyhet një shishe dhe këta fillojnë të dalin nga lokali. Në kohën që këmbehen në derën e lokalit, njëri nga shokët e Selim Strugës bën sikur donte të qëllonte me grusht Bujar R., i cili ka reaguar në pozicion mbrojtës, duke i thënë se çfarë ke. Në këtë moment, kanë filluar të debatojnë me fjalë të ndryshme. Pasi janë afruar dhe shokët e tjerë të të pandehurit duke thënë se çfarë ka Bujar R. i ka rënë njërit prej tyre më pëllëmbë lehtë duke i thënë se jemi shokë. Ndërkohë, Selim Struga, i cili kishte të veshur një këmishë me ngjyrë të kuqe, i ka kapur dorën duke i thënë se: “Hiqe dorën”.

Duke parë se gjendja po acarohej, Bujar R. është shkëputur. Ndërkohë, shokët e Strugës fillojnë të bëjnë fjalë me Gëzim Çelmetës duke e futur në mes. Këtu është afruar Selim Struga, i cili në një moment ka goditur me një mjet prerës shpues në pjesën e pasme të shpinës, Gëzim Çelmetën. Pas kësaj goditje, Bujar R. ka marrë një lopatë druri akulloresh tek banaku i lokalit dhe ka filluar të godas në drejtim të Adriatik K. dhe Muhamet N., të cilët bashkë me Selim Strugën kanë dalë nga lokali. Po nga lokali ka dalë edhe Gëzim Çelmeta, i cili pasi ka ecur disa metra, si rezultat i plagës së marrë është rrëzuar. Menjëherë atë e kanë dërguar në spital, por me gjithë ndihmën e dhënë, si rezultat i goditjes së marrë ka gjetur vdekjen./Start/GSH/

                                                                                             2012-08-04 09:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›