E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rusmali: Celibashi të japë dorëheqjen

13/01/2005  Partia Demokratike ka kërkuar dje, me anë të sekretarit për Çështjet Juridike, Ilir Rusmali, dorëheqjen e kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Reagimi i demokratëve ka ardhur një ditë pas deklaratës së kreut të KQZ-së, ku shprehej se Kodi i ri Zgjedhor, i miratuar para pak ditësh në parlament, është i pamundur për t'u zbatuar, pasi ka kosto të lartë financiare dhe disa pika të errëta. "Një gjë është e qartë, që kreu i KQZ nuk mund të pretendojë që të mos realizojë detyrën për të cilën është atje", tha Rusmali. Sipas demokratëve, deklaratat e Celibashit janë të pajustifikuara, pasi institucioni që ai drejton nuk ka pse mban përgjegjësi për kostot financiare të zgjedhjeve, pasi ato përballohen nga Buxheti i Shtetit. "Të gjitha justifikimet e Celibashit janë dukshëm pseudojustifikime, qoftë ato që lidhen me koston financiare të zgjedhjeve në Shqipëri, e cila nuk mund të jetë kurrësesi shqetësim i KQZ, por është shqetësim i Buxhetit të Shtetit", tha Rusmali. Nga ana tjetër, sipas sekretarit demokrat, amendamentet e kodit të ri zgjedhor në raport me ato të mëparshmin ulin në mënyrë të ndjeshme koston financiare të zgjedhjeve. "Ka vetëm një konsekuencë nga ky deklarim, kreu i KQZ-së duhet të largohet nga detyra, të japë dorëheqjen dhe t'ia lërë vendin njerëzve të cilët janë të aftë të realizojnë dhe të zbatojnë ligjet e këtij vendi", tha Rusmali. Demokratët i cilësojnë deklaratat e kreut të KQZ-së si paralajmërim për dhunimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe i kërkojnë parlamentit të mbajë qëndrim ndaj kryetarit të KQZ-së. "PD e konsideron shumë shqetësuese këtë deklaratë. Sigurisht që do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme, por paralajmëron opinionin publik se njeriu që është kryesor për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri është duke deklaruar largimin e tij shpirtëror dhe material nga detyra, për të cilën është ngarkuar. Parlamenti duhet të mbajë qëndrim nëse personi vetë nuk ndjen konsekuencat nga kjo punë", tha Rusmali.

Përgjigjja

Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, nuk ka pranuar të prononcohet mbi deklaratat e Rusmalit. Megjithatë burime në KQZ, shprehen për "Metropol" se ky institucion do të japë sqarime të mëtejshme mbi deklaratat e dy ditëve më parë të kryetarit Celibashi. Ky i fundit, dy ditë më parë, tha se Kodi i ri Zgjedhor është i pazbatueshëm për një sërë faktorësh, ku ndër të tjera përmendet dhe kostoja financiare tepër e lartë e zgjedhjeve pas ndryshimit të amendamenteve. Gjithashtu, sot pritet përgjigjja e kryetarit të KQZ-së rreth kërkesës për dorëheqje të bërë nga Partia Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›