E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fillojnë punimet në aeroportin “Nënë Tereza”

07/05/2005  Aeroporti “Nënë Tereza” ka filluar zyrtarisht punimet, pasi krerët më të lartë të qeverisë dhe ambasadorët e Gjermanisë dhe SHBA-ve kanë vendosur në mënyrë sinjifikative gurin e themelit në projektet e ndërtimit. Pas debateve të shumta në lidhje me dhënien me koncension të aeroportit, duket se investimi 75 milionë euro është gati për të filluar. Ndërtimi i terminalit të ri do të jetë një nga investimet që do të bëjë konsorciumi “Tirana Airport Partners”, e cila ka parashikuar dhe ndërtimin e rrugës deri në Tiranë, si dhe rikonstruksionin e terminalit ekzistues. “Marrëveshja koncensionare midis nesh dhe konsorciumit ‘Tirana Airport Partners’, tashmë mbështetet në ligjin nr.9312 të nëntorit të vitit të kaluar dhe është një arritje shumë e madhe”, ka thënë në fjalën e tij Kryeministri Fatos Nano, duke kujtuar se investimi gjigand bëhet mbi baza ligjore dhe nuk lë shkas për t’u kundërshtuar. Duke folur në lidhje me investimin, Kryeministri Nano ka përmendur faktin se, 20 vjet të menaxhimit të aeroportit të ri prej “Airport Partners” do të derdhen në Buxhetin e Shtetit 237.5 milionë euro, nga të cilat 75 milionë do të jetë vlera e investimit që “Airport Partners” do bëjë për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, për rikonstruksionin e terminalit ekzistues, rrugën e re që lidh aeroportin me Tiranën, rindërtimin e rrugës ekzistuese, ndërtimin e terminalit të kargos, të parkimeve publike, të rrethimit të aeroportit dhe të pajisjeve moderne, në shërbim të pasagjerëve. “Unë vlerësoj se në rrugë indirekte Buxheti i Shtetit Shqiptar do të akumulojë gjithashtu rreth 350 milionë euro të tjera nga detyrimet fiskale që lidhen me iniciativën, si nga punonjësit që do të punësohen në aeroport, ashtu edhe nga detyrimet fiskale të nënkontraktorëve të ndërtimit”, u shpreh Nano gjatë ceremonisë.

Nano, të pushuarit do marrin pagën për dy vjet

Rreth 300 punonjësit e shkurtuar në aeroportin “Nënë Tereza”, do të kenë mundësi të marrin pagën për dy vjet. Duket se qeveria do të operojë me punonjësit e aeroportit, ashtu sikurse bëri me punonjësit e Bankës së Kursimeve, të cilët u shkurtuan përpara privatizimit dhe iu dha paga e dy vjetëve. “Sherri” i filluar nga punonjësit, që mund të zbehte rëndësinë e ceremonisë, ka bërë që Kryeministri të qetësojë shpejt punonjësit, duke deklaruar se qeveria do të marrë përsipër të gjitha format e kompensimit. “Ne detyrohemi të bëjmë lëvizje kompensuese për shkak të standardeve të larta profesionale dhe prandaj me ligjet vendëse këta punonjës që po largohen do të kenë mundësinë e marrjes për dy vjet të pagës së plotë, edhe për t’u ritrajnuar në punësime të reja”, është shprehur Kryeministri Nano. Nga ana tjetër, duket se aeroporti i ri do të ketë nevojë për fuqi të specializuar punëtore. Kompania ka sot në punë 234 punonjës, të përzgjedhur me testime standarde dhe rreth 1000 punonjës të tjerë janë punësuar apo do të punësohen nga kompanitë nënkontraktore në ndërtim, përfshi edhe shërbimet e mirëmbajtjes, ndihmëse të sigurisë së aeroportit etj. “Në një kohë relativisht të shkurtër, do të krijohen rreth 2000 vende të reja pune me këtë iniciativë”, ka deklaruar Kryeministri Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›