21 prill 2008
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton një marrëveshje Në mbledhjen e datës 21 prill 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Alpha Bank, A.E, National Bank of Greece, S.A., si rregullues, dhe Alpha Bank, A.E, Dega Londër, si agjent, për huanë 230 mln euro, për financimin e projektit të rrugës Rrëshen-Kalimash.
I ftuar në mbledhje ishte zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu dhe stafi i kësaj ministrie. Në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e opozitës kërkuan praninë e Ministrit të Financave gjatë diskutimit të kësaj marrëveshje, për rëndësinë që ka ajo, si dhe për problemet që opozita ka ngritur për financimin e kësaj rruge dhe për rrjedhojë u larguan nga mbledhja.
Z. Shehu, në fjalën e tij, shpjegoi se kjo është kredia e parë tregtare dhe sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, mund të mos ratifikohej në Kuvend, sepse është huamarrje tregtare dhe veprohet njëlloj si në tregun e brendshëm. Këtë vit vendi ynë kalon nga vendet me financime të buta, në vendet me akses në tregun e kapitaleve dhe më vonë synohet të merren kredi në tregun e kapitaleve.
Ai theksoi se, financimi i këtij segmenti është pjesë e financimit të projektit të rrugës Durrës-Morinë, i cili është i shpallur dhe kontrata është e lidhur. Ai theksoi se krahas donatorëve të huaj, për t`u zbatuar në periudhë rekord, u mor financim nga tregu. Ministria e Financave ka zhvilluar procedura transparente për këtë kredi dhe konkurrenca ka qenë e madhe, ku kanë marrë pjesë emra bankash të njohura. Si rezultat i kësaj konkurrence, kjo kredi u realizua me terma të pranueshme, të cilat janë të përafërta me ato të institucioneve financiare si: BERZH, IBRD dhe BEI. Në fund të mbledhjes projektligji u miratua me 11 vota pro. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 23 46 12.) Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare miraton tre projektligje Nën drejtimin e z.Preç Zogaj, në datën 21 prill 2008 u zhvillua mbledhja e Komisionit për Politikën e Jashtme për shqyrtimin e projektligjeve:
1. Propozimin e Projektligjit Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare Për kontrollin dhe administrimin e ujërave të balasteve dhe sedimenteve të anijeve, 2004;
2. Propozimin e Projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për mbrojtjen e ndërsjelltë dhe shkëmbimin e informacionit të klasifikuar;
3. Propozimin e Projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave, si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë, dhe Bankës për zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e programit Punët e Komunitetit, Faza e Tretë.
Deputetët diskutuan dhe miratuan në unanimitet projektligjet.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 27 82 86). Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin vazhdon shqyrtimet mbi komunikimet elektronike Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 21 prill 2008, vazhdoi shqyrtimin e projektligjit Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë. Gjatë shqyrtimit të projektligjit, ishin të pranishëm në mbledhje specialistja e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Alketa Mukavelati, përfaqësuesit e ERT-së, Ilir Shehu dhe Rudolf Papa dhe përfaqësuesit e shoqatave të telekomunikacioneve. Deputetët diskutuan mbi propozimet e paraqitura nga ERT-ja për këtë projektligj . Në përfundim të diskutimeve, Komisioni vendosi ta vazhdojë shqyrtimin e projektligjit në mbledhjen e ditës së mërkurë, më 23 prill 2008, në mënyrë që t`u lihej kohë Ministrisë dhe shoqatave të telekomunikacioneve të njiheshin me këto propozime. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .