E Diel, 1 Nëntor 2026

1969 - Shqipëria dhe Rumania dhimbje koke për Kremlinin

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Tiranë, 3 qershor 1969 – Këmba e Rusisë ka shkelur vazhdimisht mbi dy “gozhdë” shqetësuese këto muajt e fundit, Shqipërisë dhe Rumanisë. E para po përpiqet të ndërtojë barrikadat e saj kundër sovjetikëve pas asaj që ndodhi një vit më parë në Çekosllovaki, ndërsa e dyta po kërkon edhe një herë të konfirmojë pavarësinë ekonomike dhe politike nga Kremlini. Shqipëria rebele është një vend që i frikësohet si pushtimit të “revizionistëve sovjetikë” ashtu edhe atij të “imperialistëve amerikanë”. Unë sapo e kam vizituar vendin si reporter i agjencisë franceze të shtypit. Një zyrtar i Partisë së Punës të Shqipërisë më tha në gjuhën angleze se “Shqipëria nuk është vetëm. Shokët tanë kinezë sapo na kanë dërguar një armë të re, e cila ka bërë mrekullia në kufirin kino-sovjetik”, - tha ai. Rruga drejt Tiranës është e mbushur me postera ku pretendohet se “kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm” ose “ata që mund të na frikësojnë neve nuk kanë lindur ende”. Këto paralajmërime, u drejtohen “imperialistëve dhe revizionistëve” të Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk lejohen të jetojnë në Shqipëri. Që prej pushtimit të Çekosllovakisë gushtin e kaluar, udhëheqësit shqiptarë kanë jetuar me frikën e një sulmi të mundshëm sovjetik, me miratimin taktik të Shteteve të Bashkuara. Instruksionet ushtarake tashmë janë bërë të detyrueshme që nga shkolla fillore, ndërsa unë pashë vetë me sytë e mi fytyrat serioze të fëmijëve teksa “duelonin” me vajzat e reja që parakalonin të armatosura me automatikë përkrah tyre. Një tel me gjemba rreth tetë këmbë i lartë shtrihet përreth kufirit, por me sa duket, roli i tij është të kufizojë hyrjen e spiunëve nga eksodi i refugjatëve, duke e shndërruar Shqipërinë në një ishull të një bote armiqësore, i cili e mban derën hapur vetëm për Kinën që ndodhet 6250 milje larg. Mbrojtja e vërtetë e vendit duket se është e përqendruar, jo në rrafshinat bregdetare që të çojnë drejt Tiranës, por në zonat e ndaluara malore lindore dhe jugore, dhe rreth bazës së madhe detare të Pashalimanit në Vlorë, nga e cila rusët u përjashtuan më 1963 për tu zëvendësuar me kinezët. Sidoqoftë, burime të informuara thanë se kinezët nuk kanë ende një bazë të mirëfilltë ushtarake detare në Shqipëri apo detin Mesdhe. Prezenca kineze në Shqipëri është relativisht modeste. Unë pashë vetëm një fotografi të kryetarit të Partisë Komuniste Kineze, Mao ce Dun, në një kafe, pranë portretit të Sekretarit I të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxha. Ambasada kineze është një vilë shumë komode në qendër të kryeqytetit brenda oborrit të së cilës vihet re një transmetues i fuqishëm radioje me 5 antena. Ambasadori kinez, Gën Biao, anëtar i Komitetit Qendror të PKK-së u rikthye për të shërbyer në Tiranë më 9 maj. Ai është ambasadori i parë kinez që rifillon aktivitetin diplomatik kinez pas “Revolucionit Kulturor” të Mao Ce Dunit. Por, modeste apo jo, prezenca e kinezëve në Shqipëri është kudo. Diçka të tillë mund ta vini re nga fakti se zyrtarët kryesorë shqiptarë bëjnë gjimnastikën e mëngjesit çdo ditë në orën 06:30 në një fushë basketbolli, një orë pasi personeli i ambasadës kineze e bën në kopshtin e ambasadës. Por mund të vihen fare lehtë re dhe kamionët jeshilë mbi kofanot e të cilëve shkruhen germat kineze, që tashmë kanë nisur të zëvendësojnë automjetet e vjetra sovjetike në rrugët e Shqipërisë. Në marrëveshjen e fundit ekonomike mes Tiranës dhe Pekinit, këta të fundit janë munduar të plotësojnë të gjitha kërkesat e palës shqiptare, për të mos përmendur fabrikat e mëdha kineze si ajo e plehrave kimike në Fier, por dhe hidrocentrali “Mao Ce Dun” mbi Drin. Por deri këtu. Anglishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja janë gjuhë të detyrueshme në shkolla. Në një librari unë pashë vetëm një libër mjekësor kinez dhe ai ishte i përkthyer në gjuhën angleze. Buletini i lajmeve i agjencisë zyrtare “Kina e re”, transmetohet së bashku me ato gjermanolindore, franceze dhe amerikane. Ku pyeta një zyrtar kinez këtu në Tiranë, ai mu përgjigj: “Ne nuk jemi këtu për tu imponuar veten tonë apo për tu shfaqur më shumë se të tjerët. Ne jemi këtu për të ndihmuar shokët tanë”. Nga ana tjetër, Rumania ka shumë gjasa që të bëhet palë me shumicën e partive të tjera komuniste të botës dhe të firmosë dokumentin përfundimtar të konferencës së Moskës, - sipas disa burimeve evropianolindore. Dokumenti ende sekret do të shpalohet gjatë seancës së të enjtes kur pritet të marrin pjesë 70 parti komuniste. Të njëjtat burime thanë se deklarata e Moskës kishte më shumë se një vit që përgatitej nga komitetet partiake të punës dhe ishte rishikuar për tu përputhur me kërkesat e Komitetit Qendror Rumun. Nëse Rumania do të hedhë firmën e saj mbi këtë dokument për të treguar dhe unitetin e kampit komunist, kjo do të konsiderohet si një tjetër fitore diplomatike e vendit komunist 20 milionë banorësh kundër presionit sovjetik. Takimi i Moskës mund të jetë një tjetër moment historik në balancimin e peshores së miqësisë me Moskën, por dhe vazhdimin e ruajtjes së pavarësisë politike dhe ekonomike ndaj Kremlinit. Rumania është ende nën hijen sovjetike, ndryshe nga kryeneçët e Hoxhës me shokë, por me kundërshtimin që i kanë bërë doktrinës Brezhnjev u kanë dhënë dhe një dorë shqiptarëve. Në seancat e fundit parapërgatitore në Moskë muajin e shkuar, burime partiake bënë me dije se Rumania e bëri të qartë se nuk do të pranonte asnjë dokument që përmbante “cenimin dhe dënimin” e partive të tjera, apo të hidhte firmën mbi doktrinën “Brezhnjev”, sipas së cilës thuhet se vendet komuniste kanë vetëm “pavarësi të kufizuar”. Doktrina është përpunuar për të shpjeguar pushtimin e Çekosllovakisë gushtin e shkuar.

Ky lajm është publikuar: 28/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›