Protesta, të burgosurit e 313-ës në grevë urie
Protesta e nisur tri ditë më parë në ambientet e Burgut 313 në kryeqytet, duket se është përshkallëzuar edhe më tej, duke marrë formën e një greve urie. Burime informacioni që u referohen familjarëve të të burgosurve, kanë bërë të ditur dje se që prej mesditës së të shtunës, të burgosurit e Burgut 313 kanë refuzuar të marrin ushqimin e servirur nga institucion i riedukimit. Ata kanë paraqitur disa kërkesa, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë dhe higjienën e ushqimit që u jepet nga burgu, mënyrën e komunikimit të punonjësve të shërbimit me të burgosurit, zgjatjen e kohës së ajrimit, si dhe zgjatjen e kohës gjatë të cilës ata takohen me familjarët e tyre. Të burgosurit fillimisht ia kanë paraqitur kërkesat e tyre Drejtorisë së Burgut, megjithëse sipas tyre drejtimi i keq kishte çuar në këtë revoltë. Po dje, burime jozyrtare thanë se protesta ishte shtrirë edhe në Burgun 302, ku të burgosurit kishin refuzuar ushqimin, por më pas ky informacion nuk u konfirmua.
Dje, në ambientet e Burgut 313, në rrugën "Jordan Misja", ka shkuar me urgjencë edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili ka marrë takim me grevistët dhe është përpjekur t‘i sqarojë ata. Ai pasi ka dëgjuar pretendimet e të burgosurve, të cilët në pjesën më të madhe kanë ngritur akuza për korrupsion ndaj drejtorit të këtij institucioni, si dhe mënyrës së sjelljes së personelit të shërbimit, u ka premtuar atyre se do të merrte masa që situata të ndryshonte. Në një njoftim zyrtar të Drejtorisë së Burgjeve për këtë takim thuhet se "pas përfundimit të takimit, personat me liri të kufizuar ranë dakord se revolta apo iniciativa të tjera të kësaj natyre nuk janë elementë që mund të çojnë në zgjidhjen e problemeve të tyre". Çka presupozon se, sipas zyrtarëve të burgjeve, greva është mbyllur. Por informacionet nga të burgosurit flasin për të kundërtën. Greva nuk është mbyllur dhe ata kanë vazhduar edhe mbrëmë në darkë të refuzojnë ushqimin që u është dhënë.
Protesta në Burgun 313 erdhi pas refuzimit që bëri drejtoria e këtij institucioni për të lejuar familjarët e të burgosurit Indrit Taullai që t‘i dërgonin atij ushqime. Ngjarja precipitoi në një lloj revolte nga ana e këtij të burgosuri dhe personave të tjerë që ishin në qeli. Por burime nga brenda burgut thonë se në të njëjtën mënyrë si Taullait u janë ndaluar futja e ushqimeve nga familjarët edhe të burgosurve të tjerë, çka ka bërë që protesta të përhapet shpejt dhe të burgosurit të hyjnë në grevë urie. Lidhur me këtë problem, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha dje se ajo "ndjek me rigorozitet trajtimin e personave me liri të kufizuar dhe zbatimin e normës së re ushqimore në të gjitha institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale".
Ndërkaq, dje, drejtori i Burgut 313 ka kontaktuar me "Shqip", duke hedhur poshtë akuzat e bëra nga familjarët e Taullait. Mulgeci tha se ai nuk i ka kërkuar asnjëherë para ndonjë të burgosuri dhe madje nuk ka pasur asnjëherë probleme personale me të burgosurit. Sipas drejtorit të 313, Taullai madje nuk ka paraqitur asnjë akuzë për dhënie ryshfeti edhe gjatë ballafaqimit që ka pasur dje paradite me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra.
Reagimi i Drejtorisë së Burgjeve
Me rastin e festave, DPB ka marrë një sërë masash për një trajtim të veçantë të të dënuarve, duke shtuar normën e re ushqimore dhe duke krijuar një ambient sa më të volitshëm për festimin normal të tyre. Pas takimit me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, personat me liri të kufizuar ranë dakord se revolta apo iniciativa të tjera të kësaj natyre nuk janë elementë që mund të çojnë në zgjidhjen e problemeve të tyre. Ndërkohë, DPB ka marrë të gjitha masat për të parandaluar çdo trazirë në këtë institucion, duke u përpjekur që t‘u japë zgjidhje shqetësimeve të personave me liri të kufizuar, në mënyrë që të evitojë situata të tilla.
SSSASS