E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në haurin e bagëtive, 21-vjeçari tenton të përdhunojë një grua

07/05/2005  Arrestohet pas denoncimit të gruas, fiset në konflikt me njëri-tjetrin

KORÇE - Një grua, nënë e katër fëmijve, me iniciale L.Gj., nga fshati Moglicë i rrethit Korçë, është përleshur me një 21-vjeçar, i cili ka tentuar të kryejë me të marrëdhënie seksuale me dhunë në haurin e bagëtive. Por, ndërsa ka tentuar të shpëtojë nga përpjekjet e përdhunuesit, ka mbetur e rrahur dhe e keqtrajtuar. Shenjat e dhunës të mbetura në trupin e saj janë identifikuar lehtësisht nga ekspertët mjeko-ligjorë. Dëmtimet më serioze gruaja i ka marrë në kurriz dhe krah, pohuan burimet e policisë. Ndërkohë është arrestuar 21-vjeçari Veprim Mata, nga i njëjti fshat me viktimën. Ngjarja në fjalë ka tronditur keqas fshatin e largët malor të Korçës,i cili ndodhet në kufi me rrethin e Gramshit. Mes dy fiseve ka mbetur një armiqësi e hapur.

Ngjarja

Gruaja L.Gj., nga fshati Moglicë, nënë e katër fëmijëve, ka hyrë në haurin e bagëtive për t’u hedhur ushqim bagëtive, por sakaq brenda në haur është gjendur edhe 21-vjeçari Veprim Mata, i cili ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Kjo e fundit edhe pse është ndjerë e tmerruar nga befasia, me të cilën është gjendur aty 21-vjeçari, i cili e ka sulmuar atë që në çastin e parë, ka bërë të gjitha përpjekjet për të përballuar agresivitetin e të riut, që dukej i pandalshëm në realizimin e qëllimit të tij. Ndërkohë 21-vjeçari duke hasur në kundërshtimin e gruas, ka përdorur dhunë ndaj saj për ta detyruar atë dhe për rrjedhojë i ka shkaktuar plagë të rënda në të gjithë trupin, veçanërisht në kurriz dhe krah.

Fqinjët

Kur L.Gj., ka parë se e kishte të pamundur të shpëtonte nga “kthetrat” e 21-vjeçarit, ka nisur t’i japë ulërimës për të kërkuar ndihmën e njerëzve të rastësishëm, që mund të dëgjonin thirrjet e saj. I pari që kishte dëgjuar thirrjet e tmerruara të gruas kishte qenë një fqinj i saj, i cili, siç pohoi për gazetën “Metropol”, pa dashur të identifikohet, në fillim kishte menduar se ajo po vritej nga lopët, që kishte në haur dhe me këtë mendim kishte nxituar t’i vinte sa më parë në ndihmë. Por, ndërsa ka hapur derën e haurit, ka parë gruan që përpiqej të shpëtonte nga duart e 21-vjeçarit dhe agresivitetin e këtij të fundit. Pikërisht me hyrjen e fqinjit, përleshja është ndalur. Gruaja ka mbetur aty e gjakosur, ndërsa Mata ka dashur të largohet, por e ka ndaluar pikërisht fqinji, i cili kishte parë gjithë skenën. “Ti do të ikësh vetëm kur të sqarohen të gjitha punët” i ka thënë komshiu, i cili u bë dëshmitar i kësaj ngjarjeje.

Denoncimi

L.Gj., pasi ka mundur të marrë veten nga kjo ngjarje, i është drejtuar policisë së Korçës, ku ka bërë denoncimin e saj. Sipas saj, 21-vjeçari nga fshati i saj kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Njëkohësisht, gruaja është paraqitur dhe tek ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët në ekzaminimin e tyre kanë konstatuar dëmtime në të gjithë trupin dhe veçanërisht në kurriz dhe krah. Fill pas këtij denoncimi, uniformat blu të Korçës kanë arrestuar 21-vjeçarin, ndaj të cilit prokuroria ka nisur procedimin penal. Nga ngjarja në fjalë ka mbetur i tronditur fshati me 80 shtëpi i Moglicës, pasi ngjarja të tilla nuk kishin ndodhur më parë në atë zonë. Sidoqoftë, “akti i 21-vjeçarit ka lënë një konflikt të hapur mes dy fiseve”, u shprehën banorë të Moglicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›