Çekët financojnë rehabilitimin e zonës së ndotur nga nafta në Kuçovë
Qeveria çeke merr përsipër financimin e projektit për rehabilitimin e sipërfaqeve të ndotura të zonës naftëmbajtëse të qytetit të Kuçovës. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën kreu i kësaj bashkie, Artur Kurti. Sipas tij, realizimi i këtij projekti u arrit në sajë të bashkëpunimit mes qeverisë çeke dhe asaj shqiptare, por edhe nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë e institucional mes Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Kuçovës. Kurti sqaron se qeveria çeke ka dhënë një fond prej 1.2 milionë eurosh për realizimin e këtij projekti të parë për kthimin në gjendjen e mëparshme të sipërfaqeve të tokave që janë të ndotura me naftë. Me këtë financim është parashikuar të kthehet në gjendjen e mëparshme një sipërfaqe trualli prej 25 ha, në territorin e ish-Uzinës së Përpunimit të Naftës në qytetin e Kuçovës, e cila u shkatërrua tërësisht gjatë trazirave të vitit 1997. Kryebashkiaku Kurti tregon se pastrimi i zonës është kërkuar me ngulm nga banorët e zonës informale të qytetit, të cilët pas vitit 1990 e kanë shndërruar ish-uzinën në një qendër banimi. Pas vitit 1997, trualli i Uzinës së Përpunimit të Naftës në Kuçovë është shndërruar në një shqetësim serioz për banorët, për vetë rrezikun që ajo paraqet për jetën e tyre. E ndërtuar nga shoqëria koncensionare italiane, AIPA, në vitin 1940, kjo uzinë pushoi së funksionuari në vitin 1991. Që nga ky vit, banorë të ardhur nga fshatra të ndryshëm të Rrethit të Kuçovës vendosën të banonin pranë kësaj zone të tejndotur, duke ngritur banesat e tyre private, pa ditur se do të bashkëjetonin me ato rreziqe serioze për shëndetin e tyre. Por, shqetësimet tashmë duket se do të marrin fund pasi gjithë sipërfaqja ku ndodhen disa gropa gjigande të njohura si rezervate të naftës bruto, tashmë do të rehabilitohen njëherë e përgjithmonë. Bashkia e qytetit synon që nëpërmjet këtij projekti rehabilitues ta shndërrojë këtë sipërfaqe në një park të gjelbër. Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Artur Kurti, bën me dije edhe disa projekte të tjera të ngjashme, për të cilat priten financime të tjera, nga qeveria shqiptare apo nga donatorë të huaj. Sipas tij, ky projekt ka nisur të zbatohet pak javë më parë dhe parashikohet të zgjasë katër vjet. Ai thotë se firma e specializuar që ka fituar tenderin dhe ka nisur zbatimin e këtij projekti, është "Geo Test BRNO". Fillimi i punimeve për zbatimin e projektit rehabilitues, që konsiderohet si faza e parë e projektit, konsiston në studimin e zonës, duke analizuar përmbajtjen e ndotësve, verifikimin e burimeve të kontaminimit, përllogaritjen e nivelit dhe cilësisë së kontaminuesit etj.
M.Haxhialiu
M.Haxhialiu