E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bekam: Ibrahimoviç “galaktik”

24/05/2005  Mesfushori ka pranuar se suedezi është një nga sulmuesit më të fortë në Botë për momentin

Kapiteni i Kombëtares angleze, Devid Bekam, ka mbështetur ofertën e Real Madridit, për të marrë shërbimet e sulmuesit të Juventusit, Zlatan Ibrahimoviç. Vet menaxheri i lojtarit ka deklaruar se madrilenasit kanë bërë një ofertë rekord, prej 70 milionë eurosh (48 milionë paund), për të bindur ish-sulmuesin e Ajaksit që të bëhet “galaktiku” i ardhshëm. Edhe pse një transferim i tillë mund të vendosë fatin e bashkëpatriotit të tij, Majkëll Ouen, mesfushori nuk e ka fshehur aspak faktin se Ibrahimoviç e meriton të jetë një “galaktik”. “Po flasim për një nga sulmuesit më fortë në botë. Ai është i gjatë, i fortë, ka një teknikë shumë të mirë dhe arrin të krijojë shumë raste”. 23-vjeçari i Kombëtares suedeze ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit spanjoll, gjatë ndeshjes në Ligën e Kampioneve, midis Juventusit dhe Realit. Për më tepër, ai ka realizuar 16 gola gjatë këtij sezoni në Serinë A. Por, pavarësisht nga lëvdatat e shumta për Ibrahimoviç, Bekam është shprehur i shokuar nga shifra e përfshirë në këtë transferim. Deri në këto momente, shifra rekord në merkato mbahet pikërisht gjatë një marrëveshjeje, midis dy klubeve, ku në verën e 2001-shit, Zinedin Zidan kaloi nga Juventusi te Reali, për 67 milionë euro. “Shuma e parave në këtë marrëveshje është me të vërtet e pabesueshme, por dihet se gjërat nuk funksionojnë më në të njëjtën mënyrë”- vazhdoi më pas mesfushori. “Skuadra duhet të vazhdojë të forcohet vazhdimisht dhe ekipe të tillë, si Reali, duhet gjithmonë të nënshkruajnë me të mirët, nëse duan të qëndrojnë konkurues”. Bekam, i cili gjatë kohëve të fundit ka festuar 30-vjetorin e tij dhe ka këmbëngulur se do të vazhdojë të luajë edhe për shumë kohë, ka pranuar se nuk dëshpërohet edhe nëse nuk luan në çdo takim. “Unë jam një nga ata lojtarë të skuadrës që po plaket dhe është gjithmonë diçka e bukur të kesh një ekip që të mbështet”- theksoi ai, pasi Reali mbylli sezonin e dytë, pa fituar asnjë trofe. “Jam i zhgënjyer me faktin se nuk kemi arritur të fitojmë asnjë. Duhet të punojmë më tepër sezonin e ardhshëm dhe do të mundohemi që gjërat të mos jenë më në të njëjtën mënyrë”- përfundoi Bekam.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›