Bashkëshortja e Ademit: Si shpëtoi im shoq nga vrasja
Disa seanca më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka autorizuar prokurorin e çështjes të lexonte dëshminë e Kujtime Arapit, bashkëshortja e Adem Arapit, e cila ka ndërruar jetë kohët e fundit. Në deklaratën që kishte lënë para oficerëve të Policisë së Fierit, ajo tregonte torturat që kishte hequr Ademi nga njerëzit e Aldo Bares. "Me të marrë njoftimin e rrëmbimit të burrit, shkova te shtëpia e Alfred Shkurtit (Aldo Bares) dhe kam takuar aty babanë e tij, nënën dhe kunatën e tij. Në hyrje pashë Alfredin me shokët e tij. I fola Fredit, e takova dhe e pyeta për burrin. Fredi më pyeti përse kisha shkuar aty dhe unë i thashë që kisha dëgjuar se ai do të merrte hak për vrasjen e të vëllait. Ai më tha: ‘Unë e kam marrë dhe shko se e ke në spital. Thuaj shyqyr që e ke gjallë, se kur të shikosh emrat e të tjerëve në shtyllë do të thuash shyqyr që e kam gjallë. Unë nuk pyes për kurrkënd, me këtë dorë do të vras Met Zenelin, Mazarin, Idajet Beqirin. Nuk ka shtet dhe nuk pyes për kurrkënd. Bashkë me Alfredin aty ishin edhe Arben Boriçi, Zyber Shkurti, Ilir Stërgu, Veri Dondollaku, Enver Boriçi. Pas kësaj u largova dhe shkova në spital dhe e gjeta burrin tim të masakruar e pa ndjenja në gjendje kome. U kishin kërkuar që ta çonin në morg e të mos e mjekonin fare. Në spital kishin ndërhyrë Ylli Kërçuku dhe Bajame Kërçuku që të mjekohej. Pasi e mjekuam e morëm në shtëpi ku qëndroi në gjendje të rëndë për disa ditë. Gjatë kësaj periudhe mua më thërrisnin në pyetje dhe për të më marrë në shtëpi më merrnin personat që përmenda më lart. Më merrte Alfred Shkurti dhe më pyeste për Gramoz Selmanin dhe të gjithë njerëzit e afërt të tij", do të dëshmonte e ndiera. Pas shërimit, Ademi i kishte treguar edhe torturat.