E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërohet në komisariat drejtori i spitalit

Spitali i qytetit të Librazhdit është bërë skenë e një sherri të pashembullt më parë. Bluzat e bardha, që për shkak të profesionit të tyre kishin parë situata të vështira nga më të ndryshmet, nuk do ta kishin menduar më parë se shkaktar i përplasjeve fizike mund të bëhej edhe drejtori i spitalit të tyre. Policia e ka shoqëruar dje në Komisariatin e Librazhdit drejtorin e spitalit të këtij qyteti, Agron Gega. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, shoqërimi është bërë për shkak se ai ka dhunuar një mjek, si dhe ka fyer pjesën tjetër të personelit të spitalit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së shtunës, në mjediset e brendshme të spitalit të Librazhdit, dhe protagonistë kanë qenë kreu i këtij spitali, kirurgu Avni Marta dhe një pjesë e personelit mjeksor. Sipas burimeve të policisë lokale, drejtori Gega ka qenë në gjendje të dehur dhe ka dhunuar fizikisht mjekun kirurg, Avni Marta. Më pas ai ka sharë me fjalor banal ekipin mjekësor të turnit të dytë të këtij spitali. Mësohet se njëra nga infermieret është detyruar të lajmërojë policinë, e cila, pas ndërhyrjes së shpejtë, ka parandaluar degjenerimin e mëtejshëm të ngjarjes së shëmtuar.

Burime të policisë kanë bërë të ditur se për 12 orë rresht kreu i spitalit është shoqëruar në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së këtij qyteti. Pasi është qetësuar disi gjendja e tij, ai është lënë për t‘u ndjekur penalisht në gjendje të lirë. Ndërkohë, mjekë e infermierë, të fyer nga drejtori Gega, dje në mëngjes i kanë dërguara një peticion ministrit të Shëndetësisë, Ndoka, të cilit i kërkojnë kolektivisht shkarkimin e drejtuesit të tyre. Ndërsa, kirurgu Marta, i rrahur nga kolegu i tij drejtor, ka bërë kallzim në policinë e këtij rrethi për dhunimin e pësuar. Sipas uniformave blu, ngjarja kishte motive banale dhe aq më tepër ishte e stimuluar nga dozat e larta të alkoolit të kreut të spitalit. Prokuroria ka nisur çështjen penale në gjendje të lirë ndaj drejtorit të spitalit të Librazhdit, ndërkohë që për sqarimin e plotë të ngjarjes po merren në pyetje kirurgu i rrahur nga drejtori, si dhe pjesa e personelit e fyer prej tij.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›