E Diel, 1 Nëntor 2026

17 korrik 2008 - Kuvendi dëgjon raportin e Prokurores së Përgjithshme

  Nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi u mblodh në seancë pleanre ditën e enjte, më 17 korrik 2008, ora 10:00 dhe procedoi me këtë rend dite:   1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 14.07.2008.
3. Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit  ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e rrugëve dytësore dhe vendore.
4. Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Franceze, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë së brendshme.
5. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin Përballimi dhe zbutja e rrezikut nga fatkeqësitë.
6. Projektligji Për disa ndryshime në ligjin nr. 8488, datë 13.5.1999, Për mbrojtjen e topografisë së qarqeve të integruara.
7. Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, Për sistemin e taksave vendore.
8. Akt - normativ Për një ndryshim në ligjin nr. 9025, datë 13.3.2003, Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr.1, datë 9.3.2003, të Këshillit të Ministrave Për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit.
9. Projektligji Për të huajt.
10. Projektligji Për barazinë gjinore në shoqëri.
11. Raportim i Prokurorit të Përgjithshëm Mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për  vitin 2007.   Gjatë diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës, deputetët folën për domosdoshmërinë e përkujtimit të intelektualëve dhe njerëzve të artit, të vrarë gjatë periudhës së diktaturës, privatizimin e sektorit të naftës, reformat në ushtri, protestat e minatorëve, sfidat, me të cilat përballet Shqipëria në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, etj.   Në vijim, deputetët morën në shqyrtim projektligjet e parashikuara në rendin e ditës. Diskutimet u përqendruan në projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, Për sistemin e taksave vendore.   Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Ministri i Financave, Ridvan Bode shpjegoi taksat që priten të ndryshojnë dhe nënvizoi se synimi i këtij ndryshimi është të rrisë realizimin e të ardhurave nga mbledhja e taksave.
Projektligji parashikon shndërrimin e taksës për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit nga taksë nacionale në taksë vendore, pa ndryshuar nivelet e saj; bashkimin e taksës të regjistrimit të mjeteve me taksën vjetore të qarkullimit, pas datës 1 janar 2009; rritjen e nivelit të taksës për ndërtesat, për tokën bujqësore dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; shtimin e një takse të re për truallin urban.   Opozita, nga ana e saj, nënvizoi se duhet të bëhet një diferencim i taksave, pasi ka një polarizim të shoqërisë në aspektin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Sipas përfaqësuesve të opozitës, ata që ngarkohen me barrë fiskale janë qytetarët dhe jo bizneset. "Me rritjen e taksave do rritet edhe numri i atyre që nuk i paguajnë detyrimet," theksuan deputetët e opozitës.   Pas diskutimeve, Ministri Bode, deklaroi tërheqjen e draftit të paraqitur dhe propozoi kalimin e tij në Komisionin për Ekonominë dhe Financat deri në arritjen e konsensusit.
Sipas z. Bode, rritja e këtyre taksave nuk i shërben Qeverisë, pasi është tashmë e njohur politika e Qeverisë pro uljes së barrës fiskale.
"Rritja e këtyre taksave bëhet për t'i dhënë vlerë pasurive kombëtare pasi deri më tani këto taksa kanë qenë në nivele qesharake dhe aspak ekonomike, si dhe për t'i dhënë kuptim nivelit të taksave lokale," tha Ministri Bode.   Më tej, Kuvendi mori në shqyrtim dhe diskutoi edhe për Aktin - normativ Për një ndryshim në ligjin nr. 9025, datë 13.3.2003, Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr.1, datë 9.3.2003, të Këshillit të Ministrave Për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit, si dhe për projektligjin Për të huajt e projektligjin Për barazinë gjinore në shoqëri.
Deputetët miratuan me shumicë votash projektligjet e parashikuara në rendin e ditës.   Punimet e seancës vijuan me raportimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama "Mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2007".
Ndër të tjera, zonja Rama vuri në dukje se viti 2007, krahasuar me vitet paraardhës, ka shënuar progres në ushtrimin e angazhimit kushtetues të institucionit të akuzës, si dhe në rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe veprave penale të lidhura me to.
Pavarësisht nga shifrat, vuri në dukje Kryeprokurorja Rama, mbetet shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të punës së Prokurorisë së Përgjithshme.
Zonja Rama bëri një paraqitje të shkurtër të shifrave në lidhje me veprat penale të ndjekura nga Prokuroria, procedimeve të përfunduara dhe çështjeve të pushuara.
Sipas zonjës Rama vërehet një tendencë në rritje për ndjekjen deri në fund të procedimeve penale nga ana e organit të akuzës.   Në përfundim të raportimit deputetët bënë pyetje dhe diskutuan në lidhje me raportin e paraqitur nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e hënë, më 21 korrik 2008, ora 17:00.   Sektori i Marrëdhënieve me Mediat  i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›