E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet arsenali i armëve dhe municioneve të fshehura në kanal



FIER - Policia e Fierit ka zbuluar një arsenal armësh dhe municionesh, të hedhur në një kanal në një fshat të Fierit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se sasia e tyre u gjet në rrugën rurale që lidh fshatin Seman me fshatin Seman i ri, në një kanal në vendin e quajtur ‘Kulla e Ujit’. “Zbulimi i tyre u bë në bazë të informacione të marra në rrugë operative, që njoftonin se në këtë vend kishte armatime të fshehura”- thanë burimet e policisë. Sipas të njëjtit burim, në kanal u gjetën 69 arka me fishekë me një sasi prej 70 mijë fishkësh model 56. Brenda arkave u gjetën edhe 5 mitralozë, nga këta, katër të rëndë, të kalibrit 12.7 milimetër dhe një i lehtë, i kalibrit 7.62. “Në të njëjtin vend u gjetën edhe tre granata hedhëse të lehta”- thanë më tej burimet e policisë. Aktualisht, policia po kryen veprimet e para hetimore, por ende nuk jepen të dhëna se kush mund t’i ketë lënë municionet në këtë vend. Dyshohet se armët dhe municionet janë hedhur disa ditë më parë në këtë zonë. Por, nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë pjesë e arsenalit ushtarak të vjedhura nga magazinat e ushtrisë gjatë trazirave të vitit 1997.

Rreziqet, ndëshkohen tre firma të tregtimit të gazit

KORÇË - Tre subjekte që tregtonin gaz në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa asnjë kush sigurie janë dërguar për ndjekje penale. Vendimi është marrë nga Task Forca e Korçës pas një kontrolli të ushtruar në këtë subjekte tregtare. Sipas përgjegjësit të saj, Ilir Pendavinji ka rezultuar që në të gjitha pikat që janë lënë detyra për sigurimin e kushteve teknike ato nuk janë zbatuar. “Për pasojë 3 prej subjekteve i janë dërguar prokurorisë për ndjekje penale”- thotë ai. Task Forca pas ngjarjes që ka ndodhur në fund të gushtit në qytetin e Korçës, ku për shkak të mungesës së kushteve të sigurimit teknik, shpërthyen bombolat në një pikë gazi ka ushtruar disa herë kontrolle në këto subjekte. Shumë prej tyre ushtronin aktivitetin në katin e para të pallateve duke vënë në rrezik jetën e banorëve. Tani janë larguar për të ushtruar funksionin e tyre në periferi të qytetit. Para disa ditësh një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Laparadha të rrethit të Beratit, ku gjatë shkarkimit të gazit nga një autobot, ra një zjarr, i cili shkaktoi një të vdekur dhe tre të plagosur rëndë, ku shumica prej tyre ishin anëtarë të një familje, e cila kishte në pronësi pikën e tregtimit të gazit të lëngshëm.

Del nga karantina shkolla fillore, nis procesi mësimor

GJIROKASTËR – Shkolla fillore “Së bashku” në lagjen “Zinxhira”, të qytetit të
Gjirokastrës ka dalë nga karantina dhe që prej ditës së djeshme ka nisur procesi mësimor. Rreth 11 ditë më parë, me urdhër të Drejtorisë së Shëndetit Publik, kjo shkollë u mbyll për shkak të problemeve të mëdha, amortizimit të godinës dhe mungesës së ujit. Gjatë këtyre ditëve pas marrjes së masave, uji është rikthyer në godinë, kurse Bashkia ka premtuar zëvendësimin e xhamave të thyer dhe ndërhyrje për të përmirësuar infrastrukturën e saj. Në këtë shkollë mësojnë 62 nxënës mes të cilëve, edhe fëmijë të komunitetit rom. Lagja u bë problem, pasi fëmijë nga kjo zonë paraqiteshin në spital me probleme shëndetësore. Nuk kanë munguar as rastet me Hepatit A, për të cilin mjekët bën fajtorë mungesën e higjienës.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›