Proko: Vlerësimi i dëmit, si po veprohet
Procedura e vlerësimit të dëmit është e përcaktuar qartë në vendimin e Këshillit të Ministrave, sipas të cilës askush nuk mund të përfitojë më shumë ose më pak. I ndarë në dy hallka, procesi i vlerësimit të dëmit material, e më pas financiar, duhet të kishte përfunduar ditën e djeshme, por volumi i punës dhe rikthimi mbrapsht për verifikim të dhjetëra dosjeve, ka penguar finalizimin brenda afatit të kërkuar nga Kryeministri Berisha. Kreu i Entit Kombëtar të Banesave (EKB), Ilirjan Proko, deklaroi për gazetën "Shqip" se, "është duke u punuar në dhjetë grupe pune, të cilat hedhin të dhënat me preventivat në kompjuter, duke i ruajtur në data-baze. Pasi janë listuar dëmet materiale, vijon hapi i dytë, që është vlerësimi financiar i tyre". Proko siguron se, çdo veprim për vlerësimin e dëmit është bërë në bazë të një përllogaritjeje të saktë, duke iu referuar listës së materialeve të dëmtuara, të paraqitura nga kryefamiljarët, e të verifikuara nga grupet e punës në terren. Çdo dosje është në tri kopje që disponohet nga qarku, ALUIZNI dhe EKB-ja. Në këtë mënyrë, mund të shmangen gabimet e mundshme në vlerësimin e dëmit. Për sa i përket mënyrës së vlerësimit, do të përdoret lista me çmimet e referencës që administrata tatimore ka lëshuar për grupin e punës. Kreu i Entit Kombëtar të Banesave u shpreh se ka pasur probleme në disa prej dosjeve të paraqitura nga grupet e punës në terren, të cilat u rikthyen për rishqyrtim. Proko u shpreh se, përveç numrit të 3700 dosjeve të përpunuara, në pritje janë dhe rreth 200 dosje të tjera. "Kjo mund të sjellë disi vonesa në vlerësimin final të dëmit, edhe pse po punohet me ritme të shpejta në dhjetë grupe".
SSSASS