E Hënë, 2 Nëntor 2026

16 tonët e kimikateve nuk kanë dalë jashtë kontrollit as në ´97

13/01/2005  Asnjë pjesë e 16 tonëve lëndësh kimike që ka Shqipëria nuk ka dalë asnjëherë jashtë mbrojtjes së shtetit. Zyrtarët shqiptarë kanë bërë të ditur se tashmë është dhënë fondi prej 18.2 milionë dollarësh nga SHBA për eliminimin e kësaj sasie. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Besnik Bare, është shprehur se dhe në vitin 1997, nuk është lejuar që vendndodhja e lëndëve kimike të preket nga popullsia. Sipas Bares, sasia e lëndëve kimike është e njëjtë me atë që është marrë në dorëzim rreth 30 vjet më parë. Por për këtë ai ka dhënë vetëm garanci me të dhënat gojore të personave që i kanë marrë në dorëzim, pasi në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka një dokument që të saktësojë se nga kanë ardhur lëndët kimike. Bare ka hedhur poshtë dhe pretendimin se kontenieret më lëndët e rrezikshme luftarake kanë ardhur nga Kina. Sipas Bares, në kontenierë nuk ka asnjë gërmë ku shënohet prejardhje, apo që të aludojë se cili shtet i ka dhënë Shqipërisë, lëndët kimike ushtarake.

Garancia

Sipas zëvendësministrit, në ambientet ku janë vendosur lëndët kimike ushtarake, nuk ka rrezik ndotjeje. Bare konfirmoi se dy ditë më parë ka vëzhguar në terren situatën dhe ka konfirmuar se rreziku nga ndotja është dhe më i vogël se në laboratorët modernë. Ai ka hedhur poshtë se kontenierët janë të dëmtuar dhe rrezikon që lëndët të përhapen. Një deklaratë e tillë bie në kundërshtim me shkrimin e gazetës amerikane "Uashington Post", që shprehte rrezikun nga përhapja e lëndëve apo nga rreziku i rënies së lëndëve kimike në duart e terroristëve. Bare është shprehur se vendi ruhet me forca të konsiderueshme ushtarake. Në lidhje me mundësinë e prekjes së armëve në trazirat e vitit 1997, Bare tha se sasia është e paprekshme dhe këtë e konfirmojnë personat që janë gjallë. Sipas Bares, ata që e kanë marrë në dorëzim këtë sasi lëndësh kimike janë ende gjallë, por nuk e dinë se nga kanë ardhur këto lëndë kimike.

Eliminimi

Shkatërrimi i lëndëve kimike do të jetë me djegie dhe më pas me përpunimin përfundimtar. Gjithçka, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, do të jetë konform studimeve për respektimin e mjedisit. Zëvendësministri Bare, në konferencën e dhënë për shtypin, ka bërë të ditur se nuk është e vërtetë se për këto armë shteti nuk ka pasur dijeni. Por ato janë deklaruar, sipas konventës së shkatërrimit të armëve të zhdukjes në masë në vitin 2003. "Shqipëria është vendi i 6 që i ka deklaruar këto armë dhe ka kërkuar ndihmë për shkatërrimin e tyre, ndërsa ka ende vende që nuk i kanë bërë të ditura ato", tha Bare. Ai ka theksuar se duhet të kthejmë rajonin nga një fuçi baruti në një fuçi paqeje.

Ministria kërkon studime për ndikimin në mjedis

Ruka takon amerikanët për procedurat e asgjësimit

Ministri i Mjedisit, Et´hem Ruka, ka zhvilluar dje një takim me ekspertët amerikanë, ku janë diskutuar procedurat e eliminimit të mbetjeve të rrezikshme kimike në Shqipëri. Në një prononcim të dhënë për shtypin, Ruka theksoi se ka kërkuar prej ekspertëve amerikanë të vlerësojnë dëmet që mund të shkaktohen në ajër, në tokë apo në ujë. Takimi mes ministrit dhe ekspertëve të huaj ka zgjatur rreth 15 minuta dhe mësohet të jetë biseduar mbi mundësitë e eliminimit të lëndëve kimike. Ruka gjatë diskutimit është mbështetur dhe prej tre ekspertëve shqiptarë, të cilët kanë marrë në shqyrtim propozimet e amerikanëve. Gjithsesi, ministri i Mjedisit ka theksuar nevojën e garancisë për ruajtjen e ambientit. Sipas të dhënave paraprake, eliminimi i lëndëve të rrezikshme do të bëhet me djegie dhe pranë ambienteve ku ato janë. Ndërsa pritet që projekti për lëndët kimike ushtarake të shtrihet dhe më tej për mbetje të tjera të rrezikshme. Megjithatë mësohet se takimet mes Ministrisë së Mjedisit dhe ekspertëve që do të kujdesen për eliminimin e mbetjeve të rrezikshme do të vijojnë dhe në ditët në vazhdim. Kjo për vetë faktin se pritet instalimi i mjeteve që do të bëjnë procesin e eliminimit të mbetjeve. Burimet në Ministrinë e Mjedisit thanë se pas djegies, mbetjet do të përpunohen deri në eliminimin e plotë të rrezikut për ndotjen e mjedisit. Ndaj dhe ekspertët kanë dhënë mendim pozitiv mbi projektet e paraqitura së fundi.

Shehi: Nuk ka zona të tjera me lëndë kimike

Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Dashmir Shehi, lidhur me çështjen e mbetjeve të rrezikshme kimike dhe elimiminin e tyre, ka garantuar dhe mbështetjen e komisionit që përfaqëson me anë të "ndryshimeve legjislative". Pas ndihmës, që SHBA-ja ka dhënë me fonde në eliminimin e lëndëve kimike, për Shehin ky proces është "realitivish i vonuar", ndërkohë që ka përshëndetur ndihmën e amerikanëve për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu, Shehi ka siguruar se "këto mbetje nuk përbëjnë ndonjë rrezik për popullsinë". Sipas tij, "në Shqipëri është vetëm një zonë e vetme me mbetje të tilla. Është një tunel në afërsi të Tiranës, por që nuk përbën rrezik për banorët". Në këtë mënyrë, kryetari i Komisionit të Mbrojtjes ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri mund të ketë dhe baza të tjera me lëndë kimike apo me armë të shkatërrimit në masë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›