E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kongresi i PS shtyhet në mesin e prillit

12/01/2005  Kongresi i Partisë Socialiste rrezikon të shtyhet për në mesin e muajit prill. Në një konferencë për shtypin, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh se mosmiratimi në kohë i ndarjes së re zonale sjellë probleme në miratimin e kandidatëve për deputet, ndaj dhe Kongresi i parashikuar mund të mos zhvillohet më 29 janar. Ndërsa në lidhje me ndryshimet në Qeveri, Ruçi tha se Nano, pasi të përfundojnë analizat e ministrive, do të vendosë për lëvizjen e anëtarëve të Qeverisë. Por në rast se detyrimet e ministrave do të jenë plotësuar, Ruçi tha se mund të mos ketë ndryshime në Kabinetin e Nanos. Këtë deklaratë sekretari i PS-së e ka bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në muajin dhjetor mes aleatëve të "Koalicionit për Integrim".

Kongresi

Sipas Ruçit, vonesat në ndarjen e re zonale sjellin dhe mangësitë në bisedimet mes aleatësh për kandidatët për deputetë. Ndaj, sipas tij, Kongresi i PS-së nuk do të mbahet në muajin janar, kjo për shkak se ndarja zonale pritet të miratohet në mesin e muajit shkurt. "E reja është vonesa e krijuar nga institucioni i parlamentit, sepse brenda muajit dhjetor nuk u bë e mundur miratimi i Kodit Elektoral, nuk u bë e mundur ndarja e zonave elektorale. Sigurisht këto krijojnë vonesa edhe në përcaktimin e objektivave dhe objeksioneve apo tematikave të kohës që kanë lënë strukturat politike të partive të tjera. Pra, nuk mund të bëhet ratifikimi i kandidaturave kur nuk kemi zonat, është një pengesë", tha Ruçi. "Kështu që ngelet për t'u vlerësuar nga Kryesisa e partisë dhe KPD-së, nëse është koha për zhvillimin e kongresit në janar", tha Ruçi.

Qeveria

Lidhur me ndryshimet në Qeveri, Ruçi tha se PS është parti në pushtet dhe jo parti shtet. Sipas tij, në këtë të fundit, Kryesia apo KPD vendosë dhe gjykon nëse do të ketë ose jo ndryshime në qeveri. "Sigurisht, i mandatuari ynë, Nano, ka të gjitha atributet e veta politike nga PS, si dhe institucionale nga Kushtetuta, ashtu sikurse ai e ka bërë të qartë që, në përfundim të vitit kalendarik qeverisës 2004 janë duke përfunduar analizat e tyre dikasteret dhe të gjitha strukturat e qeverisë në përgjithësi. Sipas kompetencave dhe detyrimeve institucionale që ai ka, e ka bërë të qartë se, “nëse nga këto analiza do të rezultojë për të bërë ndonjë korrigjim të mundshëm, sigurisht që ai nuk do të hezitojë që ta bëjë atë. Por, nëse nga këto analiza nuk do të rezultojë kjo sa thashë më lart, sigurisht që nuk do ta bëjë atë, por do të përmbushë mandatin qeverisës në këtë kabinet deri në zgjedhjet e ardhshme", tha Ruçi. Megjithatë, ai shtoi se kjo ngelet për t'u verifikuar dhe për t'u bërë publike nga institucioni i Kryeministrit vetëm pas përfundimit të analizave.

Ruçi: Nano do kandidojë në zonën time

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, ka pranuar kandidimin e kreut të PS-së në zonën e tij elektorale, ndërsa është shprehur se ende nuk ka vendosur për zonën ku do të votohet. "Është e vërtetë që ka një mirëkuptim të plotë që Nano të kandidojë në Sarandë. Se ku do të kandidojë unë, është pika e fundit që mendoj. Aktualisht, vëmendja ime është të kemi gjithë infrastrukturën e zgjedhjeve, të kemi të gjitha masat politike dhe organizative të PS-së për zgjedhjet, të 99 kandidatët e PS-së të jenë fitues dhe në fund do mendojë për veten", tha dje Ruçi. Spas tij, në përzgjedhjet e kandidatëve nuk do të jetë kriter bazë të qenurit anëtar i partisë. "Sigurisht, që nuk do të ketë kufizime të natyrës që kandidati për deputet duhet detyrimisht të jetë anëtar partie, apo të ketë kaq vjet në forumet e partisë, apo të tjerë elementë të kësaj natyre. Ka të tjera vlera dhe cilësi siç janë arsimi i lartë, të gëzojë reputacion në fusha dhe sektorë të caktuar politikë dhe shoqërore, të mund të grumbullojë votat e elektoratit të PS-së si dhe kanë dhënë kontributet e tyre për alternativën e majtë", theksoi dje sekretari i Përgjitshëm i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›