E Diel, 1 Nëntor 2026

1944-1990, si u persekutua Kisha Katolike?

Autori i Lajmit: red.
Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipëri njeh mjaft dëshmi gojore dhe me dokumentacione, pavarësisht se shumë nga këta të fundit janë zhdukur. Në numrin e së dielës, gazeta ”Ballkan” përzgjodhi dëshminë e ipeshkvit ndihmës të Shkodrës, Imzot Zef Simoni mbi vitet e errëta të përndjekjes 1944 - 1990 në Shqipëri. Rrëfimi i tij nisi që në verën e paraçlirimit duke treguar për mënyrën e organizimit të të krishterëve në Shqipëri, organizimin e celulave rinore antireligjion, fillimet e dhunës komuniste mbi personalitetet e besimeve fetare, mbylljen e shkollave dhe shoqërive fetare, thellimet e përndjekjeve, persekutimet, torturat çnjerëzore e deri te pushkatimet e para.
Dëshmia e Imzot Zef Simonit është e ndarë në tri faza, ku siç thamë më lart, faza e parë u botua në numrin e së dielës të gazetës. Sot, vijojmë me të dytën...
Për të ruajtur sa më origjinale dëshminë e imzot Zef Simonit (sipas Vatikan.org), po e lëmë atë në dialektin e vetë autorit.
Dredhitë e komunizmit kundër fesë
E dyta fazë ishte ajo e uljes së ashpërsimit kundër klerit e Kishës, pa hjekë kurrë dorë nga lufta kundër fesë: asht një fazë me dredhi të mëdha, që nisë nga vjeti 1950, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë e Titos deri në vjetin 1960, kur u prishën marrëdhaniet me Bashkimin Sovjetik.
Shteti kërkoi të rregullohen disi marrëdhaniet me të gjitha institucionet fetare e kryesisht me Kishën Katolike, përmes një statuti. Për këtë nisën disa kontakte nga ana e qeverisë, përmes përfaqësuesit të saj Tuk Jakovës e françeskanit Atë Marin Sirdanit. Në mbledhjen e klerit që e drejtonte Imzot Bernardin Shllaku, ipeshkvi plak, i vetmi që kishte mbetë gjallë, paraqiti Statutin e rregullt në bazë të Kodit Kishtar, por qeveria komuniste nuk e pranoi. Në një mbledhje të dytë të klerit që zhvillohej në disa ditë në Pallatin Arqipeshkvnuer të Shkodrës, u përpilue e u paraqit një Statut me një farë ndryshimi me të parin. Por qeveria u egërsue dhe si e tërbueme që ishte, nuk e pranoi kurrsesi. Atëherë shteti paraqiti një statut të vetin. Por kleri nuk mund ta pranonte e Imzot Bernardin Shllaku, në takimin që pat në Kryeministri me Mehmet Shehun, i tha: "Na këtë Statut
nuk mund ta pranojmë". Në një bisedë mes Kryeministrit dhe Imzotit, Mehmeti kërkoi të dijë ku ishte vështirësia e madhe.
Përgjigjja e Imzotit ishte: "Le të më vehen prangat nder duer qysh tashti, në qoftë se nuk më garantohet së paku emnimi i ipeshkvijve nga ana e Selisë Shejtë". Mehmeti pranoi, tue thanë fjalën se emnimet do të bahen nga Selia e Shejtë, por tue u dërgue materialet përmes Qeverisë, pa qenë e shkrueme në Statut. Kështu që Statuti paraqitej i tillë, por në realitet nuk kishte skizëm. Mbledhja e klerit pranoi variantin e fundit në besë të Ipeshkvit Bernardin Shllaku. Atë Zef Saraçi, profesor i shquem i teologjisë dhe i kodit, tha këto fjalë: "Po futemi nën mbrelën e Imzotit". Mehmeti i tha Imzotit të paraqitej në Kryeministri një propozim për emnimin e katër ipeshkvijve të ri. Por Selia e Shejtë nuk e emnoi asnjënin prej tyne, tue zgjedhë ajo vetë dy të tjerë që ishin Imzot Ernest M. Çoba, për arqipeshkvinë e Shkodres dhe Imzot Pjetër Dema, për arqipeshkvinë e Durrësit. Ma vonë, gjatë kohës së diktaturës u emnuen nga Selia e Shejtë, me propozimin e Imzot Çobës, dhe dy ipeshkvij të tjerë, Imzot Antonin Fishta, shugurue më 1957 si Ipeshkëv i dioqezës së Pultit, në vendin e Imzot Bernardin Shllakut, vdekë në nanduer të vjetit 1956 dhe Imzot Nikollë Troshanin, shugurue në prill të vjetit 1959, si ipeshkëv i dioqezës së Lezhës dhe i Durrësit, në vend të Imzot Pjetër Demës që vdiq. Por dioqeza e Durrësit iu mbajt e fshehun Imzot Nikollës, me presion të qeverisë.
Lidhjet e tjera me Selinë Shejte, veç emnimit të ipeshkvijve, kanë qenë shumë të pakta. Vetëm tri e që edhe këto kryheshin rreptësisht përmes Kryministrisë. Ato lidhje ishin: dërgimi i telegramit të ngushëllimit për dekën e Papës Piu XII dhe ai i urimit për emnimin e Papës Gjonit XXIII e ma vonë marrja e disa breviarëve.
Mbas vdekjes së Imzot Bernardin Shllakut, simbas Statutit, quejtë Kryetar i Kishës Katolike në Shqipni, emnohej Imzot Ernest Çoba.
Shteti kishte formue një zyrë të veçantë me një nëpunës të vetin për t u marrë me përfaqësuesit e klerikëve të të gjitha besimeve.
Imzot Ernest Çoba do të fillonte marrëdhaniet fetare të fshehta me Selinë e Shejtë përmes Legatës Italiane në Tiranë, me anë të së motrës. Problemet ishin fetare. Herë mbas here shkonte e motra në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, me banim në Itali. Të shkruem në disa letra cigaresh, materialet e Imzotit, i jepeshin nëpunësit prej së motrës. Kjo punë vazhdoi disa vjetë. Ky do të ishte shkaku kryesuer i arrestimit dhe i dënimit të Imzot Çobës.
Lirimi i klerikëve
Gjatë kësaj faze u liruen nga burgu një numër klerikësh, të cilët u emnuen nëpër famulli të ndryshme, gjithmonë me miratimin e shtetit. Me miratim të shtetit u aprovuen disa që do të merrshin meshtarinë si: Dom Ernest Troshani, Dom Tish Lisna, Dom Simon Jubani, Dom Ndue Soku, Dom Ndoc Volaj, Dom Martin Trushi, Dom Injac Dema, Dom Mikel Beltoja e Dom Marin Shkurti. Gjithsejt nandë vetë. Gjashtë të tjerë u shuguruen fshehtas, pa leje të qeverisë prej Ernest Çobës e janë: Atë Gjergj Vata e Dom Ndoc Noga, me 19 mars 1954, Atë Zef Pllumi shugurue me 1 maj 1956; Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni me 9 fruer 1961 dhe Dom Luigj Kçira me 24 mars 1963.
Gjatë diktaturës nuk pat shtyp. Botohej vetëm kalendari fetar në Tiranë, në shtypshkronjën shtetnore "Mihal Duri". Seminari lejohej me Statut, por në të vërtetë nuk ekzistonte fare. Të qenit e tij do të ishte i rrezikshëm, pse Sigurimi i Shtetit do të fuste hundët aty. Kur u liruen disa meshtarë-profesorë nga burgu, si: Atë Pjetër Meshkalla, Atë Mark Harapi dhe ndonjë tjetër, disa studentë do të merrshin fshehtas studimet në Pallatin e Arqipeshkvisë. Kisha ishte ndër provë e në pranga. Shteti, me Statut i jepte një ndihmë Kishës, një subvencion. Arqipeshkvia, pothuej as nuk kishte një tavolinë e karrigë, pse të gjitha ishin të sekuestrueme nga Shteti. Mbasi u lirue Pallati i Arqipeshkvisë, i banuem prej familjeve të oficerave, u formuen zyre të ndryshme, me zyrtarë që paguheshin nga subvencioni. Subvencion të vogël merrshin në fillim të gjithë meshtarët, por ma vonë u hoq, gati krejt, pse subvencioni nga viti në vit vinte tue u zvoglue.
Lufta e klasave në zenit
Në këtë fazë, gjithmonë me frikë, u pa një farë gjallnie fetare, me rastin kur u ndertue lteri i ri, zbukurimi i Kishës me piktura murale e shugurimi i kishës Katedrale me datën 19 prill 1958, ditë e dielle, me rastin e 100-vjetorit të fillimit të punimeve.
Por nuk vonoi shumë e në mojin nanduer të këtij vjeti filloi një gjyq i tejtmerrshëm në salonin e kinemasë "Republika", kundër meshtarit të mirë e të pafaj Dom Ejell Kovaçit, i akuzuem randë. Dom Ejell Kovaçi u pushkatue. Në mojin e prillit të vjetit 1959 pushkatohet famullitari i Bregut të Bunës, i zjarrti Dom Dedë Malaj e Atë Konrad Gjolaj dënohej me 25-vjet burgim. "Zhurmë e poterë në Shqipni. Lufta e klasave ishte në zenit".
Pranë Kryeministrisë zyrtarët që kishin të bajshin me komunitete fetare, ishin me grada ushtarake. Ishin njerëz të matun e flitshin lehtë e pak fort jepshin përgjigje të qarta për nevojat e kishës. Me rastin e festave, si: të 1 Majit e të 28-29 Nandorit, shteti u bante thirrje komuniteteve fetare për t u gjetë në tribunën e Tiranës. Edhe zyrtarët vijshin për të ba urime për festën e Pashkëve. Ma vonë filluen ta rrallojshin ardhjen. Dergojshin telegrame të shkurta: "Për shumë vite Pashkët!" Ma vonë, vetem: "Urime!". Kur vijshin personalitete të shteteve mike të Shqipnisë, sidomos nga Bashkimi Sovjetik, demokracitë motra dhe Kina popullore, i thirrshin në mbramje për banket në Pallatin e Brigadave edhe komunitetet fetare.
Ndikimi i politikës së jashtme
Rreth vjetit 1960 Shqipnia prishi marrëdhaniet me Bashkimin e Madh Sovjetik e nisën marrëdhaniet me Kinën e Mao Ce Dunit. Në fillim dukej si një periudhë e qetë, por ishte situatë me tinëzi të hollë. Mbas do kohe, sidomos në fshate, kryetarët e këshillave u imponojshin meshtarëve me urdhna të randë orarët e meshës. Meshët mos të celebroheshin në orët e punës, e cila vazhdonte nga ora 6 e mengjesit deri në orët e vona të ditës. Me shumë vështirësi pergatiteshin fëmijët me katekizëm për Kungimin e parë dhe Krezmim ndër male e fshate. Këte e ankojshin meshtarët e famullive pranë ipeshkvit dhe ipeshkvijve të të tanë dioqezave. Frynte një erë përgjithësisht e keqe, vinte një egërsi që shtohej dita me ditë, paraqitej një qëndrim i ri ndaj Kishës, një luftë e re me përmbajtje tjetër të rrezikshme kundër religjionit. Partia e Shteti, me anë të organizatave të rinisë, të gruas dhe atë të pionierit, me forcë të Sigurimit, nisi të survejonte fort njerëzit që shkojshin në Kishë. Kjo kishte fillue pak në vjetin 1959, kur sidomos arsimtarëve u ndalohej shkuemja në kishë, e mbas vjetit 1964 nisi ky ndalim gradualisht me nëpunësit dhe të rijtë e fëmijët e shkollave. Sidomos në shkolla bahej punë e rreptë ateiste. Mësuesit, veçanërisht, ata që ishin anëtarë partie përmes landëve të ndryshme, demaskojshin klerin dhe rolin reaksionar të fesë. Ishin të afishueme në korridoret e shkollave parulla e mbi të gjitha ajo e Marksit: "Feja asht opium për popullin".
Heshtja e këmbanave
Filluen të baheshin disa shërbime të fshehta në qytet e ishte rasti kur ndonjë arsimtar e nëpunës thirrte meshtarin që e njihte në orët e vona të mbramjes për t iu gjetë të sëmurit që kishte në shtëpi e me atë rast rrëfeheshin e kungoheshin edhe ata.
Përshperitej se mbrenda pak vjetëve do të mbylleshin kishët e të gjithë insitucionet fetare të të gjitha besimeve. Delshin shkrime nëpër gazeta e libra të urrejtshëm, fanatikë, aq të deformuem, me shamje, fyemje, pa mujtë kush t i jepte përgjigje,se nuk kishte liri as fjale, as shtypi. Liri kishte vetëm me folë e me shkrue keq. Takimet e Imzot Ernest Çobës në Kryeministri ishin ma të rralla. Ia paraqiste nëpunësit këto shqetësime që kishte Kisha, por ai rrinte pa za. Aprovime për shugurim meshtarësh të ri nuk vijshin në këtë fazë të tretë. Në vjetin 1965 kje thirrë Imzoti në Kryeministri dhe lajmue me urdhën të premë që të rrallohej ramja e kumbonëve. Vetëm një kumbonë mund të binte në ditët e dielle e festa të urdhnueme në qytet e fshate. Jo në mengjes, as në drekë, as mbramje. Kumbonët fort të bukura të qytetit të Shkodrës nuk ndëgjoheshin ma.
Përçudnimi i kishave dhe tokave të saj
Nisi grabitja me takt e kishave. Pranë kishës së Jezuitëve dhe asaj të motrave Stigmatine në Shkodër, ishin kuvendet përkatëse, por ishin marrë nga shteti në vjetin 1946, për t u përdorë si konvikte për rininë. Tash duen të marrin edhe kishat.
Në gjysmën e mojit nanduer të vjetit 1965 Mons. Çoba thirret heret në mengjes, ora 8 të paraditës, në këshillin e Organizatës së Frontit të rrethit Shkodër, kryetar i së cilës ishte Xhemal Dini. Ishin prezentë të gjithë pjesëtarët e Këshillit, disa vetë. Iu njoftue Imzotit se do të dorëzoheshin dy kishët e Shkodrës, ajo e Jezuitëve dhe ajo e murgeshave, mbasi ato janë pranë konvikteve tona e rinia nuk kishte të bante afer kishave. Ata në fillim morën me dhunë kuvendet, tash lypin patjeter edhe Kishat. Qytetit po i binte hije e zezë e populli shqetësohej fort se ishte mësue të rriste shtatin, mendjen e zemrën me jetën
fetare pranë atyne kishave e rinia katolike, djem e vajza t i kishte të vetat. Tash po jetonte dhunë e shtypje. Mons. Çoba shkoi në Kryeministri për t u marrë vesh për këto kishë të marruna. Përgjigjja e nëpunësit ishte kjo:- "Tash nuk mund t u perzihemi rretheve në punët e tyne". Kisha e Jezuitëve, mbasi u muer nga shteti, u përdor si sallë për shfaqje kukullash, kurse ajo e motrave Stigmatine, u quajt sallë e "Klubit të Rinisë", që do të përdorej ma vonë, sallë mbledhjesh dhe sallë për gjyqe kundër meshtarëve.
Meshat e ndaluara
Me 26 prill të vjetit 1966, ditën e Zojës së Këshillit të Mirë, që kremtohej në Shejtnoren, bri Kështjellës Rozafat, ditën e festës, një repart ushtarak nuk lejoi kategorikisht Ipeshkvin, që kishte shkue te Kisha, të celebronte Meshën e festës, ora 10, para një populli të madh. Preteksti i jashtëm ishte se do të hapej prej ushtrisë një tunel perbri kishës e shkaku i mbrendshëm se do të mbyllej për disa ditë kisha e shpejt Shejtnorja e randësishme fetare dhe kombëtare në Shqipni. Natën e Rëshajve të këtij vjeti, u thirr Imzoti në Komitet Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës. Kryetari i Komitetit, Bilal Parruca, i njoftoi Imzotit që krezmimet të baheshin në kishë e jo fshehtas në Pallatin e Arqipeshkvisë, sikurse vërtetë Imzoti kishte caktue t i bante për disa persona që kishin kërkue nga frika. Nuk asht nevoja, tha kryetari: "Besimi asht i lirë." Qëllimi ishte që shteti të dinte se kush do të merrte pjesë në krezmime. E vërtetë, për ketë punë, ishin organizue grupe të ndryshme për të kontrollue krezmimet. E ditën e Rëshajve, grupet e caktueme, i kapshin për krahu fëmijët të veshun mirë. Por fëmijët u ikshin dhunuesave. Ishte dredhi komuniste me forma të këqia orientale. Komunizmi ka avitë e veshë me pushtet, në përgjithësi,myslimanët. Ngjarjet vijshin tue u randue njena mbas tjetres. U mbyll një kishë në Shalë, tue largue me njëherë fratin, Atë Shtjefen Pistullin. Ditën e Shën Kollit, me 6 dhetuer disa të rij e përsona të pushtetit, larguen me zhurmë jezuitin, Atë Anton Lulin. I thanë Padres: "Nuk duem kishë, merr plaçkat tueja personale e ik prej këndej. Kishën duem ta kemë shtëpi kulture. Ketë e ka në dorë populli e rinia". Shifeshin qartë shejet e para të ngjarjeve të reja...

Vizita
Një kujtim me Hrushovin...
Në vjetin 1959 erdhi në Shqipni Nikita Hrushovi. Në Pallatin e Brigadave, në atë mbramje, ishin ftue edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, që i kishin vendosë në një tavolinë në një kand pak të fshehtë. Para se të mbaronte mbramja, Hrushovit i shkuen sytë te përfaqësuesit fetarë e me kërkesën e tij, së bashku me Enverin e zyrtarë të tjerë u drejtuen për t u dhanë një përshëndetje atyne. Një nëpunës shqiptar, me mburrje, e njoftoi zyrtarin e naltë se marrëdhaniet i kemi të mira me komunitetet e për ma tepër e lajmoi se kemi edhe Statut. Hrushovi u çudit shumë e me një shprehje të veçantë të fytyrës, foli: "Statut!" Dha të kuptojë qartë se nuk e pëlqente.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›