E Hënë, 2 Nëntor 2026

Model “Dushku” apo politikë anglosaksone?

07/05/2005  Është bërë tepër sensitiv për politikën dhe ka marrë përmasa shqetësuese fenomeni, që u shfaq për herë të parë në Shqipëri, në zgjedhjet e kaluara parlamentare, në fshatin Dushk. Fenomen i cili po tenton të ripërsëritet në dimensione më të ekzagjeruara këtë vit, në zgjedhjet e reja elektorale të 3 korrikut.

Fenomeni politik i lidhur me emrin e fshatit të Lushnjës është bërë sinjifikativ dhe simbolikisht përfaqëson tendencën e krijimit dhe mbështetjes artificiale të aleatëve të vegël, "satelite" të dy partive të mëdha, PD dhe PS. Në një farë mënyre, politika shqiptare po përpiqet të legalizojë, një mekanizëm, i cili sjell një produkt politik jo të dobishëm dhe krejt të panevojshëm për Shqipërinë; fragmentarizimin e mëtejshëm të spektrit politik, krijimin e partive të reja të sajuara, për aleanca kombinatorike, para dhe pas zgjedhjeve, duke krijuar në këtë mënyrë, një partitokraci gjigande, të panevojshme, abuzive dhe të padrejtë, për një vend me përmasa të tilla varfërie dhe nevoja të kufizuara për “politikanë të shumtë profesionistë”.

Politikë Dushku, apo model anglosakson?

Në debatin e fundit, në emisionin e ri të televizionit publik shqiptar “Pse”, u evidentuan dy tendenca të politikës sonë, që ka kohë që diskutohen në opinionin publik. Cilin model politik do të ndërtojmë, dhe si do të jetë konfiguracioni i jetës politike në Shqipëri? Do të ecim në rrugën dhe sipas modelit anglosakson, duke kufizuar numrin epidemik të partive politike që mbijnë çdo ditë si këpurdhat pas shiut, apo do të mbështesim konceptin modern të përputhjes të numrit të tyre me nevojat e spektrit politik, dhe të grupimeve reale, me motive dhe interesa të qarta e të pastra politike. Do të frenohet kjo çmenduri partitokracie karrieriste e një lukunie njerëzish, që kërkojnë me çdo kusht të jetojnë pa punë në kurriz të shoqërisë, apo do të vazhdojmë në rrugën e fragmentimit pa kufi të këtij spektri dhe për hatër të tyre, të ecet pa asnjë kriter politik, në qorrsokak, duke krijuar dhjetëra parti të vogla, të cilat gjithashtu janë të etura për pushtet.

Fragmentarizimi, në mënyrë të panevojshme, duhet të ndërpritet me mjete demokratike, nëpërmjet vendosjes së "traut elektoral" real dhe jo të gënjeshtërt, për partitë e vogla, duke kufizuar numrin e tyre të panevojshëm, në përputhje me peshën politike dhe elektorale. Politika shqiptare megjithse në thelb e bindur për artificialitetin e fragmentarizimit të saj, për qëllime të ngushta, absolutisht pragmatike e utilitare, të politikanëve të shumë të këtij vendi, të etur për karrierë e përfitime materiale, po detyrohet të vazhdojë rrugën e gabuar dhe të padobishme, për transforimin e këtij vendi. Edhe në këtë fushë delikate, ne ecim kundër rrymës progresive të kohës moderne dhe të modeleve të kompozimit të spektrit të partive politike në mënyrë nominale, dhe me sa më pak parti. Duke shfrytëzuar prirjet e dukshme të klasës politike për karrierë, politika shqiptare po vazhdon të konsolidojë modelin, gjithnjë e më të fragmentarizuar, duke gjetur modele të tilla nxitëse të këtij procesi, siç është mënyra e pamerituar e rritjes artificialisht të peshës elektorale të partive inekzistente, nëpërmjet stratagjemave elektorale me emër tashmë të famshëm të një fshati, Dushk.

Mbase nuk është rasti që konceptet politike fshatareske, mizantrope, bizantiniste të politikanëve tanë, të nominuara me emrin e një fshati, që prodhoi 10 apo 11 deputetë tentojnë t’i kundërvihen, prirjes moderne të kufizimit të numrit të panevojshëm të partive politike, e nominuar si model anglosakson. Kudo në botën moderne, po tentohet dhe po ecet në kahun e kundërt me të cilin po ecën politika jonë. Ndërsa spektri politik kudo ngjeshet, dhe partitë përfaqësuese kufizohen, te ne vazhdon të ndodhë e kundërta, copëzimi i elektoratit, jo për shkaqe idesh apo ngjyrim politik, por për hatër të një sasie njerëzish, që i kanë mbushur mendjen vetes, se janë politikanë të lindur dhe që vetëm përmes saj, mund t’i shërbejnë vendit. Kjo tendencë e neveritshme u duk edhe në emisionin e fundit në televizionin publik, në të cilën politikanët e disa partive të vogla reaguan menjëherë dhe kundër konceptit të drejtë dhe qytetar të analistit Artur Zheji.

Bipolarizim apo bipartitizëm?

Padyshim, politika shqiptare ka tendencë të jetë bipolare. Në konceptin dikotomik, spektri politik, mund të jetë e shumta me dy pole të fuqishme (e majtë, e djathtë) dhe mbase, dhe me një pol centrist të fuqishëm, alternativ i dy poleve politike të kristalizuara tashmë, në vendin tonë. Nuk të mbushet mendja, pasi analizon strukturën dhe përbërjen sociale dhe të interesave politike të shoqërisë se ka kaq shumë grupime elektorale: Për shumë arsye të njohura historike dhe aktuale, të traditës historike dhe të nuancave të interesave të grupacioneve politike, bipolarizmi dhe një pol qendre do të ishin mëse të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë spektrin politik. Koncetrimi i interesave politike, në grupe konsistente dhe të arsyeshme dhe përfaqësimi i tyre në partitë politike respektive, do t'i shërbejë më mirë interesave të njerëzve, funksionimit të garës dhe jetës politike, kristalizimit të alternativave dhe forcimit të shëndetit të ekonomisë, kulturës, por dhe të vetë politikës shqiptare. Pa patur fare nevojë për këtë inflacion partish të panevojshme, që rëndojnë padrejtësisht dhe në mënyrë parazitare jetën shoqërore të vendit.

Nuk është normale kjo epidemi e papërmbajtur, ky difraksion pa limit, i spektrit hapësinor politik të majtë dhe të djathtë , me nuanca të holla interesash pa mbarim dhe krijimi në emër të të drejtës demokratike, për t’u organizuar, të një numri kaq të madh partish politike absurde, abuzive, qesharake dhe pa vlerë. Bipolarizimi në politikë, nuk ka nevojë të përkthehet si nevojë, për një numër kaq të madh partish politike, brenda një poli (të majtë apo të djathtë) saqë, e bëjnë të vështirë, numërimin "pafund" të partive të majta e të djathta, të cilat tani në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, duan "ilaçin" e Dushkut, për të mbijetuar. Interesat politike të kristalizuara si bipolare, mund të jenë fare mirë të plotësuara nëpërmjet përfaqësimit të tyre, nga politika e dy partive të mëdha politike, tashmë tradicionale, historike dhe me peshë në shoqërinë shqiptare, siç janë PD -ja dhe PS-ja, ndoshta edhe një pol centrist, si përfaqësues i të "tretës se përfshirë", ose siç njihet në politikën bashkëkohore, "rruga e tretë".

Tendencat për “rrugë të tretë”

Në politikën aktuale, krahas partive të shumta, që po mbijetojnë ende me sforco dhe që përbëjnë kosto, për partitë e mëdha, të cilat tentojnë që për ca llogari të vogla publike e private, të mbajnë aleanca me shumë prej tyre, t’i ushqejnë ato me elektorat dhe "serum dushku” në horizont tashmë, është shfaqur në mënyrë evidente një tendencë politike, që nuk duhet neglizhuar. Është fjala për dy tentativa serioze, të dy grupimeve të reja politike, siç janë Lëvizja Sociale për Integrim" dhe "Lëvizja për Zhvillim Kombëtar" për të krijuar një hapësirë të re politike, në mes dy poleve tradicionalisht të kundërt, të bllokuar nga PS dhe PD. Për herë të parë, më duket se në këto zgjedhje bëhet real dhe i vërtetë, rreziku i thyerjes së monopolit të fitoreve mazhoritare historike, 15-vjeçare të PS-së dhe PD-së. Këto lëvizje, të cilat gjithashtu kanë orientim politik të majtë ose të djathtë, kanë krijuar dhe po rrezikojmë fitoren e alternativave të kulluara. Madje, sipas mendimit tim, nuk është e pamundur, që në këto zgjedhje do të përballemi, ndoshta me një zgjidhje politike të “tretë”.

Në të vërtetë, "rruga e tretë" politike në Shqipëri, mund të ishte në dy mënyra të mundshme. LSI-ja dhe LZHK-ja, mund të qëndronin në pozicionin edhe me PS-në, edhe me PD-në, ose as me PD-në dhe as me PS-në. Siç duket, deri tani këto dy lëvizje tentojnë që të bllokojnë hapësirën e qendrës së majtë dhe të djathtë, duke tentuar shkëputjen nga PS-ja dhe PD-ja, të elektoratit të pakënaqur me politikat e tyre tradicionale. Tendenca e këtyre dy lëvizjeve për pozicion politik dhe “rrugë të tretë” po e zvogëlon hapësirën e mbijetesës se partive të tjera të vogla, personaliteti politik i të cilëve është në rrezik. Ato tashmë janë përballë krizës së identitetit dhe të ekzistencës së tyre. Për to, tani ka dy rrugë ose shuarje politike të disa partive politike si të panevojshme, ose konformim pa kushte në partitë e mëdha, duke qëndruar nën “suzerenitetin” e tyre, si aleat gjithnjë e më pak të rëndësishëm. Relevanca e lëvizjeve të reja politike, në Shqipëri, u ka rezervuar këtë fat partive të vogla. Për këtë, pavarësisht deklarimeve prej “struci” në emisionin e parë të TVSH “Pse”, nga disa politikanë përfaqësues të disa partive të vogla, besoj se do të binden, pas datës 3 korrik, për fatin që i pret partitë e tyre. Poli i qendrës, nuk ka nevojë për parti të tilla, që mbijetojnë sepse janë herë me të majtën e herë me të djathtën, apo anasjelltas.

Policentrizmi shqiptar ka nevojë për ato forca politike që nuk janë as me PS-në e as me PD -në, sepse këto parti, kanë aq forcë elektorale, dhe identitet, saqë bëhen të panevojshëm për to “stratagjemat e turpshme a la Dushk”. Politika jonë, ka nevojë tashmë, për një alternativë të tretë, që nuk bën kompromis, as me të majtën, as me të djathtën, ka nevojë për një “rrugë të tretë”, për një “politikë të qendrës”, e cila të dallohet nga politikat e kristalizuara të PS-së dhe PD-së. Ndoshta, ka ardhur koha, që modeli politik anarkik i strukturës së partive politike, i bazuar në antitezën bipolare, të njohur PS-PD, dhe të një vargu të shkurtër partish, të vogla, aleate apo satelite të tyre, të zëvendësohet gradualisht, me modelin e pastër anglosakson apo triadik, me dy parti të forta kundërshtare, dhe një pol të fuqishëm centrist. Besoj se na dalin tre rrugë për të gjetur Evropën…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›