E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, lirohet i akuzuari për vrasjen e Malcolm X

Autori i Lajmit: Redaksia

Nju-Jork - I akuzuari i vetëm për vrasjen e liderit të popullsisë zezake amerikane, Malcom X, në SHBA, Thomas Hagan, është lënë i lirë në moshën 69-vjeçare. Hagan u dënua si fajtori i vetëm për vrasjen e kryer më 21 shkurt të vitit 1965, dhe kaloi plot 44 vjet në burg. Ai u arrestua pak momente pas krismave në “Audubon Ballroom” në Manhattan ku u vra Malcom X. “69-vjeçari, gjatë dy dekadave të fundit mori autorizimin për të punuar jashtë burgut, por me detyrimin që dy ditë në javë ti kalonte në burgun “Correctional Facility”, - tha zëdhënësja e Departamentit të Shërbimeve Korrigjuese, Linda Foglia. Hagan pranoi se ai ishte njëri nga tre personat që kishte qëlluar mbi Malcolmin gjatë fjalimit të tij më 21 shkurt 1965. Por ai i shfajësoi dy personat që gjendeshin me të në momentin e krimit. Ata dolën të pafajshëm dhe u liruan në vitin 1980. Që prej atëherë nuk është akuzuar askush tjetër. Tomasi tha se ai kishte qëlluar mbi aktivistin për shkak të zemërimit të ndarjes së këtij të fundit me lidershipin e vendit islam, lëvizjes së myslimanëve të zinj, për të cilët Hagan ka punuar më parë si zëdhënës. Atëherë ai njihej me emrin Talmadge X Hayer. Tomasi ka shprehur disa herë pendesë për rolin e tij në krim. “Unë kam pasur shumë kohë për ta menduar”, - tha ai përpara një bordi jurie muajin e shkuar. “Tani e kuptoj shumë mirë dinamikën e lëvizjeve, se çfarë mund të ndodhë brenda këtyre lëvizjeve dhe shfaqjen e konflikteve, por unë shpreh pendesën time më të thellë që kam marrë pjesë në këtë krim”, - tha Hagan, ndërsa shtoi se ishte diplomuar me master në sociologji gjatë viteve në burg. Hagan u dënua me burgim të përjetshëm dhe gjykatësi vendosi si kusht të pakthyeshëm që ai të mos lirohej pa kaluar të paktën 20 vjet pas hekurave.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›