E Shtunë, 31 Tetor 2026

17-vjeçari vdes në kabinën elektrike

Shkon të marrë një tel në kabinën elektrike, por gjen vdekjen i karbonizuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Tren të zonës së Devollit. Viktimë e rrymës elektrike ka qenë 17-vjeçari Xhulio Kape. Ai ka qenë duke punuar në arë me babanë e tij, kur para se të mbyllnin punën, ai i ka thënë të atit se do të shkonte të merrte disa tela. I mituri ka kërkuar në zonën në afërsi ku gjendej edhe një kabinë elektrike që furnizonte fshatin me energji. Ai ka tentuar të hyjë në kabinë nëpërmjet një vrime në pjesën e pasme të saj, por ndërsa ka prekur telat në brendësi të kabinës, ka mbetur i vdekur në vend dhe i karbonizuar nga korrenti. Pak minuta më vonë, babai i tij, Qaniu, i cili ka pritur që djali 17-vjeçar të kthehej në arë, ka nisur ta kërkojë dhe e ka gjetur të pajetë në kabinën elektrike. Babai ka tentuar t‘i japë ndihmë, por nuk ka mundur të bëjë asgjë, pasi i biri ishte ngjitur pas telave. Menjëherë janë njoftuar punonjësit e KESH-it në zonë, që kanë bërë ndërprerjen e energjisë elektrike për disa minuta. Ndërsa fshati ka mbetur pa energji elektrike, punonjësit e KESH-it, policët dhe grupi hetimor kanë parë si zgjidhje heqjen e derës së kabinës për të hyrë brenda për kryerjen e veprimeve të para dhe nxjerrjen e trupit të pajetë. 17-vjeçari është gjetur disa metra lart nga toka, i varur në tela dhe i karbonizuar. Sipas policisë, nuk përjashtohet mundësia që adoleshenti të ketë hyrë në kabinë për të vjedhur telat dhe pajisjet e tjera prej bakri.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›