18 dollarë për “Doruntinën” e Kadaresë
Petrika GROSI
“Doruntina” e shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare do të ngjitet pasnesër, për herë të parë në një nga skenat teatrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Nju Jork. Lajmi që fillimisht është bërë i ditur për mediet kosovare nëpërmjet një konference shtypi në Prishtinë nga Teatri Oda, tashmë konfirmohet edhe prej palës amerikane, e cila ka nisur reklamimin e shfaqjes dhe botimet nëpër shtypin amerikan. Duket qartë se Kadare është bërë tepër i dashur gjatë viteve të fundit për botën anglishtfolëse, sidomos, që pas fitimit të çmimit prestigjoz Man Booker Prize, fama e tij do të përhapej duke kapërcyer kufijtë gjeopolitikë me shpejtësi marramendëse që nga Britania e Madhe në mbarë Europën deri në Amerikë. Shfaqja do të nisë të jepet çdo pasdite duke filluar që nga data 9 – 26 tetor ’08, në teatrin njujorkez “Blessed Unrest”. Orari i shfaqjes është caktuar 19.00, ndërkohë që çmimi i biletës është 18 dollarë amerikanë. Siç bëjnë të ditur agjenci të ndryshme mediatike e kulturore në internet, mes të cilave uebsajti “broadwayworld.com” i cili shprehet: “shfaqja e bazuar mbi veprën e shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare do të vijë në skenën amerikane për herë të parë si një bashkëpunim i teatrit ‘Blessed Unrest’ të Nju Jorkut me Teatrin Oda të Prishtinës. Veç historisë intriguese mbi fjalën e dhënë, e cila ngre të vdekurin nga bota e përtej varrit dhe e bashkon me të gjallin mbi një kalë, legjenda e shkruar me mjeshtëri nga Kadareja shërben në këtë rast edhe si një promovim i mirë i kulturës skenike shqiptare, sidomos tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.” Për realizimin e shfaqjes punojnë të dyja trupat kosovare dhe amerikane, me regjisorët dhe aktorët përkatës. Sipas kritikës amerikane, drama e “Besës” shqiptare merr ngjyra misterioze falë penës së Kadaresë. Ajo qarkullon në mjaft vende të Ballkanit dhe për të ekzistojnë variante të ndryshme popullore. Një shfaqje që mishëron mentalitetin, enigmën dhe rebusin e Ballkanit. Kështu përcaktohet Doruntina e Kadaresë nga kritikët amerikanë. Regjisor i shfaqjes është Florent Mehmeti, përshtatëse e skenarit Jussica Burr, ndërsa kasti shqiptaro-amerikan i aktorëve përbëhet nga Lirak Çelaj, Nëntor Fetiu, Njomëza Ibraj, Laura Wickends, Justin Badger, Dave Edson, Zenzele Cooper, Kelly Hayes dhe Jason Griffin.
5-10 tetor 2008
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës shtyn datën e konkursit letrar
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) e ka shtyrë afatin për dorëzimin e tre ekzemplarëve të veprave që konkurrojnë për çmimin “Pjetër Bogdani” dhe çmimin “Hivzi Sulejmani”, nga data 5 tetor, deri më 10 tetor 2008. Sipas një njoftimi të lëshuar nga LKSH-ja, thuhet se shtyrja e afatit të dorëzimit të veprave bëhet me qëllim, që në këto çmime tradicionale të konkurojnë sa më shumë autorë dhe sa më shumë prurje të reja letrare. Veprat e dorëzuara në Institutin Albanologjik apo në Bibliotekën, e cila gjendet në Shtëpinë e Hivzi Sulejmanit, së shpejti do t’u dorëzohen dy jurive profesionale, të udhëhequra nga akademik Rexhep Qosja dhe prof. Adem Demaçi.
7 Tetor 2008