Moxhi: Ibra e Emerson nuk preken
24/05/2005 Pas fitores së titullit kampion, Luçiano Moxhi i bën komplimenta Fabio Kapelos: “Është një trajner i madh dhe nuk e kuptoj përse nuk duhet të ishte ai njeriu më i rëndësishëm për të fituar. Ne e morëm për këtë arsye, sepse e dinim që është trajneri më i mirë i Italisë”. Drejtori sportiv i Juventusit ka lënë të kuptohet që boshti kryesor i skuadrës nuk do të ndryshojë as vitin e ardhshëm: “Jam një mbrojtës i vendosur i Del Pieros. Vinte nga një dëmtim dhe kur u kthye në formë, tregoi se ç’farë di të bëjë. Morëm Kanavaron sepse kishim besim se mund të luante mirë dhe kështu ndodhi. Ibra? Është një lojtar i kompletuar, që mund të bëjë gjithçka, ose më tepër se kaq”. Moxhi ka lëshuar edhe një batutë në lidhje me ofertat e Realit të Madridit për sulmuesin suedez dhe Emersonin: “Juventusi nuk është skuadra e duhur për të kërkuar përforcime. Diskutimi i Zlatanit e Emersonit nuk është hapur dhe nuk ka për t’u hapur ndonjëherë”. Ndërkaq, edhe vetë Emerson ka përgënjeshtruar me vendosmëri zërat që e shihnin drejt Madridit: “Nuk më intereson Reali, jam i Juves dhe do të qëndroj këtu. Kam një kontratë me klubin bardhezi dhe do ta respektoj deri në fund”.