E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Shkodra, 15% investime më shumë se Vlora”

24/05/2005  Fatos Nano prezanton Lekë Çukaj dhe Pal Lerën

SHKODER – Tone agresive për opozitën dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka përdorur dje kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë prezantimit të dy prej kandidatëve për deputet për rrethin e Shkodrës.

Përveç prezantimit të kandidatëve, diskutimi i Nanos u përqëndrua kryesisht në tri pika kryesore, si investimet në komunën e rrethinave dhe Qarkun e Shkodrës, goditjen e opozitarëve të PD-së dhe sulmin ndaj LSI-së.

Lidhur me investimet e bëra dhe që do të bëhen në dobi të zonës, Nano numëroi investimet e bëra në Qarkun e Shkodrës, duke filluar me shifrën 4 miliardë lekë të investuar nga Buxheti i Shtetit në 4 vitet e fundit për Qarkun e Shkodrës, që duke i krahasuar me ato të Vlorës, pasi bëri një përllogaritje për një mijë banorë, theksoi se nga kjo përllogaritje, Qarku i Shkodrës ka përfitur 15 për qind më shumë investime se ai i Vlorës.

Evident ishte sulmi ndaj forcave politike të PD-së dhe të LSI-së.

Nano e cilësoi regjimin e kaluar të Berishës si primitiv dhe opozitën si një kërcënim për të gjithë dhe si pjesë e fondamentalizmit ballkanas nga Shqipëria në Serbi, që po kërkojnë të kthehen në pushtet për të trazuar ujërat e paqes.

Në sulmin e tij ndaj LSI-së, Nano theksoi se ka nga ata që u ndanë nga familja e përbashkët, por largimi i tyre kishte ardhur se nuk kishin mundur dot të ndiqnin ritmin drejt të ardhmes evropiane, duke bërë edhe gabimin tjetër, atë të kërkimit strehë pranë PD-së, për inatet dhe hakmarrjet e vogla.

Në fund, Kryeministri Nano ftoi elektoratin që të votonte për kandidatët socialistë Lekë Çukaj dhe Pal Lera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›