E Shtunë, 31 Tetor 2026

157 të vdekur si pasojë e ortekëve të borës në Afganistan

Numri i të vdekurve, si pasojë e ortekut masiv të borës, i cili ka bllokuar një kalim malor në veri të Kabulit, është ngritur në 157, me qindra persona tjerë të cilët kanë mbetur të ngujuar, kanë njoftuar dje zyrtarët afganë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemeri Bashary, theksoi se ekipet shpëtimtare kanë zbuluar 157 kufoma në kalimin Salang, rruga kryesore që e lidhë kryeqytetin e Afganistanit me veriun e vendit.

Gjatë konferencës për shtyp në Kabul, Bashary theksoi se një pjesë e rrugës së bllokuar është pastruar, për të mundësuar kalimin e autoambulancave dhe shtoi se ekipet shpëtimtare deri me tani kanë arritur të nxjerrin nga rajoni 2600 banorë, të cilët kishin mbetur të ngujuar.

Orteket e borës kishin bllokuar rrugën të hënën, me qindra njerëz që kishin mbetur të ngujuar në automjetet e tyre. Disa viktima ishin ngrirë në automjetet e tyre, ndërsa kufomat e shumë viktimave tjera u gjetën përgjatë rrugës.

Gjatë 24 orëve të fundit, rreth 400 policë dhe 100 vullnetarë u angazhuan në përpjekjet për të nxjerrë të mbijetuarit nga bora, theksoi Bashary.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›