E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, evidentohen 375 objekte të dëmtuara

Nga rreth 4 mijë objekte të dëmtuara nga tragjedia e Gërdecit, 375 prej tyre u përkasin sektorit të biznesit. Shifra është konstatuar nga shtabi i emergjencës civile, i cili ka punuar gjatë gjithë javës që shkoi për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së municioneve ushtarake në Gërdec të Vorës. Edhe pse të pakta në numër në krahasim me objektet e banimit, subjektet private të dëmtuara paraqesin shqetësim më vete për qeverinë, konkretisht për Ministrinë e Financave. Lidhur me këtë pikë, ministria ka deklaruar hapur se do të marrë parasysh ato subjekte private që nuk kanë të siguruar pronën e tyre, duke iu ofruar një sërë lehtësish fiskale, përveç riparimit të dëmit. Ndërsa bizneset e siguruara do të përballen me procesin e vlerësimit të dëmit nga ana e agjencive të sigurimit, për të dalë më tej me një faturë financiare kompensimi. Këta të fundit janë shprehur të parat për sa u përket dëmeve, se shuma e faturës vlerësohet deri në 2,3 milionë dollarë. Megjithatë, ky është vlerësim paraprak, pasi në zonën ku ndodhi tragjedia (kryqëzimi Titanë-Rinas-Durrës)janë të stacionuar pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›