E Hënë, 2 Nëntor 2026

18 vjet burg se paralizoi kunatin me 14 plumba

24/05/2005  TIRANË – Prokurori Përparim Kulluri i kërkoi dje gjykatës dënimin e të pandehurit Kreshnik Dauti, me 18 vite burg. Akuza me të cilën u kërkua deklarimi fajtor për të pandehurin, është ajo e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë. Dauti nuk arriti të eliminonte kunatin e tij, Aurel Buzi, që, sipas akuzës, i kishte lënë të motrën. Por, ai bëri që Buzi të merrte në trup 14 plumba duke mbijetur, por në karrige invalidësh. Tre vjet më pare, kur i tha të fejuarës se nuk e donte më, pasi ishte lidhur me një vajzë tjetër, nuk e mendoi gjatë. Nderi i motrës bëri që vëllai të merrte hak. Aurel Buzi, që nga data 13 gusht 2003, nuk është më në gjendje të ecë vetë, apo të ketë lidhje me ndonjë vajzë. Madje, edhe e dashura për të cilën la të fejuarën dhe mori nga mesi e poshtë 14 plumba, nuk e takon më. Në seancën e datës 12 tetor 2004, Aurel Buzi u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i shoqëruar nga një i afërm. Gjatë gjithë kohës ishte nervoz, madje këto shenja i demonstroi shumë qartë. Kreshnik Dauti gjykohet në mungesë.

Ngjarja

"Ditën kur u qëllova në datën 13 gusht 2003 po kthehesha nga spitali i Fierit. Në makinën e të dashurës sime, Elona Tabaku, ishte edhe kunati im, Spartak Sulejmani. Ora ishte 19.00 ose 19.30 minuta. Ndalova makinën dhe sapo bëra të zbrisja, pashë në anën tjetër të rrugës në një makinë me targa të Durrësit, Kreshnik Dautin, që mbante një armë automatike në dorë. Në moment i thashë: "mos më qëllo, o Kreshnik". Kaq munda të flisja, pasi breshëria e plumbave më rrëzoi në tokë. Këtë deklarim i pandehuri e ka bërë edhe në Prokurori. Ndërkohë që ka pohuar faktin edhe në gjykatë. Megjithëse ka marrë 14 plagë nga ish-kunati, ai pretendoi ta mbronte, duke mos dashur ta atakojë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në vitin 1997 ishte fejuar me motrën e Kreshnik Dautit nga fshati Çekrez i Fierit. Por tre vjet më vonë, pra në vitin 2000, ai ndahet me të fejuarën, pasi ishte lidhur me Elona Tabakun. I dëmtuari është shprehur se është ndarë me motrën e të pandehurit, pasi u qëllua prej tij. "Unë Albana Dautin e lashë për probleme familjare. Pasi u qëllova nga vëllai i saj, më kujtohet se në spital kam thënë disa herë "më qëlloi Kreshniku". Tani Aurel Buzi ka humbur gjithçka. Deklarimet e bëra në gjykatë nga i dëmtuari, ku mundohej të mbronte të pandehurin, u hodhën poshtë nga prokurori që lexoi procesverbalin e mbajtur në datën 14 gusht 2004, një ditë pas ngjarjes.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›