E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy zyrtarëve të OSSH-së, gjobisnin biznesmenin nga Lezha

Dy zyrtarë të OSSH-së kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohen për korrupsion, duke detyruar një subjekt privat për të dhënë ryshfet. Arrestimi i tyre është bërë në qytetin e Lezhës, ndërkohë që operacioni është drejtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Viktor Ujka, që është kryetar i Degës së Shitjes së OSSH-së në Lezhë, bashkë me specialistin Gjovalin Prenga, janë kapur me paratë e marra nga subjekti tregtar paraditen e djeshme, teksa kryenin funksionin në zyrat e tyre. Ngjarja e rëndë është denoncuar nga i dëmtuari, pasi kishte rreth dy vite që vuante nga ryshfetet që u jepte këtyre dy personave.
Burimet zyrtare bënë të ditur se Drejtoria kundër Krimit Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Lezhë dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, kanë përfunduar me sukses operacionin e koduar "Energjia e Ndërprerë" për arrestimin në flagrancë të dy punonjësve të OSSH-së, dega Lezhë. "Gjatë këtij operacioni në pranga përfundoi Viktor Ujka, 45 vjeç, me detyrë kryetar i degës së shitjes së OSSH-së në Lezhë dhe Gjovalin Prenga, 57 vjeç, me detyrë faturist dhe specialist për ndërprerjen e energjisë", detajoi në një komunikim për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Pas një hetimi disamujor, të kryer me metoda speciale, dyshohet se këta shtetas, me anë të veprimeve të paligjshme, korruptive, për një periudhë prej rreth dy vjetësh e kanë detyruar një subjekt tregtar që t‘u jepte ryshfet në një shumë prej 800 mijë lekësh në çdo muaj. Ky veprim korruptiv kryhej në këmbim të faturimit aforfe të energjisë elektrike për një vlerë më të vogël nga sa konsumonte. Subjekti tregtar kërcënohej se në rast se nuk do të paguante 800 mijë lekë të vjetra, do t‘i ndërpritej energjia elektrike dhe do të detyrohej të paguante faturat që nga viti 2007. Duke u ndodhur në këtë situatë, personi, i cili është pronar i një biznesi mermeri në Lezhë, ka kërkuar ndihmën e policisë. Ai është paraqitur pranë Komisariatit të Lezhës dhe ka kontaktuar me specialistët e Antikrimit Ekonomik. Atyre u ka treguar se historia kishte filluar në vitin 2007. Sipas tij, biznesi që kishte konsumonte shumë energji elektrike dhe për këtë arsye faturat i vinin tejet të larta. Kështu ka rënë dakord me specialistin që fatura t‘i vijë 300 mijë lekë të vjetra, ndërsa nën dorë të paguante edhe 500 mijë lekë të vjetra. Por, pak kohë më parë, biznesi nuk ka sjellë fitime dhe ka kërkuar nga dy personat e arrestuar që t‘ia ulnin faturën e gjobës. Por, ata nuk kanë pranuar, por e kanë kërcënuar se do i fusnin me kamatë edhe për vitet 2007, 2008 dhe 2009. Pasi ka treguar gjithë këto të dhëna në polici, biznesmenit i janë dhënë 300 mijë lekë të vjetra me numër serie të identifikuar dhe i ka dorëzuar. Ndërsa dje, agjenti i infiltruar i policisë ka dërguar edhe 500 mijë lekë të tjera, duke kryer edhe arrestimin e dy personave të dyshuar. Policia tha se arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë dje në zyrën e OSSH-së, dega Lezhë, pasi i kanë marrë subjektit tregtar shumën e 500 mijë lekëve si ryshfet për muajin gusht, ku disa ditë më parë i kishin marrë edhe 300 mijë lekë, në këmbim të lidhjes së energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›