Meta: Berisha dhe Nano bashkëpunojnë për tenderat
13/01/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Intergim, Ilir Meta, ka sulmuar dje kreun e Partisë Socialiste, Fatos Nanon dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si bashkëpunëtorë në shpërdorimet publike. Në një takim me banorë të njësisë numër dy, në kryeqytet, kreu i LSI-së tha se "atje ku ka keqadministrim në sektorët publikë, ku zhvillohen më shumë tendera dhe prokurime, ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer Nano-Berisha". Gjithashtu, Meta ka kujtuar sërish privatizimin e hotel "Tirana Intenacional" duke theksuar se "Berisha nuk tha asnjë fjalë për privatizimin që i bëri hotel Tiranës ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli". Sipas Metës, "njerëzit që sponsorizojnë PD-në po futen në kontakt me privatizimet e qeverisë Nano-Naçi. Ky është morali antikorrupsion edhe i Sali Berishës, sikurse e patë se cili ishte edhe morali i tij për zgjedhjet e lira". Meta ka akuzuar dy partitë e mëdha për manipulim të procesit zgjedhor. "Tjetër gjë tha doktor Saliu për pjesëmarrjen e LSI-së dhe LZHK-së në komisionet e numërimit të votave në seancën para se të miratohej kodi, kur nuk ishin marrë vesh për ndarjen e zonave, dhe tjetër veproi, pasi bënë kulisat Ruçi-Topi me bekimin e kryetarëve, ku mungoi fare në seancë. Ne nuk mund të harojmë se si Sali Berisha ishte autori i parë që shkatërroi procesin zgjedhor në Shqipëri, në maj të vitit 1996, dhe për këtë ai ende nuk ka kërkuar falje". Në deklaratat e Metës ka gjetur vend dhe përbërja e strukturës më të re të PD-së, KOP-i. Sipas tij, mes PD-së dhe PS-së nuk ekziston asnjë lloj lufte parimore. "Mjafton të shikojmë dhe lëvizjet e fundit, të cilat tregojnë qartë se persona që deklarojnë se kanë qenë të majtë gjatë qeverisjes socialiste bashkohen tani me stafin e zotit Berisha", tha Meta.