E Diel, 1 Nëntor 2026

A i harruan Rusia dhe Polonia shekujt armiqësi gjatë një fundjave?

Autori i Lajmit: A.D
Marrëdhëniet ruso-polake janë mbingarkuar nga shekuj të tërë armiqësie. Në shekullin XX Polonia u pushtua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1939, duke e ndarë vendin në mënyrë sekrete me paktin Stalin-Hitler. Pas rënies së Gjermanisë Naziste, Polonia ishte për dekada të tëra nën sundimin e një regjimi komunist promoskovit. Për polakët, masakra e Katinit (1940) në të cilën mbetën të vrarë më shumë se 20 mijë ushtarë dhe intelektualë polakë nga policia sekrete sovjetike, ilustron historinë e shtypjes dhe vuajtjes. Gjatë dekadës së fundit, perceptimet konfliktuale të historisë së Luftës së Dytë Botërore përkeqësuan më tej marrëdhëniet e dy vendeve. Kështu që ishte shumë prekëse të shikoje shpërthimet e emocioneve mes Polonisë dhe Rusisë për vdekjen e presidentit polak, Leh Kazisnki dhe figurave të tjera pushtetare në aksidentin e fundit ajror gjatë rrugës për përkujtimin e masakrës së Katinit. Ndërsa liderët u mblodhën për ti dhënë lamtumirën presidentit, Dimitri Medvedev kishte dhe një shans për të tejkaluar trashëgiminë e errët historike. “Rusia ndan dhimbjen dhe pikëllimin e Polonisë”, - tha Medvedev menjëherë pasi mësoi lajmin e aksidentit. Ai shpalli gjithashtu një ditë zie në Rusi – ndoshta kjo është hera e parë që Rusia mban zi për të nderuar kujtimin e një të huaji. Kryeministri Vladimir Putin ishte i pari që dha sinjalin e dhembshurisë duke nxituar menjëherë drejt vendngjarjes. Përqafimi vëllazëror i Putinit me kryeministrin polak, Donad Tusk, ishte shumë prekës për qytetarët polakë. Putini mori personalisht drejtimin e hetimeve të përplasjes, duke ndihmuar dhe familjet e viktimave gjithashtu. Në drejtim të kombit polak erdhën ngushëllimet më të sinqerta nga pala ruse. “Ne jemi të prekur nga ndihma dhe solidariteti që kemi marrë nga Rusia”, - thanë një grup intelektualësh dhe klerikësh me një letër të hapur. Korrespondenti i Moskës për gazetën polake “Vyborcza” lavdëroi sjelljen e Rusisë si të “ndershme” dhe “fisnike” gjatë gjithë kësaj ngjarjeje. Ministri i Jashtëm polak, Radosllav Sikorski, i cili nuk është një aleat i Rusisë, shprehu mirënjohjen e tij dhe e përshkroi këtë ngjarje si një “lidhje e madhe emocionale” në marrëdhëniet mes dy vendeve. Shprehja lidhje emocionale merr një ngjyrim tjetër pas marrëdhënieve të ftohta të dy vendeve evropianolindore. Polonia është e fiksuar me viktimizimin në duart e regjimit sovjetik, ndërsa Rusia ngurron që të diskutojë krimet e epokës së saj sovjetike. Perceptimi i Rusisë si një forcë agresive dhe e dhunshme shkon që në kohën e shtypjes së carëve rusë, madje bëhet akoma më e thellë gjatë ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore. Rusia nga ana tjetër, mbetet e prekur nga çdo lexim që i bëhet historisë së luftës që nuk e etiketon Bashkimin Sovjetik si çlirimtar të Evropës Lindore, përfshirë dhe Poloninë nga Gjermania naziste. Politikanët polakë përfshirë dhe Kazinskin, nuk e përmendnin një çështje kaq të rëndësishme për Rusinë. Rusia ka qenë gjithnjë shumë e zemëruar nga politikat antiruse në Bashkimin Evropian dhe mbështetja e kundërshtarëve rusë si ish-presidenti ukrainas, Viktor Jushçenko, dhe presidentit gjeorgjian, Mikhail Sakashvili. Kur shpërtheu lufta Rusi-Gjeorgji në vitin 2008, Kazinski nxitoi të udhëtonte drejt Tbilisit ku mbajti një fjalim të zjarrtë antirus. Edhe pse harrimi i së shkuarës mbetet një utopi për të dyja palët, hetimi dhe bashkëpunimi i plotë për masakrën e Katinit dhe eliminimit të politikës antiruse në Poloni mund të arrihet duke i dhënë fund së shkuarës së ndarë mes dy vendeve fqinje.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›