Ftesa e Mesiçit, Topi pjesë në Samitin e Dubrovnikut
Autori i Lajmit: Red.Presidenti Bamir Topi është ftuar nga Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, për të marrë pjesë, së bashku me të gjithë krerët e shteteve të rajonit ballkanik, në Samitin IV Ekonomik për Evropën Juglindore, që do të mbahet në Dubrovnik në datat 22-23 nëntor 2007. Kjo ftesë iu dorëzua Presidentit Topi nga ambasadori kroat në Tiranë, Darko Javorski, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Presidencë. Në takim, u vunë në pah marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona dhe përpjekjet për të realizuar aspiratën e përbashkët të integrimit në familjen evropiane dhe euroatlantike. Ndërkohë po dje, Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës së Kazakistanit për Shqipërinë, me rezidencë në Ankara të Turqisë, Beibit Isabajev, i cili i paraqiti letrat kredenciale. Presidenti Topi vlerësoi vendosjen për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve si një hap që premton rritjen dhe konkretizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Kazakistanit. Forcim të marrëdhënieve dypalëshe ka premtuar dhe ambasadori i Republikës së Gjeorgjisë për Shqipërinë, i cili i paraqiti po dje Presidentit Topi, letrat kredenciale.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007