Zbulohen predha anti-tank në Shijak
Antikrimi i Shijakut zbulon predha anti-tank në një shtëpi të qytetit të Shijakut. Ekspertë nga Tirana kanë mbërritur në Shijak për të dhënë ekspertizën dhe vendosur mbi asgjësimin e tyre. Pas tragjedisë së Gërdecit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash në drejtim të rritjes së parametrave të sigurisë publike, kontrollit të territorit, parandalimit të veprave penale me armë zjarri, marrjes në dijeni e kontrollit të zbatimit të rregullave të sigurimit teknik mbi prodhimin e administrimin e substancave, të cilat mund të bëhen shkas për ngjarje që cenojnë sigurinë publike. Në kuadrin e tyre, shërbimet e Komisariatit të policisë së Shijakut, bazuar në informacione të marra paraprakisht, ushtruan kontroll dhe bënë të mundur lokalizimin në një banesë të pabanuar një sasi predhash granatahedhëse kundërtank dhe mbushje të tyre. Shtëpia është banesa e vjetër e shtetasit Daut Keçi në lagjen popullore të Shijakut. Në të u gjetën shtatë copë predha granatahedhësi të lehtë anti-tank, të kalibrit 40 mm dhe 8 mbushje hedhëse. Burime nga policia lokale bënë të ditur se po hetohet në lidhje me praninë e tyre në këtë shtëpi, ndërsa dyshimet janë hedhur për një prani të hershme të tyre që lidhet me dhëndrin e ndarë nga jeta të Keçit. Specialistët xhenierë dhe grupi hetimor kanë vazhduar ditën e djeshme punën në drejtim të transportimit e asgjësimit të municionit të bllokuar. Ndërkaq, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës po vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e autorësisë mbi praninë e këtyre predhave brenda kësaj zone të banuar. Banorët e lagjes popullore të Shijakut janë shqetësuar nga prania e tyre fare pranë shtëpive të tyre dhe rrezikut që u kanosej jetëve njerëzore. Të lëna jashtë kontrollit, ato mund të ishin kthyer në shkak tragjedie. Policia e Shijakut ka marrë përgëzime nga qytetarët për vlerësimin e informacionit të siguruar në rrugë operative dhe gjetjes së municionit. SSSASS