E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maqedoni, Cërvenkovski takim me partitë politike për emrin



Çështja e emrit ka mbledhur dje në Shkup presidentin Branko Cërvenkovski dhe liderët e 4 partive kryesore VMRO-DPMNE dhe BDI, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmetin, udhëheqësit e partive opozitare LSDM dhe PDSH, Zoran Zaevi dhe Menduh Thaçi. Ky takim u mbajt në prag të raundit të ri të negociatave që ndërmjetësi Methju Nimiç do të zhvillojë sot në Nju Jork.
Para takimit të pushtetit dhe opozitës, të dyja palët shpalosën qëndrime të ndryshme lidhur me pozicionin negociator të Maqedonisë për zgjidhjen e dallimeve rreth emrit me Greqinë. Lidhja Socialdemokrate, në opozitë, thotë se duhet të pranohet një emër me një referencë gjeografike e cila nuk do të dëmtojë indentitetin kombëtar të maqedonasve. Ata thonë se zgjidhja nuk duhet të kërkojë ndryshimin e kushtetutës. Por VMRO-DPMNE në qeveri thotë se zgjidhje e pranueshme do të jetë formula e dyfishtë, që nënkupton që emri Republika e Maqedonisë të përdoret kudo, kurse në komunikim me Greqinë të gjendet një emër tjetër i pranueshëm për të dyja palët. Këto qëndrime të ndryshme kanë përfshirë partitë maqedonase në akuza të ndërsjella. Për VMRO DPMNE-në qëndimi i opozitës është i ngjashëm me atë të palës greke dhe dëmton identitetin kombëtar të maqedonasve. Lidhja opozitare Socialdemokrate thotë se Maqedonia nuk duhet të rrezikojë anëtarsimin në NATO dhe në BE, prandaj tani duhet të gjejë një zgjidhje. Ajo akuzon kryeministrin se nuk është konstruktiv dhe qëllimisht kërkon nga Greqia një propozim të papërshtatshëm që të mund ta refuzojë. Takimi i liderëve në Shkup u zhvillua një ditë para bisedimeve të ndërmjetësuesit Nimiç me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë në Nju Jork. Nuk përjashtohet mundësia që Nimiç në këtë takim t’u prezantojë përfaqësuesve të dy vendeve propozimin përfundimtar për zgjidhjen e dallimeve rreth emrit. Ndërkohë Athina po përgatitet që në dhjetor të vendosë një tjetër veto për Maqedoninë pas vetos të vendosur në Bukuresht ku Maqedonia nuk mori ftesën për anëtarësimin në NATO. Lajmi u bë i ditur nga gazeta greke “To Vima”, duke iu referuar burimeve të sigurta, sipas të cilave propozimi më i ri i ndërmjetësit Methju Nimiç do të jetë i afërt me pozicionin grek por nuk do të jetë në një mendje me Athinën përsa i përket përdorimit të tij dhe pasaportave. Kjo, sipas gazetës, do të rezultojë me veton e dytë greke nga Qeveria e kryeministrit Kostas Karamanlis, i cili në këtë moment përballet me probleme serioze brendapartiake. Ndërmjetësi për zgjidhjen e kontestit greko-maqedonas për emrin, sot në Nju Jork do të prezantojë propozimin e tij në takime të ndara me negociatorët maqedonas dhe grekë, ndërsa të mërkurën pritet që me ta të mbajë takim të përbashkët.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›