19-vjeçari Albert Brunga u arrestua tri ditë më parë
I arrestuari i tri ditëve më parë në Lezhë, i cili akuzohet për vjedhje me armë, ka tentuar të vetëvritet në ambientet e policisë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së enjtes, kur Albert Brunga, 19 vjeç, ka përdorur mjete rrethanore, duke i lidhur në pjesën e sipërme të dhomës së sigurisë dhe më pas ka tentuar të vetëvaret. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Lezhës bënë të ditur se pikërisht rreth orës 09:40 të mëngjesit të së enjtes, një punonjës policie e ka vënë re 19-vjeçarin te dera e ambienteve të sigurisë për personat e arrestuar. Menjëherë atij i është ofruar ndihma e parë, duke e dërguar në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se mendohet se ai e ka kryer këtë akt për arsye morali, pasi është arrestuar për vjedhje me armë dhe nuk e duronte këtë fakt. Megjithatë, hetimi për këtë çështje vazhdon dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes po heton edhe SHKB-ja. Albert Brunga, 19 vjeç nga Lezha, është arrestuar nga forcat e policisë, pasi ka tentuar të grabisë me maskë dhe me armë fabrikën e tullave dhe kamionët që ndodheshin aty për furnizim. Kanë qenë vetë punonjësit e fabrikës, të cilët kanë lajmëruar forcat e rendit, të cilat menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje. Sapo ka parë uniformat blu, 19-vjeçari është larguar nga pjesa e pasme e fabrikës, por është arrestuar më vonë. Sipas policisë, Brunga u ka zënë rrugën kamionëve të fabrikës së tullave. Madje ka qëlluar edhe në ajër me pistoletë për të frikësuar shoferët. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia ka gjetur maskën dhe pistoletën, me të cilat ka tentuar të kryejë grabitjen.