E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zani, Prokuroria po heton të vdekurit

24/05/2005  Rebelohet Çaushi në sallën e gjyqit ndaj akuzës

TIRANË - Ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës në vitin 1997, kanë detyruar prokurorin e çështjes, Eljo Mazreku, të lexojë disa deklarime të dëshmitarëve dhënë kundër grupit të Myrteza Çaushit. Pikërisht leximi i këtyre deklarimeve ka revoltuar disa herë Zanin, i cili e ka quajtur prokurorinë të paskrupullt dhe një institucion pa vlerë. Fjalët e Çaushit kanë qenë të rënda, aq sa disa herë është ngritur nga vendi i revoltuar. Në sallën e gjyqit, i vetmi person që shoqëronte Zanin e famshëm të Vlorës, ishte shoqja e tij. E shoqëruar nga një vajzë tjetër, ajo ndodhet në sallën e gjyqit sa herë që Zani ka seancën gjyqësore. Po kështu, edhe dje ka qëndruar në sallë deri në fund, duke dëgjuar gjithçka. Është studente dhe disa herë ka bërë takime me të "fortin" e Vlorës, që tashmë ndodhet në burg të përjetshëm. Këtë masë dënimi është duke e kryer në Burgun e Sigurisë së Lartë Burrel.

Deklarimet

Në seancën e djeshme i vetmi dëshmitar në sallën e gjyqit, që u paraqit fizikisht, ishte bodiguardi i drejtorit të financave të firmës "Cenaj" në vitin 1997, Ardian Kina. Ky i fundit shpjegoi faktin se, vëllait të pronarit të firmës, Lefter Cenaj, i janë vjedhur 10 milionë lekë. Këto para, sipas dëshmitarit, nuk ishin marrë nga Zani, por nga një grup tjetër. Pas kësaj dëshmie, prokurori lexoi deklarimet e disa dëshmitarëve lidhur me disa vrasje, vjedhje e përdhunime. Të gjitha deklarimet që, sipas prokurorit, janë dhënë në prani të oficerëve të policisë gjyqësore, faktojnë ngjarjet e ndodhura në vitin 1997 dhe që, sipas tij, janë kryer nga pjesëtarët e grupit të Zani Çaushit. Por i pandehuri ka kundërshtuar forcërisht, duke thënë se ka mbrojtur qytetin, duke e pastruar nga kufomat. Po dje, Zani deklaroi se Dorjan Saliu ka vdekur që prej tre muajsh dhe prokurori ende vazhdon ta ketë në dosje si të pandehur. Një tjetër emër shumë i përfolur ishte edhe ai i Leonard Idrozit, (durrsaku) i cili ka vdekur. Ky i fundit, përveçse ka përdhunuar një vajzë, ka vrarë edhe dajën e tij, ndonëse është shprehur se e ka bërë pa dashje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›