Denoncimi në gjyq: Policët më vodhën
Një 52-vjeçar nga Fieri, i cili është duke u gjykuar për kultivim të bimëve narkotike, ka denoncuar dje autoritetet policore për vjedhje të sendeve me vlerë në shtëpinë e tij. Denoncimin është bërë gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar ditën e djeshme, ndërkohë që i arrestuari ka deklaruar përpara trupit gjykues se ka bërë deri tani gjashtë shkresa me shkrim për të hetuar këtë pretendim, por prokuroria dhe policia nuk kanë marrë parasysh asnjërën prej tyre. Asllan Hoxha, 52 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ngjeqar të Komunës Kurjan në Rrethin e Fierit është arrestuar në tetor të vitit 2007 për prodhim dhe mbajtje të bimëve narkotike. Gjatë seancës së fundit gjyqësore ai i kërkoi trupit gjykues të regjistrojë denoncimin e tij kundër policisë, që sipas Hoxhës i ka vjedhur disa sende me vlerë. "Ju, kryetar i trupit gjykues, dhe ju dy anëtarët e tjerë, që në fillim të gjykimit të çështjes time jeni informuar për denoncimin e kryer nga unë. Po ashtu edhe ju prokuror jeni njohur me këtë denoncim", tha Hoxha gjatë seancës. Ai tregoi më tej se gjatë arrestimit të tij policia ka qëndruar për më shumë se tetë orë në banesë dhe ka ushtruar presion mbi familjarët. "Dua të di ku kanë shkuar denoncimet e mia pafund të depozituara edhe me postë nga burgu ku unë po qëndroj. Edhe kur më ka marrë në pyetje prokurori Genci Mane, pas arrestimit apo dhe në vijim të hetimeve, i kam shprehur atij kërkesën për denoncim. Por asnjë nga autoritetet nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe nuk e ka vlerësuar padinë time", tha i arrestuari Asllan Hoxha. Ai ka kërkuar gjithashtu që trupi gjykues të lejonte gazetarët në sallën e gjyqit, në mënyrë që denoncimi i tij të bëhej publik. "Vendosëm të kërkojmë ndihmën e medias, pasi denoncimet e njëpasnjëshme të bëra nga Asllani nuk kanë marrë asnjë përgjigje, qoftë edhe negative", thotë një i afërm i të arrestuarit. Vetë Asllan Hoxha e sqaroi trupin gjykues se në momentin e arrestimit, në shtëpi i është vjedhur një sasi bizhuterish me vlerë të madhe monetare. "Në dhomën time të gjumit kanë hyrë në vendin ku ime shoqe mbante bizhuteritë. Kanë marrë të gjitha ato që kanë gjetur atje. Po ashtu edhe në qilarin ku unë mbaja verën shumëvjeçare policia ka bërë dëme. Për dëmshpërblimin dhe kthimin e sendeve me vlerë kam kërkuar edhe nga prokurori Genci Mane ndërhyrje, por më kot. Dua drejtësi dhe besoj për të deri në autoritetet më të larta", tha Asllan Hoxha në sallën e gjyqit. Në kancelarinë e Gjykatës së Fierit mësojmë se letrat e personit në gjykim janë depozituar nga gjykata, por nuk ka nisur proces gjykimi për to, pasi është prokuroria ajo që merret me këtë kategori denoncimesh. Por, në prokurori mohohet ekzistenca e ndonjë denoncimi nga ana e këtij personi. Prokurori i çështjes thotë se reagimi i Asllan Hoxhës në këtë mënyrë bëhet për të mbrojtur veten nga dënimi i rëndë.