E Diel, 1 Nëntor 2026

16 tetori i sivjetshëm, si nevojë reflektimi



Ky 16 tetor, i cili përkoi me ditëlindjen e ish-diktatorit më famëkeq të rajonit ballkanik, ndoshta dhe më gjerë, solli në vëmendjen publike një dukuri që duhet konsideruar pozitive për një demokraci në zhvillim si kjo shqiptare.

Komunistët me në krye vejushën Nexhmie Hoxha dhe ish-anëtarë të tjerë të ish-Byrosë Politike, përkujtuan 100-vjetorin e diktatorit mbi varrin e tij. Ish-të përndjekurit politikë, sigurisht më të shumtë në numër se ish-persekutorët e tyre komunistë, demonstruan në qendër të kryeqytetit paqësisht, duke kërkuar dinjitet moral dhe politik për klasën e tyre shoqërore.

Një lexues i vëmendshëm i historisë dhe situatave të ndryshme politike pa dyshim që në këto dy grupe socio-politike të kundërta vëren se mosha mesatare e tyre, pra komunistëve dhe antikomunistëve, i përkiste kryesisht moshës së pensionit profesional, por jo domosdoshmërisht edhe atij politik.

Për ironi të rastit, portretet e komunistëve, me përjashtime të caktuara, tregonin më pak vite jete në rrudhat e balleve të tyre, ndërsa ato të ish-të përndjekurve politikë, nëpërmjet rrudhave në ballin e tyre shfaqnin vuajtjet e dhunshme të realizuara nga ish-persekutorët komunistë...

Kontrasti midis grupimeve të kundërta më 16 tetor 2008

Ndërsa grupi i komunistëve kërkonte të shfaqte krenari të shtirur dhe të paarsyeshme për lavdinë e diktatorit dhe sistemit të kaluar, ai i ish-të përndjekurve kërkonte drejtësi dhe dinjitet për vitet e humbura në qelitë e tmerrshme, ndoshta edhe për një fjalë goje...

Ndërsa njëra palë thoshte se kishin qenë fshatarë dhe se diktatori e sistemi komunist i kishte arsimuar dhe bërë qytetarë, pala tjetër deklaronte se kishin qenë të diplomuar, por ai regjim i kishte burgosur dhe nuk kishin mundur të ushtronin profesionin e tyre në shërbim të një shoqërie më të mirë.

Historia na mëson se pala e cila po përkujtonte paradoksalisht në varreza ditën e lindjes së 100-të të ish-diktatorit, ka humbur realisht pushtetin e saj të dhunshëm vetëm ditën kur statuja e diktatorit Enver Hoxha u përmbys po me dhunë dhe urrejtje në qendër të kryeqytetit nga një turmë shumë e madhe njerëzish të të gjitha kategorive shoqërore.

Në fakt, pak a shumë, kjo datë historike e shtetit shqiptar korrespondon me lirimin e ish-të përndjekurve politikë nga burgjet e tmerrshme të komunizmit; korrespondon me ardhjen e lirisë së fjalës, shprehjes dhe organizimeve politike në Shqipëri, ëndrra për të cilat shumë nga këta njerëz (ndoshta edhe anonimë për publikun) ishin futur nëpër burgje gjatë diktaturës.

Pjesëmarrja e jashtëzakonshme e njerëzve në mbështetje të lirisë dhe përmbysjes së diktaturës në po atë datë historike tregon se shumica e tyre vetëm nga frika (e thyer tashmë) nuk i kishin mbështetur ëndrrat dhe vullnetet politike të atyre që kishin qenë nëpër burgje politike.

Këtë nuk duhen ta harrojnë ish-komunistët, të cilët drejtuan atë sistem dhe përdorën ëndrrat e majta për barazi sociale dhe politike të pjesës dërmuese të komunistëve idealistë. Ata duhet absolutisht t’u kërkojnë të falur si ish-të përndjekurve politikë, ashtu edhe ish-komunistëve idealistë dhe jo të shfaqen krenarë!

Roli i shtetit demokratik për të ruajtur ekuilibrat e nevojshëm

Pavarësisht mendimit tim personal për secilin nga grupet përkatëse, më duhet të them se ata janë dhe do të mbeten antagonistë përgjithmonë me njëri-tjetrin, por kjo nuk duhet të paraqesë problem për demokracinë shqiptare.

Ata tashmë po bashkëjetojnë të distancuar dhe nën vëmendjen e publikut të gjerë, i cili ka përjetuar të dyja etapat dhe sistemet në një formë të ndryshme nga ajo e tyre. Këto dy grupime të kundërta duhet vetëm të ballafaqojnë qëndrimet publikisht që të tjerët të mësojnë më mirë historinë e kombit të tyre.

Një gjë e tillë mund të vlejë që e kaluara e zezë të mos përsëritet dhe që e ardhmja të jetë më e mirë dhe më demokratike. Besoj se ballafaqimi i qëndrimeve të të dyja grupeve vlen vetëm për këtë dukuri socio-politike të nevojshme të shoqërisë sonë në zhvillim.

Kjo mund të vlejë që edhe institucionet demokratike të shtetit të binden për të subvencionuar të dëmtuarit, të cilët vuajtën duke besuar në një jetë më demokratike të popullit të tyre.

Në fakt, ata kanë besuar në një sistem i cili edhe kundërshtarët nuk i ndëshkon kurrsesi për bindjet e tyre politike, megjithëse këta të fundit i dëshirojnë ithtarët e lirisë në burg, vetëm për bindje politike...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›