E Hënë, 2 Nëntor 2026

I pandehuri qëlloi motrën dhe nënën

24/05/2005  12-vjeçarja dëshmon në gjykatë për vrasjen

Kastriot Maksuti dje ka patur përballë në sallën e gjyqit ish-kunatën e tij 12 vjeçe, e vetmja që pa skenën kur i pandehuri filloi të grindej me nusen dhe vjehrrën. Vajza e vogël i ka treguar gjykatës me lot në sy, se skenën e sherrit e përjetoi shumë keq, duke u ngritur menjëherë për të kërkuar ndihmën e babait, i cili punonte te një bashkëfshatar. Maksuti në mesin e vitit të kaluar qëlloi mbi gruan dhe vjehrrën e tij disa herë, duke i lënë të vdekura në vend. Kunata e Maksutit, tha dje se ka parë e ka dëgjuar gjithçka. "Kastrioti erdhi në shtëpi dhe motra kur e pa i tha të largohej, se nuk do të shkonte me të. Ai e ndiqte nëpër dhomë, ndërsa motra ime kishte hipur në divan. Unë u largova për të thirrur babanë, por sapo dola dëgjova krisma". Nga ana tjetër, Maksuti u shpreh se qëlloi mbi nusen dhe vjehrrën për t’u mbrojtur, pasi ato kishin marrë thikën për ta qëlluar. I pandehuri kundërshtoi dëshminë e vajzës së vogël. E quajti të sajuar, pasi ai nuk kishte patur si qëllim t'i vriste.

Ngjarja

Kastriot Maksuti ka qenë i martuar me viktimën. Nga keqtrajtimet e shumta që i ka bërë bashkëshortes, ata nuk kanë arritur të bëhen me fëmijë. Dy fëmijë janë dështuar prej viktimës. Madje, ajo ka ikur nga shtëpia e burrit me krahë të thyer. Në këto kushte vendos të mos kthehet më. Por, pasi ka kaluar një periudhë kohe, i pandehuri Kastriot Maksuti, shkon për të marrë bashkëshorten me forcë. Kundërshtimi i saj ka bërë që Maksuti të qëllojë për vdekje mbi nënë e bijë. Pas krimit, i pandehuri me pistoletën në dorë është larguar përmes fshatit Kamenicë, duke marrë me forcë një furgon dhe duke i thënë drejtuesit të mos merrte pasagjer, se do ta paguante vetë. Pas kryerjes së krimit ka ikur në Greqi, ku është kthyer në fillim të këtij muaji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›