E Hënë, 2 Nëntor 2026

Edhe një herë Toni Bleri

07/05/2005  Lideri i laburistëve është rizgjedhur me një shumicë “të tkurrur”

Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që Partia Laburiste të fitonte tre herë radhazi në zgjedhjet parlamentare. Më parë, Margaret Thatcher e kishte arritur këtë në drejtimin e konservatorëve, duke qenë e para kryeministre, në historinë moderne të Britanisë, që arrinte një gjë të tillë

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Bleri pranoi se britanikët e kishin ndëshkuar qeverinë e tij 8-vjeçare. “E di që Iraku ka qenë një çështje përçarëse, por shpresoj që tani ne të jemi në gjendje të bashkohemi sërish dhe të shohim nga e ardhmja, e atjeshme dhe e këtushme”, deklaroi Bler, që fitoi sërish një vend në parlament në zonën e Sedgefield, pavarësisht sfidës së babait të një ushtari të vrarë në luftë

Toni Bleri fitoi një mandat të tretë historik si Kryeministër i Britanisë, por partisë së tij iu reduktua dukshëm mazhoranca në parlament, një ndëshkim ky për angazhimin në luftën në Irak. Një Bler goxha i zbutur, deklaroi se “kësaj do të na duhet t’i përgjigjemi në mënyrë të ndjeshme, të mençur dhe të përgjegjshme”. Rezultati i zgjedhjeve ndoshta mund të bëjë gati terrenin për një zëvendësim të mundshëm të Blerit, në mesin e mandatit, nga ana e një rivali brenda partisë, siç është Gordon Braun. Si Sekretar i Thesarit, Braun, i njihet nga të gjithë merita e mbajtjes së një ekonomie të fuqishme, e cila duket se ka qenë një faktor kyç në fitoren e laburistëve.

Kanali televiziv BBC parashikoi se laburistët do të marrin 68 vende më shumë në Parlament sesa të gjithë partitë e tjera të marra së bashku – më pak se gjysma e avantazhit prej 161 vendesh që kishin në parlamenti e mëparshëm. Rezultatet e fillimit tregonin një pjesëmarrje prej mbi 61 për qind të elektoratit në këto zgjedhje.

“Mendoj se mund të jemi krenarë për atë që kemi arritur deri më sot”, u tha Bleri mbështetësve të tij dje. “Dhe tashmë kemi marrë një mandat për të vazhduar të qeverisim këtë vend”, shtoi Kryeministri.

Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që Partia Laburiste të fitonte tre herë radhazi në zgjedhjet parlamentare. Më parë, Margaret Thatcher e kishte arritur këtë në drejtimin e konservatorëve, duke qenë e para kryeministre, në historinë moderne të Britanisë, që arrinte një gjë të tillë.

Udhëheqësi i konservatorëve në opozitë, Michael Hauard uroi Kryeministrin për fitoren, por shtoi se tashmë Bleri duhej të kujdesej më shumë për shëndetësinë dhe uljen e kriminalitetit. “Ka ardhur koha që ai të veprojë, dhe jo vetëm të flasë”.

“Ndëshkim”

Një pjesë e mirë e strategjisë së konservatorëve ishte të bënte një referendum mbi Blerin, duke u bërë thirrje votuesve “që të çjerrin maskën e tij”. Megjithëse Hauard e kishte mbështetur luftën në Irak, ai sulmoi Kryeministrin gjatë fushatës, duke e akuzuar se kishte gënjyer në lidhje me informacionet e zbulimit dhe ligjshmërinë e pushtimit si dhe për mungesën e një plani për të fituar paqen.

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Bleri pranoi se britanikët e kishin ndëshkuar qeverinë e tij 8-vjeçare. “E di që Iraku ka qenë një çështje përçarëse, por shpresoj që tani ne të jemi në gjendje të bashkohemi sërish dhe të shohim nga e ardhmja, e atjeshme dhe e këtushme”, deklaroi Bler, që fitoi sërish një vend në parlament në zonën e Sedgefield, pavarësisht sfidës së babait të një ushtari të vrarë në luftë.

“Më duket e qartë... që populli britanik kërkonte që në qeverisje të ishim sërish ne, laburistët, por me një mazhorancë të reduktuar”, tha Bler. “Dhe kësaj ne duhet t’i përgjigjemi në mënyrë të ndjeshme, të mençur dhe të përgjegjshme”.

Por me një mazhorancë shumë më të vogël, tashmë Blerit do t’i duhet të përballet me vështirësitë në kontrollimin e një fraksioni të partisë së tij, që është thellësisht i zhgënjyer me lidershipin, sidomos në lidhje me Irakun. Ndërkohë, Bler ka pranuar tashmë se ky do të jetë mandati i tij i fundit.

“Një prej konkluzioneve të këtyre zgjedhjeve është se Bleri me siguri që nuk ka një mandat për të nisur një tjetër luftë së bashku me George Bushin”, tha dje Robin Cook, i cili dha dorëheqjen nga kabineti i Blerit, në shenjë proteste ndaj luftës. Clare Short, e cila edhe ajo dha dorëheqjen nga kabineti, për shkak të luftës, tha se “mendoj që të gjithë biem dakord se me një tjetër lider gjërat do të kishin shkuar shumë më mirë se kaq”.

Ish-sekretari konservator i Mbrojtjes, Michael Portillo, deklaroi se rezultati mund të rezultojë me rrezik për Kryeministrin britanik. “Teksa shoh këto rezultate, mendoj mbështetësit e Gordon Braun, të cilët tani po vrasin mendjen se sa kohë do t’u duhet për ta larguar Toni Blerin nga Douning Street”.

Ndërkohë që vetë Bleri u tkurr në fitoren e tij, Hauard fitoi edhe më shumë peshë, ndonëse partia e tij humbi për herë të tretë radhazi, ndonëse tregoi të paktën disa shenja jete. Hauard tha se rezultati kombëtar tregoi një hap të madh përpara për konservatorët, të cilët humbën thellë përballë Blerit në dy zgjedhjet e mëparshme.

Një shenjë mjaft domethënëse e ndjenjave antiluftë të britanikëve ishte zgjedhja në Parlament si deputet i pavarur i një ligjvënësi që kishte mbajtur qëndrim kundër luftës dhe që ishte përzënë nga laburistët. George Gallouey, në fjalimin përshëndetës pas fitores, pa e fshehur aspak zemërimin, tha: “Zoti Bler, kjo është për Irakun”. Ligjvënësi veteran u largua nga partia, pasi u bëri thirrje ushtarëve britanikë që të mos luftonin në Irak, fitoi kundër një besnikeje të Blerit në një distrikt të Londrës. Ai kandidoi si përfaqësues i Partisë së Respektit, të cilën e themeloi për t’iu kundërvënë luftës.

Ekonomia

Por, me sa duket, Bleri vetë përfitoi nga jopopullariteti edhe më i madh për konservatorët si dhe një ndjesi që opozita është më pak e aftë për të menaxhuar ekonominë. Dhe performanca e shkëlqyer ekonomike e qeverisë, me sa duket, la në hije pakënaqësitë për luftën në Irak. Laburistëve u njihet gjithashtu merita që kanë përmirësuar shërbimet publike si shëndetësia dhe arsimi, përmes investimeve të shumta.

E megjithatë, fitorja e parashikuar e laburistëve të enjten bënte kontrast të thellë me fitoret e mëdha të Blerit në vitet 2001 dhe 1997.

Qeveria e Blerit mposhti vetëm me pak vota diferencë revoltat brenda vetë laburistëve në parlamentin e fundit, përfshirë votimin për të shkuar në Irak. Në Britani, edhe qeverive të tjera u është dashur të përballen me mazhoranca të lehta. Thatcher fitoi me një mazhorancë prej 43 vendesh në vitin 1979. Pasardhësi i saj, John Major, pati vetëm 21 vende më shumë, të cilat shkuan drejt zeros në fundin e mandatit të tij pesëvjeçar.

Tashmë, Bleri i dobësuar politikisht do ta ketë të vështirë të bindë votuesit britanikë që të miratojnë draftin e Kushtetutës së Bashkimit Evropian – e cila kërkon ratifikim nga të gjithë shtetet anëtare.

Iraku

“Iraku përfshinte diçka të madhe – besimin”, tha Nikola Uidham, që votoi për laburistët 4 vjet më parë, por që këtë vit votoi për liberal demokratët. “Bleri kishte tetë vjetë kohë për të bërë impakt, dhe nuk ia doli. Ka ende probleme me shëndetësinë, arsimin dhe kriminalitetn”.

Vullnetarë nga Partia Demokratike e Shteteve të Bashkuara iu bashkuan fushatës së Blerit, ndërkohë që Bushi ka ruajtur distancën me konservatorët në opozitë, ndryshe nga aleanca e ngushtë me Blerin.

Reagimet e shtypit britanik

Shumica e gazetave britanike botojnë në faqe të parë fotografi të Kryeministrit Tony Blair, duke votuar në zonën elektorale në Sedgefield. The Daily Telegraph boton një foto të tij, duke ecur drejt qendrës së votimit, me bashkëshorten Cherie, dhe dy djemtë e tij të mëdhenj, Euan dhe Nicky, që votonin për herë të parë. The Daily Mirror në kryeartikull pyet: "Për sa kohë do të jetë Blair në krye" - duke reflektuar kështu idenë se Kryeministri nuk do t'i qëndrojë besnik deklaratës se do të qendrojë në post deri në fund të mandatit.

The Guardian citon kolegët e z.Blair të kenë thënë se ai ishte i tronditur nga armiqësia personale që u tregua ndaj tij gjatë fushatës elektorale. Sipas gazetës, z.Blair e kishte pranuar se kishte shumë pak gjasa që ta rifitonte besimin e humbur. Burimet e mirinformuara të cituara nga ajo, kanë lënë të kuptohet se Kryeministri po e humbet pushtetin që tani po anon nga ministri i tij i Financave, Gordon Broun. Por gazeta Independent sugjeron se z.Blair po përgatitet të vendosë autoritetin e tij në qeverinë e re, duke sjellë në kabinet aleatë nga krahu i Ri i Partisë Laburiste gjatë ndryshimeve që do të bëjë në kabinet. Në gazetë sugjerohet se ish-minsitri i Brendshëm, David Blunkett, do të rikthehet në kabinet për të siguruar kryerjen e reformave në sektorin publik.

The Daily Telegraph në kryeartikullin e saj shkruan se udhëheqësi i Partisë Konservatore, Michael Hauard, nuk duhet të ngutet për të vepruar pas humbjes. Gazeta shkruan se ai është personi i duhur për të shfrytëzuar problemet e qeverisë së re dhe për të mbikëqyrur ndryshimet që duhet të bëhen në gjirin e partisë së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›