E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmet Shehu e Ramiz Alia, shtabi kundër klerit

Autori i Lajmit: red.
Ngjarjet “e reja”, erdhën me shpejt nga ç ishin parashikuar...Natën e Krishtlindjeve, në Shkodër, Kisha e Madhe ishte e mbushun me popull, si përherë, por lajmohej se në qytet e fshate do të bahet në orët e vona të kësaj nate punë vullnetare me goditje të përqendrueme. Janë nisë në Koplik për hapje kanalesh nën tingujt e bandës së qytetit të Shkodrës. Në vjetin 1966 Lin Biao, në Pekin, nxiti një lëvizje fort të re, me karakter ashpersie e dhune kundër çdo kulture, veç asaj proletare e që do të merrte emnin "revolucion kultural". Edhe në Shqipni, vjeti 1967 do të ishte ai i këtyne ngjarjeve të idhta, tue u pshtjellue mbarë Shqipnia. Nisi edhe ndër ne "revolucioni kultural".
Me datën 6 shkurt 1967, në mbledhjen e disa organizatave të Partisë në Tiranë, Enver Hoxha jepte sinjalin e madh të këtij revolucioni, të një lufte të furishme "kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare", e cila do të shtrihej në të gjitha
skajet e atdheut tonë me të njajtin intensitet e terbim. Revolucioni kultural kinez u ba edhe yni, me një luftë të brendshme me goditje të përqendrueme, kundër të gjitha religjioneve në Shqipni e posaçërisht kunder Kishës e Klerit katolik.
Roli i Mehmet Shehut
Kur në vjetin 1945 Mehmet Shehu bante një vizitë në shtëpinë e Jezuitëve në Tiranë, gjatë atij takimi tha: "Ne jemi kundër klerit reaksionar dhe i zhdukim armiqtë tanë, por, megjithëse jemi ateistë, ne respektojmë klerikët e mirë dhe lirinë e besimit
dhe ndjenjat e besimtarëve". Atë Pjetër Meshkalla që dëgjoi aty këto fjalë, pergjegji: "Në se ju do të jeni në pushtet (një shprehje kjo fort e guximshme dhe e rrezikshme me vu në dyshim ekzistencën e pushtetit popullor), do të vijë koha të rrenoni kishë e xhami e do të persekutoni keqas ndjenjat e besimtarëve." Kjo periudhë me fillimin e revolucionit kultural në Shqipni, do të kishte si karakteristikë të veten, jo vetëm vazhdimin e përsekutimit të klerit në një formë të re, në atë të demaskimit të personave klerikë, publikisht, me mbledhje, të quejtuna të gjana popullore, por kryesisht dhunën ndaj ndjenjave të besimtarëve, që dominojshin në Shqipni.
Roli i Ramiz Alisë
Kjo shkëndijë që u ndez "kunder zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare", ishte e mjaftueshme për t u ba flakë e madhe ditën e 7 shkurtit, kur nisën të dukeshin fletë-rrufetë, në ngjasim të dacibaove kineze e me vazhdue kjo flakë djegëse e zharritëse për sa e sa vjet si një ferr tokësuer i kjahmetit shqiptar. Qyteti i Durrësit pau grupet e të rijve, të verbuem, të cilët shkatërruen Shejtnoren ortodokëse të Shën Vlashit. U formue një shtab i përgjithshëm për mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Ramiz Alisë, i cili gjindej ato ditë në Shkoder. Me datën 15 shkurt 1967, ora 10, në të gjitha dyert e kishave e të xhamiave dhe në vendet e afishimit u panë në qytet "Fletërrufetë", shpikje kineze, prej grupeve të disa të rijve e të rejave, ma tepër të rij konviktesh. Çka nuk thohej nder ata: "ka luejtë rol reaksionar feja, asht qendra e obskurantizmit Vatikani, Klerikë Populli iu ban thirrje të dorëzoni kishët, qelat e çka të keni. Mjaft keni gënjye. Përqafoni punën dhe fitoni bukën me djersë të ballit. Mjaft keni mashtrue Populli nuk ju do. Rinia nuk ju
do".
Shkurti i persekutimeve
Lagjet, fshatet, çdo fshat e malësi, qytetet, kryeqyteti gjithkund terbim se kishte zehrin e klasës. Klerikët vijshin nga fshatet e malësitë. Lajmojshin ipeshkvin. Imzoti kërkoi një takim në Kryeministri. Telefonat nuk jepshin përgjigje. Kërkoi disa herë mbrenda atyne ditëve. Por ata nuk përgjigjeshin.
Të dielen e aferme, me 19 shkurt, nuk u lejue të celebrohet mesha e orës 10. Me urdhën mbyllet Kisha Katedrale. Në ndërmarrjen e Ujnave të Shkodrës, provokohet një mbledhje e gjanë, ku thirret Mons. Ernest Çoba, ndihmësfamullitarët Dom Mark Hasi e Dom Kolë Shkoza. Imzoti foli si duhet e si i përkiste me qartësi mbi Zotin e Kishën. Mbasdite hapet Kisha e Madhe, mbasi nuk u muer asnjë vendim prej popullit, e një popull i madh mbushi kishën në Meshë.
Ditët randohen fort, Imzotin e thërrasin në Komitetin e qytetit. E lajmojnë së bashku me provinçialin e françeskanëve, Atë Agustin Ashikun, i thirrun dhe ai në Komitet, që të lirohen brenda dites dhomat françeskane e materialet e tyne të dërgohen te Kuvendi i Françeskaneve, te Arra e Madhe, tue u lanë vetëm dy dhoma. Në këte ndërkohë, në Pallatin e Arqipeshkvisë kishte ardhë një komision prej 15 vetash nga Komiteti Ekzekutiv. Ndër ta kishte dhe oficerë të Sigurimit, të cilët morën çelësat e pallatit e të gjitha dhomave, tue lajmue që përsonat banues në arqipeshkvi të vijshin për të marrë plaçkat e veta përsonale e plaçkat e tjera të arqipeshkvisë do të dërgohën te Kuvendi i Arrës së Madhe. Dy ditë vazhdoi të bartunit me kamionët e shtetit, se vetëm ky i kishte. Kjo ngjau nga data e 24 shkurtit deri me 26.
Seriali i dëbimeve
Mbledhjet vazhdojshin të ishin fort të idhta në çdo lagje. Ka britma e frikë. E ndiheshin zanet çjerrëse të disave nëpër mbledhje. "Kisha, kleri ka shfrytëzue popullin. Feja e ka lanë mbrapa e në errësinë. Duem mbylljen e insitucioneve fetare."
Të shtunden e parë të muajit mars, me datën 4 mars 1967, mbyllet Kisha Katedrale e Shkodrës. Mbetën ende Kisha e Fretënve të Gjuhadolit dhe ajo e Zojës Rruzare te Arra e Madhe. Popull i madh rrante atëherë te këto dy kishë e vijoshin edhe nga fshatet për të marrë Sakramendet e Shejta e ndër ata shumë e shumë të rij. Me datën 15,16,17 mars u banë lutje të veçanta nga kleri, tue u ekspozue dhe Eukaristia në Kishën me dyer të mbylluna të Zojës Rruzare. Ditën e shtunde, me 18 mars, në zyrën e Këshillit të Frontit të Arrës së Madhe, para një komisioni të Frontit, me elementë edhe të partisë dhe të Sigurimit, u thirren gjatë paradites një nga një meshtarët, rreth 20 vetë. Kërkojshin prej secilit që meshtarët t i bijshin mohit zyres së tyne meshtarake. Asnjë nuk pranoi. E ndonjeni që u kishte shërbye Frontit e pushtetit, u tha: "Këtu nuk jemi me ju". Mbasdite i dëbuen të gjithë fretent që banojshin në kuvend, edhe françeskanin plak të mbetun, Atë Çiril Canin që nuk dinte çka ngjante. Imzot Ernest Çoba, me një taksi u çue në shtëpinë e së motrës e të nipave. Një popull i madh e përcillte me lot nder sy dhe shumë i tronditun për këto ngjarje. Me datën 19 mars, ditë e dielle, Dita e Shën Jozefit dhe e Larit (e Palmave), nuk ndihet asnjë tingull kumbone e nuk gjindet asnjë portë kishe e çilun në qytet.
Në emër të popullit...
Mbyllja e Kishës në Lezhë do të kryhej me një organizim të djallzuem, me 26 mars, ditën e Pashkëve. Komiteti i Partisë së rrethit, tue pasë sekretar partie, sigurim të shtetit, polici të madhe, organizata të frontit, të rinisë, nxanës të shkollave, shumë popull me detyrim, në oborrin e Kishës së Kuvendit Françeskan shpallën "Kuvendin tre brezave të Lezhës", tue lexue një vendim në emën të popullit, në 15 pika, me anë të të cilave kërkojshin mbylljen e të gjitha kishave e qitjen fare të besimit katolik me meshtarë e besimtarë. Atë ditë fillojshin aksionet e çmenduna, me rrëzimin e kumbonares së kishës së lashtë françeskane. Ditë tjera rrafshohen kumbonaret dhe kishët kudo në Shqipni, si Shejtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, bri kështjellës Rozafat, Kisha Katedrale e Shkodrës, që për pak muej u caktue si muzeum, por shpejt fillojshin punimet për ta shndërrue, në vjetin 1968, në pallat sporti. Kisha Françeskane e Gjuhadolit u ba sallë kinemaje, Shejtnorja e Shnandout në Laç të Kurbinit kje rrënue e krejt zona bahet kamp ushtarak, që të mos lejojë popullin të shkonte te vendi i shejtë për devocion.
Kisha e vogël me vlerë artistike në Laç të Vaut të Dejës, vepër e shekullit XIII, kishë me afreske dhe e shpallun monument kulture, ku sa herë kishte shkue dhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, për t u lutë, u rrenue plotësisht me dinamit.

Paradoksi
Kishat, si u shndërruan në salla gjyqi
Shumë kishë të tjera u shndërruen në salla kulture, salla gjyqi, magazina e në stalla bagëtish e derrash. Vërtetë disa kishë nuk u rrënuen, por edhe ma keq se ata, u dhunuen. Kishin mbetë pa u mbyllë kisha e fshatit Sheldi me priftin, Dom Pjeter Grudën, pak ditë mbas Pashkëve, Kisha e fshatit Delbinisht, me famullitar Dom Anton Doçin, vdekë në burg. Kjo Kishë u mbyll e fundit, ditën e Rrëshajve të vjetit 1968, për arsye se populli kishte marrë çilësat e kishës e nuk ia dorëzonte organizatës së frontit e të rinisë. E kur ata dojshin ta shperthejshin me forcë derën e kishës, populli e kryesisht gra, delshin me lopata e sëpata për t i pengue. Kisha e "Zemrës së Krishtit" e Tiranës, me Imzot Ndoc Sahatçinë, u mbyll me 29 qershuer 1967. Ti, o Atdhe, i vramë përnjëherë, pushofsh në paqe. Vetëm në një ditë të Te Deum e në një Alleluja të Hendelit mund të ringjallesh.
Meshtarët u detyruen të merrshin pjesë në punë të randa, si në ndërmarrjen e tullave, në fermë e ndërtime, por për pak kohë, pse shumica u arrestuen për të dytën o të tretën herë e dergue nder burgjet e randa, si ai i Spaçit, ku do të punojshin ndër minierat e bakrit e të piritit. Do të zhdukeshin gati të gjithë meshtarët, që të mos shiheshin ata në popull e nga populli, pse një prift i paburgosun ishte për komunistët një kishë e madhe e hapun. Me një kontingjencë që pat Shqipnia në pragun e hymjes së komunizmit, mbi 170 meshtarësh, të cilët, gati të gjithë, kaluen ndër tortura e provuen jetën e burgjeve, me 31 meshtarë të pushkatuem, dy prej të cilëve ipeshkvij e dy vdekë në burg. Të vdekun ndër tortura 8 klerikë, të mbytun pa gjyq. Vdiqën pak kohë mbas torturash e burgjesh 2. Vdekë në burgje e kampe shfarosëse 19 të tjerë. Të burgosun, mbi 70.
Të Premtën e Madhe, me 24 mars të vjetit 1967, dy ditë para Pashkëve, aq të dhimbshme për ne, për popullin e krishtenë, nëpër lagje katolike u futen nder shtëpia grupe fëmijësh nga organizata e pionierit, për të kontrollue gjendjen e pastërtisë, si kohë pranvere, por qëllimi kryesuer ishte me iu referue qendrave të informacionit me anën e fëmijëve se ku kishin gjetë ndër familje se baheshin ambelsina e ngjyheshin vezë të kuqe e mos shiheshin nëpër dhoma rruzare, kryqa, fugure. Një ngjarje kjo kaq e ulët dhe e shemtueme, që kërkonte t i degjenerojë fëmijët, tue e prishë shpirtin e fëmijëve me vesin fort të keq të denoncimit e të spiunazhit.
Herë mbas here, sidomos nder fshate, bahej kontroll deri në arkat e grave mos janë fshehë fugure e materiale të tjera fetare. Njerëz të caktuem survejoheshin afër shtëpive të ndryshme për të dëgjue, kur thohej Rruzarja e Zojës në mbrëmje ndër familje, o mos të dëgjohej stacioni i radiove të hueja e sidomos ai i Radio-Vatikanit, në gjuhën shqipe...
(Vijon nesër)
Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›