E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: “Njohja e Kosovës nga Mali i Zi, tradhëti”



Vendimi eventual i Malit të Zi për njohjen e Kosovës, do të përjetohej si “thikë prapa shpine” jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Deklarata u bë nga kreu i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç pas takimit me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Urmas Paeta ku Jeremiç tha se është e sigurtë që “Serbia që nuk do të rrijë duarkryq” nëse Podgorica e njeh Kosovën. “Kjo nuk mund të jetë pa pasoja, sidomos në këtë kohë. Ne nuk duam t’i dërgojmë asnjë kërcënim askujt, ndonëse të gjithë në rajon e dinë çfarë do të thotë kjo. Qeveria malazeze është e vetëdijshme”,- tha Jeremiç. Kryediplomati serb tha gjithashtu se Beogradi ua ka bërë të qartë zyrtarëve malazezë se nuk do të ketë asnjë mirëkuptim për vendimin e Podgoricës në rast se njihet shteti i Kosvës. “Kjo do të cënojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”,- theksoi Jeremiç.

Kacin: “Nuk ka presion mbi Malin e Zi që të njohë Kosovën”

Eurodeputeti slloven, Jelko Kacin ka përshëndetur miratimin e rezolutës së Parlamentit malazez për përshpejtimin e integrimeve euroatlantike, duke vlerësuar se një vendim i tillë mund të jetë shembull edhe për parlamentet e vendeve fqinje. Kacin ka hedhur poshtë pohimet se ai personalisht ka ushtruar presion mbi Malin e Zi që të njohë pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu ai ka përgënjeshtruar informacionet se nga BE-ja ekziston një presion i fuqishëm që Mali i Zi të njohë Kosovën. “Ka shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, porashtu si Mali i Zi, i kanë njohur pasaportat e Kosovës, duke bërë me dije se në ç’drejtim po shkojnë vendimet e tyre”,- ka thënë Kacin. “Mali i Zi është një vend sovran, ai e di se kur njohja eventuale e Kosovës është optimale në dobi të Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe stabilitetit në rajon”,- ka thënë Kacin i cituar nga mediat malazeze. Parlamenti malazez të premten e kaluar ka miratuar një rezolutë, bashkë me një pikë për Kosovën, që sipas analistëve i hap rrugën njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Podgoricës.

Tragjedi në Ferizaj, dy fëmijë digjen në shtëpi

Një tragjedi ka ndodhur ditën e djeshme në një banesë në Ferizaj si pasojë e zjarrit që ka rënë në një banesë. Dy vajza të vogla, nën moshën katër vjeçe, të së njëjtës familje kanë vdekur mëngjesin e djeshëm si pasojë e zjarrit që përshiu dje rreth orës 09:00 shtëpinë në lagjen e Ukmajlëve, në fshatin Jezercë të Ferizajt. Flakët që shkrumbuan gjithçka nga shtëpia e familjes Haliti nuk kursyen dy vajzat. Ndërkohë 5 anëtarë të tjerë të familjes arritën të shpëtonin. Ata u përpoqën të nxirrnin nga shtëpia dhe dy vogëlushet por pa mundur, pasi flakët kishin përfshirë gjithçka. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, në komunën e Ferizajt, Behxhet Krasniqi. Sipas tij, ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri, ndërkaq që hetimet vazhdojnë.
Jozyrtarisht mësohet se shkaktar i zjarrit ishin instalimet me defekt të energjisë elektrike.
Hyseni: “Pavarësinë e Kosovës do ta njohin shumë shtete”

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, bëri të ditur se pavarësinë e Kosovës do ta njohin shumë shtete nga rajoni dhe nga Amerika Qendrore e Latine si dhe rajone të tjera, por nuk ka saktësuar se cilat janë ato shtete. Pas kthimit nga Nju Jorku, ai shprehu besimin se Kosova do të njihet nga disa shtete edhe para se të votohet rezoluta serbe në Asamblenë e Përgjithshme. Hyseni tha se gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork ka arritur t’i bindë bashkëbiseduesit për nevojën e njohjes së Kosovës dhe për pasojat e nismës serbe. Por në anën tjetër, ai tha se rezoluta e Serbisë për të kërkuar mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë, do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme në OKB. “Sistemi i votimit në Asamblenë e Përgjithshëm është i përcaktuar që çdo rezolutë të kalojë, edhe rezoluta serbe mund të kalojë”,- tha Hyseni, duke shtuar se edhe nëse kalon rezoluta nuk do të ketë pasoja për Kosovën në periudhën afatgjate. Por sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të marrë një vendim të drejtë për hedhjen poshtë të kërkesës serbe.

Karamanlis: “Depozitat bankare në Greqi, të garantuara”

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, rikonfirmoi se të gjitha depozitat bankare në Greqi janë krejtësisht të garantuara.
“Sistemi bankar grek është krejtësisht i sigurtë, depozitat e qytetarëve në të gjitha bankat që funksionojnë në Greqi janë absolutisht të garantuara”,- deklaroi Karamanlis, në një mbledhje të grupit parlamentar. Ministri grek i Financave, Georges Alogoskoufis njoftoi, javën e kaluar, se Banka Qendrore e Athinës ka paraqitur një kërkesë pranë Bankës Qendrore Europiane për garantimin e depozitave bankare, aktualisht të mbrojtura në një nivel prej 20.000 eurosh dhe që ka arritur në 30.000 euro. ”Nuk ka nevojë për të marrë masa, pasi nuk ka probleme”,- bëri të ditur për gazetarët një burim ministror. Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore greke, Jorgos Provopulos, u shpreh i kënaqur për sigurinë dhe stabilitetin e sistemit bankar grek. Sipas tij, 90 për qind bankave ishin të mbuluara nga depozitat, si rrjedhim ato nuk varen në një masë të madhe nga tregjet financiare.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›