Ish-maturantët, vazhdojnë protestat para MASH-it
Autori i Lajmit: Red.Kandidatët e pakënaqur nga lista e fituesve janë mbledhur sërish dje përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të shprehur pakënaqësitë e tyre për listat e fituesve që janë afishuar tashmë pranë shkollave të mesme dhe fakulteteve. Kandidatët e pakënaqur pretendojnë se në listat e fituesve janë futur të rinj, që kanë më pak pikë se ata që kanë mbetur jashtë dhe e kanë akuzuar ministrin Pollo se po çon nëpër universitete njerëz, të cilët nuk e meritojnë. Ata kanë kërkuar gjithashtu transparencë për mënyrën se si janë hartuar dhe korrigjuar testet dhe shkarkimin nga detyra të gjithë këtij stafi që u mor me këtë procedurë. Pretendimin e tyre ata e kanë bazuar në faktin se një gjimnazist me mesataren pesë apo gjashtë, ka arritur të kapë po aq pikë (rreth 5 mijë) sa kanë kapur ata që kanë pasur mesataren shtatë apo tetë.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007