E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre gjyqtarët e Vlorës padisin KLD-në në Gjykatën e Lartë

Gjinovefa Gaba, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi nisin betejën gjyqësore me KLD-në. Kolegjet e Bashkuara do të shprehen më 26 mars për tri paditë e ish-gjyqtarëve
Laureta Rryçi
Tre gjyqtarët e Vlorës padisin Këshillin e Lartë të Drejtësisë në Gjykatën e Lartë. Ish-kryetarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Gjinofeva Gaba, si dhe dy gjyqtarët e shkarkuar pas saj, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, kanë depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë padinë për të shfuqizuar vendimin e KLD-së. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje për gazetën “Albania” se padia tashmë i ka kaluar fazat fillestare, pasi është përcaktuar dhe data e gjykimit. Kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë gjykuar që tri paditë e gjyqtarëve t’i gjykojnë brenda datës së 26 marsit duke filluar fillimisht me Gjinofeva Gabën dhe më pas me Vasil Hanxharin e Sokol Ngresin. Për këtë vit, këto janë tri paditë e para që Gjykatës së Lartë i duhet të shprehet për një vendim të marrë nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po kështu, këta tre gjyqtarë janë të parët që janë ndëshkuar nga KLD-ja gjatë mbledhjeve që janë zhvilluar nga janari deri në këto ditë. Megjithatë, lista e gjyqtarëve të ndëshkuar për këtë vit pritet të jetë shumë herë më e madhe pasi si ministri Alibeaj ashtu edhe KLD-ja janë shprehur se do të merren masa të ashpra ndaj gjyqtarëve që abuzojnë me titullin që kanë.
Padia
Gjykatës së Lartë pas disa ditësh i duhet të shprehet në lidhje me vendimet më të fundit të KLD-së. Tre gjyqtarët e Vlorës nuk kanë qenë dakord me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për largimin e tyre nga Gjyqësori pas gjithë këtyre viteve eksperiencë. Duke respektuar dhe ligjet në fuqi, ata i janë drejtuar menjëherë Gjykatës së Lartë si të vetmen gjykatë që ua lejon Kushtetuta për t’u ankuar për vendimin që është marrë ndaj tyre. Vendimi i Gjykatës së Lartë do të përcaktojë edhe nëse KLD-ja ka vepruar drejt që ka lënë në fuqi propozimet për masa ndëshkuese të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Shkarkimet
Ministri i Drejtësisë nga janari e deri sot i ka propozuar KLD-së vetëm tre emra gjyqtarësh për masa ndëshkuese. Të tre gjyqtarët i përkisnin Gjykatës së Vlorës dhe njëri prej tyre ishte edhe kryetar i kësaj gjykate prej disa kohësh. Të trija masat që ministri Enkelejd Alibeaj propozoi për secilin u pranuan nga ana e anëtarëve të këshillit duke votuar pro përjashtimit të tyre nga radhët e Gjyqësorit.

NR NR. AKTI
RRETHI
PALËT NDËRGJYQËSE ORA
1 2 VLORË GJINOVEFA GABA - K.L.D 09.00
2 3 VLORË VASIL HANXHARI - K.L.D 11.00
3 4 VLORË SOKOL NGRESI - K.L.D 12.00

Vendimet e KLD-së

Për Gabën...

“Shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtares dhe kryetares së Gjykatës së Apelit Vlorë, Gjinovefa Gaba dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga ministri i Drejtësisë kjo gjyqtare të shkarkohet nga detyra”.

Për Hanxharin....
“Shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë Vasil Hanxhari dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga ministri i Drejtësisë ky gjyqtar të shkarkohet nga detyra”.

Për Ngresin....
“Shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë Sokol Ngresi dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga ministri i Drejtësisë ky gjyqtar të shkarkohet nga detyra”.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›