Shtyhet miratimi i buxhetit 2009 për Tiranën
Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 nuk ka mundur të marrë dje as miratimin, por as refuzimin e 55 anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Votimi për dokumentin më të rëndësishëm financiar për kryeqytetin është shtyrë për një mbledhje tjetër, pasi në momentin e votimit në sallë nuk kanë qenë prezentë as 28 anëtarë, shumica absolute e domosdoshme për një vendimmarrje të tillë. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, për rrjedhim, është detyruar që të vendosë shtyrjen e miratimit të buxhetit 2009 për një kohë të dytë.
Salla e vogël e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nuk ka mundur dot dje që të mbajë për një kohë të gjatë së bashku kryebashkiakun Edi Rama dhe anëtarët e forcave kryesore politike të kësaj strukture. Kreu i ekzekutivit të bashkisë më të madhe në vend ka prezantuar shkurtimisht disa nga risitë e buxhetit dhe mënyrën e hartimit të tij. Por nuk ka munguar të theksojë se përgjithësisht mungon kultura e pagesës së taksave vendore. Madje, sipas Ramës, edhe vetë Kryeministri i vendit nuk i ka shlyer këto detyrime. E ndërsa ka pritur pyetjet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, për buxhetin sipas rendit të mbledhjes, tonet e forta politike të anëtarëve të PD-së që u konsideruan si shoë mediatik nga kryebashkiaku Rama, e bënë atë që të braktiste sallën. Këshilltari i PD-së, Ferdinand Poni, ka kërkuar shpjegime se si mund të merret mendimi i një komuniteti prej 75 mijë banorësh nga 200 vetë në dëgjesat publike. Por Rama tha se kjo është bërë përmes një anketimi shkencor, i cili ka si bazë grupimin përfaqësues të komunitetit dhe kjo është praktika e vetme ndërkombëtare. Ndërsa këshilltarit tjetër të PD-së, Gjergji Bojaxhi, kreu i KESH-it, i cili e akuzoi se ka munguar transparenca në takimet e Ramës me komunitetin, pasi nuk ka pasur njoftime publike, por njerëz të thirrur, Rama iu përgjigj se: kreu i KESH-it nuk ka pasur drita që të shihte njoftimet e bëra për këto takime në televizione, ndërsa ka kujtuar se njëra nga dëgjesat publike është kryer në errësirë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Debat është krijuar edhe lidhur me nënshkrimin e një marrëveshjeje të mundshme mes Bashkisë dhe Postës Shqiptare për kryerjen e pagesave të disa tarifave vendore. Bojaxhi e ka konsideruar këtë si të papranueshme, duke kërkuar se cilat do të jenë epërsitë ligjore të këtij institucioni (postës) për të mbledhur taksat që aktualisht vilen nga njësitë bashkiake. Për çështjen e mbledhjes së taksave, Rama ka qenë mjaft i ashpër sidomos me drejtuesit e Njësisë Bashkiake nr. 10, për të cilët është shprehur se duhen futur në librin "Gines", pasi arrijnë të vjelin vetëm, 5,3 për qind të taksave. Rama e ka cilësuar si një detyrë të vështirë për të gjitha njësitë bashkiake, por edhe për vetë qytetarët, mbledhjen e taksave me sistemin aktual.
Situata në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u duk se doli thuajse tërësisht jashtë kontrollit sidomos pas momentit kur kryebashkiaku Rama ka ironizuar mbi "inteligjencën" e njërit prej këshilltarëve të PD-së dhe më pas është larguar nga salla.
Ky veprim ka acaruar së tepërmi këshilltarët demokratë, të cilët nuk kanë kursyer as fjalorin e ashpër nga kreu i Bashkisë së Tiranës. Ndonjëri prej tyre ka kërkuar edhe pezullimin e mbledhjes ose rikthimin e Ramës në sallë. Pas valës së parë të tensionit ka qenë Monika Kryemadhi, këshilltarja e LSI-së ajo që i ka dhënë drejtim situatës. Kryemadhi ka propozuar mbylljen e fazës së pyetjeve, me arsyetimin se askush nuk do të përgjigjej dhe ka nisur diskutimin duke premtuar paraprakisht se do të analizonte buxhetin 2009 përmes faktesh dhe provash. Ajo ka deklaruar hapur votën personale kundër buxhetit 2009 të Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar atë si "buxhetin që vjedh qytetarët e Tiranës". Sipas këshilltares së LSI-së, kjo forcë politike që prej dy vjetësh i ka kërkuar bashkisë që të përfshijë në buxhetin e saj rikonstruksionin e rrugës "Sabaudin Gabrani" dhe hapjen e një kanali në fushën "Misto Mame", në mënyrë që banorët e njësisë bashkiake nr.6 të mos vuajnë më përmbytjet e shpeshta sa herë që bie shi në Tiranë, por asnjëherë kjo kërkesë nuk është reflektuar. Nga ana tjetër, Kryemadhi ka rreshtuar një seri fotosh të cilat tregonin shkolla dhe rrugë të rikonstruktuara me buxhetet e viteve të mëparshme të bashkisë, por edhe me atë të vitit 2008. Por, sipas saj, këto objekte ishin sërish në listën e investimeve të buxhetit 2009.
Një tjetër pikë e diskutuar prej Kryemadhit që lidhej me buxhetin e bashkisë për 2009-ën kanë qenë të ardhurat nga gjobat. "Në vitin 2008, tha ajo, këto të ardhura arritën shifrën e 131 milionë lekëve të reja, duke kujtuar se të gjithë e kanë parë rrotën e verdhë të bashkisë". Ndërsa për 2009, vijoi më tej Kryemadhi, bashkia ka planifikuar që sërish qytetarët të shkelin ligjin dhe të ardhurat nga gjobat që do të vilen do të rriten duke e çuar shumën në 138 milionë lekë të reja. Pra, qytetarët ka theksuar ajo të jenë të sigurt se do të gjobiten edhe më 2009. Mes të tjerash, këshilltarja e LSI-së, ka thënë gjithashtu se edhe shifrat e publikuara në pasqyrën e buxhetit nuk rakordojnë. Më tej, mbledhja e Këshillit Bashkiak ka vijuar përmes akuzash reciproke të një niveli aspak të denjë për këtë institucion dhe është ndërprerë për rreth 30 minuta. Në seancën e dytë, Këshilli Bashkiak ndonëse sërish me mungesën e kryebashkiakut Rama duket se ka qenë më produktiv. Vërtet nuk ka mundur që të miratojë apo të ndryshojë diçka në buxhetin e 2009-ës, por ka aprovuar disa vendime të tjera të parashikuara në rendin e ditës.