E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët: Mediu na injoroi

Krerët e lartë të ushtrisë shqiptare kanë mohuar në mënyrë kategorike përgjegjësinë për tragjedinë e Gërdecit, duke ia adresuar "fajin" Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo, pasi me një urdhër të lëshuar nga ministri, Forcat e Armatosura nuk kishin kompetencë mbikëqyrjeje në "fabrikën e vdekjes". Ruajtja, siguria e armatimeve dhe punonjësve që punonin në Gërdec ishte ekskluzivitet i kompanisë MEICO. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se krerët e ushtrisë, duke filluar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha dhe nga shefi i Komandës Ushtarake, Shpëtim Spahiu, kanë deklaruar se nuk kishin asnjë kompetencë për monitorimin e procesit të demontimit. Dëshmitë e regjistruara në procesverbalet e prokurorëve ushtarakë po ballafaqohen me dëshmitë e drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët deklaruan se ishte kompania MEICO që ishte përgjegjëse për sigurinë në fabrikë.

MEICO përgjegjëse

Kompania shtetërore e shitblerjeve të armëve, MEICO, duket se është përgjegjësja kryesore që solli tragjedinë në Gërdec. Qindra dëshmi të regjistruara në organin e akuzës bëjnë fajtore kompaninë e drejtuar nga Ylli Pinari, e cila kishte përgjegjësi të kryente çdo lloj kontrolli apo ruajtje të sigurisë për armatimet dhe punëtorët që gjendeshin në fabrikë. Nga hetimet paraprake, duke u bazuar edhe në dokumentet e servirura, rezulton se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka pasur vetëm të drejtën e lëvizjes dhe transportimit të municioneve për llogari të MEICO-s. Prokurorët ushtarakë mësohet se kanë sekuestruar procesverbalet e mbajtura nga ushtarakët për të gjitha këto lëvizje të municioneve në drejtim të fshatit Gërdec, ku për sasinë e tyre është lajmëruar me shkrim ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Trafiku i armëve!?

Dyshimi i hedhur në media për trafik të mundshëm municionesh nëpërmjet fabrikës së demontimit dhe paketimit të armëve në Gërdec ka vënë në lëvizje një grup hetuesish, të cilët kanë mbledhur dokumente, dëshmi, filmime të publikuara. Krahas provave të tilla, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar dhjetëra dosje në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat hedhin dritë mbi rrugën zyrtare që ka ndjekur ministria për këtë fenomen. Hetuesit e çështjes saktësojnë se përtej anës zyrtare, po mundohen të marrin prova në mënyrë operative, duke futur në mes edhe Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH). Detyra e kësaj strukture është të mbledhë informacione nëse nga fabrika në Gërdec trafikoheshin ilegalisht municione apo jo. Një dyshim i ngritur nga grupi hetimor është se mbetjet e armëve gjatë trazirave të vitit 1997 janë dërguar në "fabrikën e vdekjes", duke mos u futur në procesverbale, të cilat më pas trafikoheshin për në vendet aziatike, kryesisht në Afganistan. Grupi hetimor tha se dyshimi mund të verifikohet nga punëtorët dhe drejtuesit e firmave që punonin në Gërdec.

Tragjedia, Ministria e Mbrojtjes "kundër" Forcave të Armatosura

Raportet midis Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë acaruar pas dëshmive respektive në prokurori. Dëshmitë e shënuara në procesverbalet e grupit hetimor janë kontradiktore. Drejtuesit e Forcave të Armatosura pohojnë se janë "injoruar" për demontimin e armëve në Gërdec, ndërsa nga ana tjetër Ministria e Mbrojtjes thotë se përgjegjëse për sigurinë e armatimeve në "fabrikën e vdekjes" janë Forcat e Armatosura. Enkelejda Malaj, këshilltare e ministrit të Mbrojtjes, në një deklaratë për mediat tha se "ministri i Mbrojtjes ka bashkëpunuar ngushtë me organet ligjore të investigimit dhe mbetet i gatshëm për të bashkëpunuar deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës". Këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes hodhi poshtë pretendimet e ushtarakëve, sipas të cilëve "Ministria e Mbrojtjes ka shmangur autoritetet ushtarake nga vendimmarrja për demontimin e fishekëve për kontratën e parë, e cila ka filluar në muajin qershor 2007 dhe ka përfunduar pa asnjë incident dhe problem në fund të tetorit 2007". Malaj sqaroi se "menjëherë pas ngjarjes së Gërdecit, Ministri i Mbrojtjes mori të gjitha masat për vlerësimin dhe analizimin administrativ të rrethanave të kësaj ngjarjeje". Sipas saj, në konsultim me autoritetet civile dhe ushtarake rezultoi se kompania "Southern Ammunition" ka paraqitur dokumentacionin e saj të plotë ligjor për fillimin e një procesi demontimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka prezantuar përpara autoriteteve ushtarake dhe civile në mënyrë filmike teknologjinë që zotëronte për këtë proces. "Me marrjen e propozimit nga ana e kompanisë ‘Southern Ammunition‘, ministri u është adresuar për mendim, sipas procedurave, autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile, duke vënë shënimin për respektim të ligjit dhe negocimin e problemeve me kompaninë", tha këshilltarja, sipas së cilës, pas shqyrtimit, autoritetet ushtarake kanë përjashtuar me shkrim Bërzhitën dhe kanë propozuar që "qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve". "Ministri i Mbrojtjes, bazuar në këtë rekomandim, u ka lënë detyrë autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile të veprojnë konform rregullave, interesit dhe planit të demontimit. Në vijim të kësaj, Autoriteti Ushtarak i ka kërkuar drejtorisë përkatëse në Shtabin e Përgjithshëm të ndjekë problematikën në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Pas rekomandimit të autoritetit ushtarak, që vendi të përcaktohet me negociata ndërmjet palëve, palët kanë informuar sektorët përgjegjës të ministrisë se kanë rënë dakord për çmontimin e fishekëve në Gërdec. Duke marrë pëlqimin paraprak të të gjitha autoriteteve civile dhe ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, duke ndjekur ekspertizën ligjore të Drejtorisë Juridike, u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 138, datë 14.03.07. Në përputhje të plotë me këtë vendim është përgatitur urdhri nr. 550, dt. 25.04.07, ku janë përcaktuar detyrimet e autoriteteve ushtarake për zhvillimin e procesit në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie. Madje është cilësuar shprehimisht që kushtet e sigurisë të bëhen sipas rregullave të depove të municionit, çka identifikon qartë detyrimet e këtyre autoriteteve për të zbatuar rregullat përkatëse", tha Enkelejda Malaj, këshilltarja e Ministrit të Mbrojtjes. Sipas saj, në pikën 7 të këtij urdhri, ngarkohen për zbatimin e tij Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandat e Forcave, ndërsa në dijeninë e ministrit të Mbrojtjes nuk ka pasur asnjë reklamim ndaj këtij urdhri, as për incidente e as për shkelje të rregullave të sigurisë. Këshilltarja e ministrit pohoi se pak kohë pas fillimit të këtij projekti, autoritetet më të larta ushtarake kanë kryer një vizitë në zonën e Gërdecit dhe kanë vlerësuar se demontimi i fishekëve po kryhej në kushte teknologjie dhe sigurie të lartë. Sipas saj, kontrata e parë për demontimin e fishekëve ka përfunduar në fund të muajit tetor 2007. "Ajo që shkaktoi tragjedinë është një kontratë e dytë, për të cilën ekziston në Ministrinë e Mbrojtjes dokumentacioni i plotë, e që gjithashtu, me transparencën maksimale, u është vënë në dispozicion autoriteteve kompetente, në respektim të të gjitha procedurave ligjore dhe administrative", tha Malaj.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›