E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS dhe PD arrijnë konsensusin e parë për zonat zgjedhore

13/01/2005  Grupi i posaçëm ka filluar dje punën për ndarjen e re elektorale, që do të miratohet në shkurt të këtij viti. Dje, në selinë e OSBE-së, u thirrën për të diskutuar lidhur me këtë çështje, deputetët Elmaz Sherifi, Ylli Bufi dhe Jemin Gjana, si dhe sekretari për çështjet juridike në PD, Ilir Rusmali. Sipas Gjanës, gjatë mbledhjes së djeshme u diskutua rreth kritereve dhe specifikës së mesatares së zgjedhësve. Ky përcaktim do të shërbejë për hartimin e ndarjes së re zonale. Por, sipas tij, gjatë diskutimeve ka pasur dhe pika për të cilat nuk është rënë dakord. "Për disa nga pikat është rënë dakord, ndërsa për disa të tjera jo. Debati është kaq i gjerë dhe i gjatë saqë nuk mendoj se ia vlen të diskutojmë", tha Gjana. Fillimin e punës për ndarjen e re zonale e konfirmon edhe deputeti socialist, Elmaz Sherifi. Sipas tij, grupin e punës do ta drejtojë një ekspert anglez, ndërsa në përbërje të tij do të jenë edhe dy ekspertë të tjerë, të thirrur nga OSBE-ja, njëri francez dhe tjetri estonez. Si përfaqësues politikë në grupin e ekspertëve do të jenë Elmaz Sherifi, Ylli Bufi, Jemin Gjana dhe Ilir Rusmali. "Mendoj që nuk ka më shkak për të paragjykuar dhe për të patur pretendime lidhur me këtë çështje", tha Bufi. Harta elektorale e mëparshme nuk arriti të miratohej nga parlamenti, pasi nuk u ra dakord mbi mënyrën se si do të kryhej shpërndarja e zgjedhësve. Opozita kërkonte që ndarja të bëhej në bazë të numrit të pjesëmarrësve në votime në zgjedhjet e fundit, ndërsa socialistët kërkonin që kjo ndarje të bëhej në bazë të listave të zgjedhësve. Rrëzimi i hartës elektorale në parlament rrezikoi miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe u desh ndërhyrja e OSBE-së që dy partitë e mëdha të gjenin gjuhën e përbashkët për miratimin e kodit në fillim të janarit dhe më pas në shkurt u përcaktua afati i miratimin të hartës së re zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›