E Diel, 1 Nëntor 2026

G20, forumi që do të menaxhojë ekonominë botërore

Grupi i të 20-ve do të shndërrohet në forum global për menaxhimin ekonomik, do t‘u japë më shumë hapësirë dhe pushtet fuqive të tilla si Kina, si dhe do të nxjerrë rregulla më të ashpra në lidhje me kapitalin bankar në fund të vitit 2012. Kjo ishte përmbajtja e një komunikate të publikuar të premten në Pitsburg nga vendet që po marrin pjesë në takimin e G20-ës. Në ditën e parë të takimit dyditor iu vu theksi rimëkëmbjes ekonomike të planetit. Në përfundim të sesionit të parë, 20 vendet që përbëjnë 85% të prodhimit të botës u zotuan se të vazhdonin me mbështetjen ekonomike ndaj sektorëve problematikë deri sa të shfaqeshin shenjat e qëndrueshmërisë. Ndërkohë, G20 do të marrë në të ardhme rolin e G8-ës duke iu dhënë kështu për herë të parë një rëndësi të veçantë vendeve në zhvillim. Kjo do të thotë se vendet e zhvilluara më në fund e njohën formalisht faktin se ato nuk e kanë monopolin e mençurisë dhe të drejtën për të marrë vendime ekskluzive në lidhje me fatet e ekonomisë botërore. Kjo është edhe arritja më e madhe e samitit. Për sa i përket rezolutës përfundimtare të takimit dyditor që po zhvillohet në Pitsburg, sipas disa burimeve pritet që ajo të përfshijë marrëveshjet e mëposhtme: vazhdimin e veprimeve të ndërmarra në takimin paraardhës të Londrës në lidhje me rimëkëmbjen e krizës financiare; G20 do të jetë organizata kryesore në botë që do të merret me çështjet e menaxhimit ekonomik; do të bihet dakord në lidhje me faktin që është e nevojshme një strategji e rritjes dhe se është ende herët që të hiqet dorë nga masat e stimujve ekonomikë; G20 do të veprojë si një sistem që do të paralajmërojë paraprakisht krizat e ardhshme; rregullat në lidhje me bonuset e bankierëve do të jenë më të ashpra nga sa pritej. Por i rëndësishëm është roli i ri që do të marrë në të ardhmen për menaxhimin ekonomik të planetit G20-ta. Për Obamën, që ishte zoti i shtëpisë, ky qe një tjetër test për aftësinë e tij si menaxhues i çështjeve të brendshme dhe të jashtme. Një tjetër hap i rëndësishëm në drejtim të rritjes së pushtetit të vendeve në zhvillim ishte edhe se G20 është pranë një marrëveshjeje që mund t‘u japë një pushtet më të madh vote brenda FMN-së vendeve të tilla si Kina dhe India. Me gjithë fuqinë që do të ketë G20-ta, ajo nuk do të detyrojë dhe ushtrojë presion në ekonomitë e vendeve të ndryshme, edhe pse në njëfarë mënyre një sërë masash që u morën për të përballuar recesionin ishin të përbashkëta për shumë vende në krizë. Për sa i përket ekonomisë botërore, ajo duket se po e merr veten më shpejt nga sa e kishin menduar disa ekonomistë në fillim të krizës dhe kjo sipas disa analistëve, falë uljes së përqindjes së interesit dhe pompimit me para të bankave dhe institucioneve të tjera financiare që ishin në prag të falimentimit. E njëjta gjë pritet që të ndodhë edhe me strategjinë përfundimtare, pra ajo do të jetë thuajse e njëjtë për shumë vende që operuan me të njëjtën strategji në fillim të krizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›