E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rimarrja e panevojshme e modelit të ‘97

07/05/2005  Partia Socialiste paralajmëroi dje një fushatë elektorale të ashpër cilësisht dhe mbi terma të historisë së afërt të vendit, duke zbehur jo pak frymën e parafushatës, që ishte bazuar kryesisht në përballjen e alternativave. Duke lënë mënjanë komentet rreth të drejtës së PS për të bërë fushatë me histori, gjë që është zgjedhja e saj, lind pyetja se, pse kjo parti ka zgjedhur pikërisht këtë model, që e bën të zymtë fushatën elektorale dhe jo bilancet e saj pas tetë vjet qeverisje.

Në praktikat elektorale të vendeve të zhvilluara të botës, propaganda zhvillohet dhe në fushë të bardhë, edhe në fushë të zezë. Për shembull, tetë vjet më parë, konservatorët anglezë e përshkruanin veten e tyre në spotet televizive si një luan plot energji, i bukur dhe i shpejtë, ndërsa laburistët sponsorizuan një spot tjetër, ku konservatorët paraqiteshin nëpërmjet një luani që e lëshonin këmbët, ishte i plakur dhe gati në prag të ngordhjes.

Por, rrallë ndodh që një fushatë elektorale të ekspozohet plotësisht në të zezë për kundërshtarin, ashtu si e pamë në kongresin elektoral të partisë në pushtet.

Megjithatë, socialistët mund ta kenë zgjedhur këtë mënyrë për disa arsye:

1.Fushata me histori dhe dedikuar te Berisha është më e lehta për ta. Socialisët janë të bindur se kanë më shumë argumente dhe të drejtë sesa pala kundërshtare. Kanë zgjedhur fushën ku ndihen më superiorë. Ata kanë një arsenal të bollshëm fjalësh kundër Berishës së ‘97, janë në gjendje t’i përkthejnë ato në entuziazëm për elektoratin e tyre dhe mund të gjejnë në historinë politike të Berishës plot momente të kritikueshme, deri edhe irrituese për një grup të caktuar qytetarësh. Por, akuzat mbi Berishën, edhe pse vazhdojnë të thuhen, efekti i tyre ka ardhur gjithnjë duke u zvogëluar. Zor se kjo mënyrë do të depërtojë përtej militantëve socialistë dhe do të gëzojë shumë ndokënd, që nuk e ka lidhur përkatësinë e tij politike me armiqësinë ndaj liderit të opozitës. Të shash sot Berishën nuk është në modë.

2.Të thithin elektoratin socialist, i cili “gabimisht” mund të jetë zhvendsour te LSI. Nëpërmjet Berishës dhe ’97, ata tentojnë të godasin emocionalisht njerëzit që votuan socialistët në këtë vit, kohë e cila ka qenë e vështirë për të gjithë shqiptarët dhe se të gjithë të majët e vendit, por edhe të tjerë, e shikonin rrënimin e vendit te pushteti i Berishës. Shumë prej këtyre votuesve mund të jenë larguar nga PS dhe nuk ka mjet më të mirë për t’i kthyer ata edhe njëherë tek ajo sesa kujtesa e momenteve të përbashkëta, që për ta janë historike. Përveç komponentes emocionale është edhe një llogari tjetër, që gjithsesi, lidhet direkt me Berishën. Nëse PS humbet pushtetin, atëherë PD dhe Berisha e zënë atë. Edhe votuesit e LSI nuk duan që në pushtet të vijë Berisha, por vota e tyre e ndarë nga PS mund të jetë fajtorja e madhe për ardhjen e PD në pushtet. Nëse kjo votë bashkohet, mundësitë për rotacion janë më të vogla. PS ka nevojë për këto vota edhe në rastin e rezultatit maksimal të socialistëve në zgjedhje. Ndërkaq, nëse LSI nuk ofron bashkëpunim zgjedhor ose paszgjedhor, Nano ka një vend ku të zbrazë humbjen e mundshme në zgjedhje.

3. Të ulin pjesëmarrjen në votime. Socialistët përgjatë gjithë kohës së përgatitjes së kodit zgjedhor kanë lënë të kuptohet se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje i favorizon ata. Por edhe gjatë historisë së votimeve në Shqipëri, socialisët kanë fituar atëherë kur kjo pjesëmarrje ka qenë me përqindje të ulët, por jo se kjo ka qenë vendimtare. PS kundërshtoi afrimin e zgjedhjeve nëpërmjet një amendamenti muajin e kaluar, çfarë do të thotë se socialistët janë të qartë për këtë dobinë e këtij instrumenti për veten e vet. Është e njohur tashmë se militantët socialistë lënë çdo punë ditën e votimit dhe janë të parët që votojnë, gjë që nuk ndodh me kategoritë e tjera të votuesve, të cilët përgjithësisht nuk janë të majtë dhe potencialisht nëse do të shkonin në votonin përgjithësisht nuk do ta hidhin votën e tyre për PS-në. Që ky grup votuesish të heqë dorë nga votimi ditën e zgjedhjeve mjaftojnë vetëm pak arsye, të cilat edhe mund të mos jenë politike, por kur ato janë politike, investohet edhe më tepër në dembelizmin e këtyre njerëzve. Një prej formave, nëpërmjet së cilës mund të mbahen larg kutivetë votimit jo pak njerëz, është tensionimi i situatës, ndezja e fushatës me terma të vitit 1997, konceptimi i saj sa më i afërt me zgjedhjet e qershorit të atij viti.

4. Duke përqëndruar fushtën te historia negative që përbashkohet me Berishën, synojnë të zbresin sa më shumë efektin e akuzave të kryetarit të PD-së, largohet vëmendja nga këto akuza tek argumenti se Berisha në opozitë dhe Berisha në pushtet janë dy gjëra të ndryshme; i pari mund të neutralizohet, ndërsa i dyti është i rrezikshëm.

Të gjitha këto arsye nuk janë të mjaftueshme që modeli i paraqitur në kongresin e PS-së të jetë determinues gjatë fushatës elektorale. Një fushatë me “histori” do t’i shkonte shumë më për shtat opozitës sesa një partie në pushtet për tetë vite rresht, çfarëdo negativiteti që do të kishte kundërshtari me sjelljen e tij gjatë qeverisjes së mëhershme. Vetë PS në zgjedhjet e 2001 nuk kishte në plan të parë Berishën, por projektet e zhvillimit të vendit dhe integrimit të tij në strukturat evropiane. Ndërsa vetë PD përgjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka treguar ndonjë shenjë se do ta bazojë fushatën e saj kryesisht te defektet e qeverisjes së PS-së dhe jo te projektet e saj për qeverisjen. Ndërsa Fatos Nano, apo Edi Rama flisnin për rrezikun Berisha me fraza të frikshme, salla ku zhvillohej kongresi nuk të kujtonte asgjë të vitit ‘97. Tërë ai investim në imazhin e PS-së e bënte edhe më anakronike terminologjinë luftarake dhe fjalitë në kohën e shkuar të kryetarit socialist. Ky farë afrikanizmi elektoral, një ves i vendeve me grushte shteti në fazën fillestare të krijimit të institucioneve, në kontinentin e zi, duhet harruar në Shqipëri, edhe në rast se shërben.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›