E Hënë, 2 Nëntor 2026

18 vjet burg përdhunuesve të italianes Ana Ferrari

07/05/2005  Fier/ I morën dhe paratë e sendet e tjera me vlerë

FIER - Gjykata e Fierit ka dënuar me 18 vjet burg dy të pandehur, të cilët kanë përdhunuar një shtetase italiane, Ana Ferrari. Të pandehurit Artan Mihaj dhe Gëzim Bako, akuzohen nga Gjykata e rrethit Fier për veprën penale të "marrëdhënieve seksuale me dhunë" me të rritura të kryer në bashkëpunim. Gjyqtari Amarildo Laçi, i ka dënuar të pandehurit e lartë përmendur me nga 9 vjet secilin.

Gjatë gjykimit të kësaj çështjeje, doli e provuar se ngjarja ka ndodhur më 10 prill të vitit 2004, ndërsa shtetasja italiane Ana Ferrari, pasi ka qenë në shtetin grek për të takuar një të njohurin e saj nga një fshat i Vlorës, ka hipur në një taksi së bashku me tre persona të tjerë, të cilët nuk i njihte. Drejtuesi i mjetit E. K., pasi ka arritur në qytetin e Fierit, ka gjetur një mjet, i cili drejtohej nga i pandehuri Artan Mihaj. Brenda në makinë ndodhej edhe i pandehuri tjetër Gëzim Bako.

Italiania dhe një shtetas tjetër, kanë hipur në makinë dhe kanë mbërritur në Vlorë, rreth orës 21.00. Në momentin që ka zbritur, vlonjati i ka thënë që italianen ta çonin te hotel "Europa". Por nuk ka ndodhur ashtu. Ata janë drejtuar për në Fier dhe kanë kthyer në një rrugë dytësore, në afërsi të rrugës nacionale Fier-Levan. Me radhë ata kanë kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj dhe më pas e kanë grabitur, duke i marrë orën, unazën dhe 1500 euro.

Pas 5 orësh, ata e kanë nxjerrë në rrugën kryesore dhe e kanë hipur në një kamion. E ndihmuar edhe nga drejtuesi i mjetit, ajo ka shkuar në komisariatin e Vlorës dhe më pas në atë të Fierit, ku ka kallëzuar çdo gjë mbi atë që i kishte ndodhur.

Menjëherë kanë filluar hetimet për këtë ngjarje dhe pas provave të grumbulluara, Mihaj dhe Bako janë arrestuar në flagrancë nga oficerët e policisë gjyqësore.

Fakti i mësipërm është provuar gjatë seancave gjyqësore nga provat e dëshmitarëve dhe ato shkresore. Të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën, pasi sipas tyre në ditën kur ka ndodhur ngjarja ata ndodheshin në Kakavijë dhe mbi të gjitha nuk e njihnin Ana Ferrarin.

Përfundimisht, gjyqtari Amarildo Laçi, pasi ka dëgjuar edhe prokurorin Julian Zonja dhe avokatët e të pandehurve, i ka dënuar me 9 vjet burg Artan Mihaj dhe Gëzim Bakon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›