Uilliamsi "rilind" në Monako
24/05/2005 Në Çmimin e Madh të Monte Karlos ka ardhur edhe kthesa, për skuderinë e Uilliams-BMË. Skuadra e Uilliams ka korrur një rezultat të shkëlqyer, duke çuar të dyja njëvendëshet e saj në pod, Heidfeld i dyti dhe Veber i treti. Ky sukses i ka kthyer buzëqeshjen gjithë skuadrës, që prej disa muajsh kërkonin të dilnin në sipërfaqe, pas atij fillimsezoni, shumë poshtë parashikimeve. E veçanta është se kjo paraqitje e mirë u bë në pistën e vetme të këtij lloji, në kalendarin e Formula 1. Mario Teisen ka thënë se do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe në garat e tjera. “Besoj se jemi kthyer në garë me skuadrat më të mira, edhe pse na mungon akoma diçka. Të rekuperosh në renditje është pozitive dhe sigurisht, i jep një motiv më shumë të gjithë skuadrës”, ka thënë Mario Teisen. Nuk mund të them se gara e Monakos ishte një rastësi, por kjo garë ka treguar fillimin e një rekuperimi të madh dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”. Teisen ka mbetur i habitur nga problemet e disa pilotëve me gomat, probleme që i lejuan dy makinave Uilliams të parakalojnë Alonson, në finalen e garës. “E prisnim që disa skuadra të kishin probleme me gomat, por jo kaq shumë, sepse normalisht në Monako, nëse një makinë është 2 ose 3 sekonda më e ngadaltë në krahasim me të tjerat, nuk të jepet mundësia për të parakaluar. Por, këtë herë bëhej fjalë për 5 ose 6 sekonda dhe ne e shfrytëzuam mirë momentin. I dhamë të dy pilotëve 19000 xhiro, në mënyrë që të parakalonin Fernando Alonson në finale dhe ata ia arritën. Gara e ardhshme në Nurburgring, sigurisht do të ofrojë kushte të ndryshme, në krahasim me Monakon, por ne shpresojmë të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë”, ka mbyllur Teisen.